Basha: Mini-Shengen nuk mund të ketë duke përjashtuar Kosovën

Kryetari i opozitës Lulzim Basha në një intervistë për emisionin 'Pesë pyetje nga Babaramo' tha se marrëdhëniet me qeverisën e Kosovës do të jenë prioritare. Teksa u pyet për Mini-Shengenin, Basha tha se nuk mund të ketë një marrëveshje të tillë duke përjashtuar Kosovën.

Lulzim Basha: Unë mund të flas për raportet e Partisë Demokratike dhe të mijat dhe mund t’ju them që ne marrëdhëniet me Kosovën i konsiderojmë dhe kemi provuar që për ne janë prioritare. Qeveritë dhe parlamentin në Kosovë i zgjedh qytetari i Kosovës, i zgjedh populli i Kosovës. Pavarësish kush është në krye të vendit detyra e Shqipërisë është të jetë në mbështetje totale të republikës së Kosovës, të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të objektivave të saj, që janë vazhdimi i njohjes ndërkombëtare nga ato vende që  se kanë njohur akoma, anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare dhe lehtësimi i të gjitha pengesave që bëjnë të pamundur njëjtësimin midis Shqipërisë e Kosovës, në çdo fushë që ka të bëjë më ekonominë, ka të bëjë me kulturën, ka të bëjë me artin, me arsimin. Në çdo fushë të jetës. Dhe për këtë ne kemi qëndrime, objektiva dhe plane shumë të qarta.

Besoj, jam i bindur që me qeverinë e zotit Kurti ne do të punojmë ngushtësisht në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. Të rritjes ekonomike dhe të mirëqenies së tyre që është sfida e parë dhe kryesore. Por sigurisht do të jemi në mbështetje totale të institucioneve të Kosovës edhe për prioritetet që shpreha më parë. Dhe këtu do të ketë një kontrast po kaq të qartë, një ndryshim po kaq të qartë në atë që ka ndodhur 8 vite me rrallë ku politika kaotike dhe e dëmshme e kryeministrit në ikje vendosi një precedent të shëmtuar që nuk e kishim parë më parë. Se rreth disa pikave politika shqiptare është bashkuar gjithmonë dhe këtu patëm për herë të parë një dëmtim të interesit kombëtarë, një dëmtim të interesave të Kosovës për shkak të personalizimit dhe protagonizmit pa asnjë strategji, pa asnjë  plan deri në nivel të një sjellje vasale të kryeministrit në ikje. Me kryeministrin e ri të 25 prillit qeverinë time, Kosova e ka të garantuar shtetin shqiptarë ashtu siç i takon, në krah të saj dhe sfidave të saj të cilat do t’i kapërcejmë së bashku.

Ilir Babaramo: Një nga temat më të debatueshme mes Prishtinës dhe Tiranës gjatë viteve të fundit, 2-3 viteve të fundit ka qenë i ashtuquajturi minishengen. Ju ca qasje keni?

Lulzim Basha: Minishengeni është një projekt i cili në mënyrën si u prezantua dukej si një tekë e kryeministrit në ikje dhe e disa shokëve të tij për të mbuluar dështimet apo deficitet që kanë krijuar në raport me demokracinë, me të drejtat dhe liritë themelore, me lirinë e medias. Me dështimin për t’ju sjellë qytetarëve zhvillimin ekonomik që ai premtoi kur erdhi në pushtet në vitin 2013. Lëvizja e lirë është në themel të bashkëpunimit midis vendeve. Dhe lëvizja  e lirë në rajon është diçka të cilën unë personalisht e kam mbështetur edhe si pjesë e qeverisë së mëparshme. Mbaj mend në muajin e parë të shërbimit si ministër i brendshëm, kemi diskutuar që qytetarët e vendeve të Europës Juglindore të lëvizin vetëm me karta identiteti edhe të shkojmë drejt një reduktimi të barrierave. Por ndërkohë nuk duhet të harrojmë 3 gjëra në raport me të ashtuquajturin Minishengen. E para nuk mund të ketë proces të tillë duke përjashtuar Kosovën. Kjo është kategorike. Dhe nuk mund të fshihesh pas gishtit. Çfarë dua të them me këtë? Është imperative që dialogu Kosovë- Serbi të prodhojë rezultatin final që është njohja e ndërsjellët. Pa diskutim duhet ecur edhe në fushat e tjera dhe nuk duhet penguar asnjë fushë por ky duhet të jetë objektivi final dhe nuk mund as të riparohet, as të zëvendësohet, as të zbutet efekti jonormal që sjell kjo përzgjatje e procesit të njohjes së ndërsjellët që në fakt nuk bën gjë tjetër veçse e mban në radhë të parë Serbinë peng në raport me integrimin Europian dhe krijon tensione të pa nevojshme në rajon. Së dyti, duhet zbatim i plotë i proceseve të tjera siç është procesi i Berlinit, siç është EFTA. Dhe së treti dhe më madhorja, ne duhet të përgatisim vendet tona për anëtarësimin në Bashkimin Europian, për Shengen-in e vërtetë. Dhe kjo kërkon punë dhe reforma në vendet tona. Nuk i hedh dot hi syve as shqiptarëve, as qytetarëve të Kosovës, as qytetarëve të Shqipërisë, as qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, as qytetarëve të Serbisë me lojëra gjoja bashkëpunimi rajonal që përfundojnë me dreka, darka, e samite pa produkt. Qytetarët e Ballkanit meritojnë anëtarësim në Bashkimin Europian. Bashkimi Europian natyrisht e ka shtruar rrugën, e ka marrë vendimmarrjen politike por sigurisht ka kushte për tu përmbushur.

Tani duhet vullneti për ti përmbushur këto kushte në raport me demokracinë, në raport me ekonominë, në raport me gjithçka tjetër. Sepse një vend që nuk i funksionojnë institucionet demokratike, që nuk bën zgjedhje të lira, që nuk ka drejtësi të pavarur, që nuk ka institucione që i takojnë qytetarëve por i takojnë oligarkëve apo një grushti pushtetarësh nuk shkon dot në Europë. Një vend me rrogë 200 euro nuk shkon dot në Europë. Dhe janë dështimet në kryerjen e këtyre reformave që pastaj i shtyjnë liderët e dështuar siç është ky dështim 8 vjeçar këtu në Shqipëri të hidhen në aventura, të krijojnë fabula që siç thuhen ashtu harrohen. Sepse realisht asgjë s’ka ndodhur. 8 vjet asgjë s’ka ndodhur. Pra për ta prerë shkurt dhe qartë prioritet për ne do të jetë ecja përpara me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, një politikë rajonale e fqinjësisë së mirë dhe  e lehtësimit të çdo barriere por pa diskutim në qendër të kësaj politike do të jetë zgjidhja përfundimtare e  problemit të njohjes së ndërsjellët midis Kosovës dhe Serbisë e cila do të sjellë të mirat e saj në çdo rrafsh, përfshirë rrafshin ekonomik të integrimit europian për shqiptarët por edhe për serbët.


Lajmi kryesor:

Basha në '5 pyetjet': E kam treguar që PD-në e drejtoj unë! Nëse një zyrtar ka hedhur firmë që në gjykatë shpallet e padrejtë, do i konfiskohet pasuria


M.Q./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja