Pas takimit me zyrtarin e lartë të Bashkimit Evropian, Lulzim Basha ju drejtua shqiptarëve me një formulë të re për zgjidhjen e krizës politike, duke filluar nga anulimi i marrëveshjes më të madhe Rama-Berisha për sistemin zgjedhor.  

Për herë të parë të parë, Basha foli për ndryshimin e sistemit zgjedhor, drejt një formule që zbeh kompetencat e kryetarëve të partive.

Basha, dhe opozita në tërësi duket se kanë dy kushte për të hyrë në diskutime për ndryshime kushtetuese. Ata kërkojnë kryebashkiakë dhe ish ministra në burg.

"Kemi shprehur vendosmërinë tonë, që jo thjesht të largohet Rama, por të shembet ky sistem.

Ne na duhet, patjetër, të shembim këtë sistem, duke përfshirë këtu edhe disa probleme të lindura që në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese që zhbalancuan kontrollin dhe balancën e pushteteve, që me qëllimin e mirë për të larguar kandidatë për deputetë kriminelë nga zonat maxhoritare, përqendruan pushtet në duart e kryetarëve të partisë, të cilat pastaj çuan në vitin 2013 e 2017 në numrin më të lartë të kriminelëve në parlament, ndryshimin e sistemit zgjedhor, ndryshimin e sistemit kushtetues, forcimin e institucioneve që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja, forcimin e rolit të njerëzve, të qytetarëve, në raport me qeverisjen.

Pra, në këtë kuptim, jemi të angazhuar, si opozitë po konceptojmë, do të dialogojmë brenda opozitës dhe me qytetarët, hapat e metejshëm që do të hedhim.

Me pak fjalë, ne e konsiderojmë regjimin e Edi Ramës të mbaruar, një kufomë politike që pret të kallet.

Formula e zgjidhjes është kjo: regjimi i Edi Ramës ka mbaruar, shqiptarët e kanë përcaktuar rrugën në të cilën do të ecet dhe opozita ka për detyrë që këtë rrugë ta konkretizojë me vizion që edhe në Shqipëri të fillojnë të ndërtohen institucione, ato praktika ku rrespektohet dinjiteti i njeriut, ku nuk shkelen e të drejtave të njeriut, ku qeveria dhe parlamenti janë në krah të njerëzve dhe jo kundër njerëzve, kundër kriminelëve dhe jo në krah të kriminelëve. Për këtë, padyshim duhet një reformë e thellë kushtetuese, duhet një reformë e thellë elektorale, por, mbi të gjitha, duhet vullneti politik.

Tani te vullneti politik, meqë pyetët për formulën, hetimi i plotë i dosjes 339, hetimi i plotë i dosjes 184 dhe çuarja para përgjegjësisë penale e politikanëve që kanë vjedhur votat bashkë me krimin e organizuar, janë po aq të rëndësishme, mos të them më të rëndësishme se sa ndryshime në ligj që shkruhen dhe pastaj nuk zbatohen", tha Basha.