Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka dërguar ditën e sotme një emisar tek një ish-komandant i UÇK-së duke i ofruar tendera dhe para, vetëm që të tërheqë fjalët e mira që ka thënë për kryedemokratin.

“Doni të dini diçka? Ta bëj një lajm të vogël sot? Sot ka çuar një personazh të Tiranës tek një nga ish komandantët e UCK-së dhe i ka  thënë Ed Rama të ka thënë hap gojën tender apo lekë, tërhiq disa fjalë që ke thënë të mira për Lul Bashën  që të vazhdojmë fushatën ndaj tij. Pra kjo është siç e kuptoni dhe ju me induktim, s’ka nevojë’ tha Basha për Syri.net

I pyetur se cili është ai, Lulzim Basha tha “S’kam ndërmend të ta them fare. E di shumë mirë personin që ka shkuar dhe personi që i ka kthyer fjalën dhe i ka thënë, se disa prej tyre nuk i njohin këta”.

Këto akuza të Bashës vijnë pas atyre i janë bërë vetë kryedemokratit nga i mbijetuari i masakrës së Krushës së Madhe, Melaim Bellanica se ka fshehur kasetën që ai vetë i kishte dorëzuar dhe deklaratave të kryeministrit Rama që të sqaronte rolin e tij kur ishte pjesë e UNMIK, edhe pse kryedemokrati i ka quajtur shpifje.