Baritoni Gëzim Myshketa
sukses edhe në Francë

Baritoni Gëzim Myshketa<br />sukses edhe në Francë
Këngëtari lirik Gëzim Myshketa ka regjistruar këto ditë suksesin e radhës në një nga skenat e njohura operistike të Evropës. 

32-vjeçari nga Durrësi në dy javët e para të shkurtit debutoi në skenën e Teatrit Municipal të Marsejës (Francë) si një nga tre protagonistët e operës “Luçia e Lamermurit” të kompozitorit italian Gaetano Donixeti.

Shtypi i specializuar francez  e vlerëson Myshketën “si surprizën e vërtetë të produksionit. Bariton i mirëfilltë, shqiptari Gëzim Myshketa, vizaton një Enriko të rafinuar e delikat dhe në të njëjtën kohë si verdian origjinal, shkëlqyer dhe i pacipë”. Baritoni Gëzim Myshketa do të mbahet mend gjatë për realizimin e rolit të Ali Pashë Tepelenës. Djaloshi durrsak, që ka një veprimtari të dendur jashtë Shqipërisë, brenda pak muajsh ka qenë protagonist në koncertet e organizuara në Tiranë dhe në Bruksel me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa u shqua si protagonist në operan “Ali Pasha I Janinës”.

Gjatë një interviste dhënë ATSH-së pas suksesit me operan më të njohur të Donixetit, baritoni shqiptar Gëzim Myshketa tha se ndjehet i lumtur për reagimin e publikut dhe kritikës franceze gjatë këtyre ditëve. Artisti i njohur, që është përgatitur në shkollën italiane të kantos ka interpretuar edhe më parë në Francë si protagonist në operat “Semiramide”, “Eliksir dashurie” dhe “Don Carlo”. “Roli i Enrikos ishte mjaft impenjativ dhe entuziasmi i publikut më ka gëzuar pa masë-shprehet Myshketa, duke shtuar se urimet me dashamirësi vëllazërore i kanë mbërritur nga artistët e mëdhenj bashkatdhetarë Inva Mula, Ermonela Jaho dhe Josif Gjipali. “Lucia ka pranë një vëlla brutal, në kufijtë e sadizmit, i mishëruar më së miri nga baritoni shqiptar Gëzim Myshketa. Interpretimi i ti vokal është mjaft i saktë, pa harruar aktrimin e tij fenomenal-shkruan mediat franceze pas premierës së operës. Duke përfunduar “Myshketa është pra, një bariton kaq i vlefshëm, sa do të na pëlqente ta dëgjonim më shpesh në skenat tona”.

Baritoni shqiptar ka debutuar në produksionin “Lucia de Lamermur” pasi ka refuzuar rolin e Scarpias në operën “Toska” në Gjermani, dhe po njëlloj i është përgjigjur edhe ftesës që ka mbërritur nga Shangai për rolin e Gerardit në operan “Andrea Chenier”. “Janë dy role të papërshtatshëm për moshën dhe pjekurinë time aktuale dhe kam bindjen se në një të nesërme të afërt do të kem mundësi ti përballoj me një koshiencë më të plotë artistike-vlerëson këngëtari lirik Gëzim Myshketa, agjenda  artistikë e të cilit është përcaktuar  tashmë deri në vitin 2017.

FORMIMI MUZIKOR NGA DURRËSI, NË SKENAT E EUROPËS
 
Në konservatorin e Parmës, ku ai mbërriti 17 vjeç, këngëtari lirik veçon profesor Luciano Cinellën, i cili dalloi cilësitë vokale të baritonit, duke e impostuar në një regjistër të ri interpretimi. Specializimi në La Scala. Më pas konkurset dhe çmimet, që në mënyrë të pashmangshme u bënë preludi i karrierës. Asliko, Tosti e Vinjas janë disa nga çmimet
ndërkombëtare që “rrëmben” djaloshi durrsak, duke i hapur rrugë vetes për skenat e mëdha të operas në Bolonja, Roma, Arena Sferisterio, Verona, Abao Olbe në Bilbao, Montpellier, Masi Paris Sud, Opernhaus Zyrih, Salcburg Festshpile, etj.  “Nuk kam pranuar role të dyta, role karakteresh, qoftë edhe në Skala, pasi rrezikon të mbetesh skllav I tyre gjatë gjithë karrierës artistike-thotë Myshketa, I cili para disa vitesh nuk ka pranuar edhe rrogën e sigurt të solistit në një opera me emër si ajo e
Berlinit. “Vendimin tim e mbështeti nëna ime, Shega. Mua vetë më pëlqen të lëviz, të njoh njerëz të rinj, të provoj role të rinj, e sfida të reja - shprehet I bindur Myshketa 31 vjeçar, I cili sapo ka përgatitur valixhen për tu nisur në Romë, në sfidën e radhës. 

Kujt ia detyron suksesin?  
Duket se lista, që fillon nga familja është e gjatë.  “Kam kënduar për herë të parë kur isha 11 vjeç. Zysh Ana më dërgoi në konkursin e zërave të rinj, ndërsa motra bashkë me një komshije nxorën tekstin e këngës italiane “Santa Lucia”. Më pas këndova edhe në skena të rriturish me “O sole mio” apo “Mamma, son tanto felice”.

Familja Myshketa në Durrës njihet për përfshirjen në tregtinë e viteve 1930, që I dha qytetit lulëzimin e para luftës së dytë botërore, por edhe persekutimin nga diktatura. Më pas njëlloj si babai i Gëzimit, edhe xhaxhallarët njiheshin si instrumentistë në formacionet më të mira orkestrale të Durrësit. Përgatitja në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli” ishte një gjë e natyrshme për djaloshin që po rritej. “Vitet e shkollës së mesme për mua përkojnë me periudhën e vështirë 1997- ’98 - ’99-tregon Myshketa. Ne nxënësit ishim gjithë kohën në lëvizje, veçanërisht gjatë periudhës së krizës së Kosovës. Qyteti ishte plot me familje nga Kosova. Kemi organizuar me shkollën dhe me Qendrën rinore koncerte të përditshme në kampet, ku kosovarët ishin grumbulluar, e po ashtu në sheshet e qytetit, kudo”. 
 
SAKRIFICAT, PJESË E KARRIERËS

“Një këngëtar sakrifikon familjen-vlerëson Myshketa. Jam larg familjes sime. Por edhe nga një familje e vogël potenciale.  Pastaj shpjegohet më qartë: Jam ende në një pikë të karrierës, kur nuk mund të krijoj familjen time, pasi një pjesë të madhe të kohës jam larg”. Gëzimi ka gjithmonë një ose dy valixhe të përgatitura për periudha të shkurtra apo më të gjata kohe.
“Është një jetë me telefonin gjithmonë hapur, dhe duhet të shkosh të zëvendësosh një koleg. Por, jam i kënaqur se si shkon jeta ime
profesionale-shton 31-vjeçari”. Dy agjenci prestigjioze ndërkombëtare kujdesen për jetën artistike të baritonit nga Durrësi. Njëra prej tyre, “Stage d’or”, e njejta që kujdeset edhe për Saimir Pirgun dhe Josif Gjipalin. Dy emra të tjerë të shquar të operistikës kombëtare. “Ne hyjmë te vendet mesdhetare, të cilat kanë talente të mëdhenj lirikë, gjë që nuk para ndodh edhe më shumë vende të tjera të
globit-thotë Gëzim Myshketa, i cili gëzohet për sukseset e kolegëve shqiptarë në çdo anë të botës.

MYSHKETA: URIMET E KOLEGËVE SHQIPTARË, SHUMË TË VYERA

 -Si e ndjeni veten pas premierës dhe përshtypjeve shumë pozitive të kritikës?
-Në përballimin e një sfide të re të një roli impenjativ, dy janë reagimet me të cilat artisti teston suksesin apo dështimin. I pari mbërrin menjëherë me pritjen që bën publiku në sallë. Ndërsa i dyti ai që vjen fill nga shtypi i specializuar në kritikën muzikore. Këto dy tregues kanë qenë entuziastë, prandaj ndjehem shumë i lumtur.  Më ka gëzuar jashtë mase edhe mesazhi i urimit të artistes së madhe, Inva Mula. Njëkohësisht edhe afërsia shpirtërore e një njeriu që e kam mjaft për zemër e që më ndjek me
një dashuri vëllazërore në çdo hap që unë hedh, sopranoja e mrekullueshme Ermonela Jaho. Një falënderim i veçantë edhe për kolegun Josif Gjipali. Mendoj se i rrethuar nga dashamirësia e artistëve të tillë, bëhem më i pasur e më i fortë për të kërkuar më të mirën për të ardhmen time profesionale.
 
 -A është një hap tjetër ky në karrierën artistike?
-Çdo sukses është një gur i fortë për karrierën artistike. Ky i fundit më hapi dyert e Teatrit në qytetin e dytë të Francës, e po ashtu edhe rrugën drejt debutimit në Teatrot e Tuluzës dhe Parisit. 
 
 -Është hera e parë në Francë, në mos gaboj. Sa është zgjeruar gjeografia e veprimtarisë artistike?
-Jo, kam debutuar në Festivalin e radio Francë, me operan “Zaira” të Bellinit. Më pas kam qenë protagonist në Teatrin e Monpeliesë me oreran “Semiramide”, “Don Carlo” në Tuluzë dhe “Eliksir dashurie” në në Massy-Paris Sud. Pra është një karrierë e afirmuar tashmë. Në këtë fazë unë synoj më shumë kualitetin dhe rritjen artistike, se sa ekspansionin e pambështetur në kapacitetet e mia reale. Pak kohë më parë refuzova debutimin në rolin e Scarpias në operan “Toska” në Gjermani, e po ashtu edhe ftesën nga Shangai për Gerardin në operan “Andrea Chenier”. Janë dy role të papërshtatshmë për moshën dhe pjekurinë. Besoj se në një të nesërme të afërt do ti përballoj me koshiencë
më të plotë artistike.
 
-Cila do të jetë sfida e radhës?
-Opera “Maria Stuarda” për Fondacionin “Arena di Verona”. Provat fillojnë në mars dhe jam i lumtur që do të jem përkrah sopranos legjendare italiane, Mariella Devia, që konsiderohet mbretëresha e gjallë e Bel kantos.
Më pas dhjetëra kontrata e projekte, që datojnë deri në vitin 2017, mes të cilave edhe privilegji i pjesëmarrjes si Guest Star në Staatstheatre të Shtutgartit për tre vjet radhazi.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane