Bashkëshorti i saj investitor strategjik, Xhaçka rrëzon grupin e Berishës në Kuvend: Nuk ka përfituar asnjë qindarkë, asnjë metër pronë publike! Vetëm siguri juridike

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar pas akuzave të opozitës se bashkëshorti i saj i shpallur investitor strategjik nga qeveria, është në konflikt interesi. Sipas ministres bashkëshorti i saj nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga shteti, por vetëm siguri juridike.

“Bashkëshorti im ka zgjedhur që të merret me biznes, shumë më para se të hynte në politike, dhe jo kur unë u bëra deputet. Por plot 30 vite më parë. E ka nisur biznesin në Itali dhe pas 30 vitesh është angazhuar me të gjitha vështirësitë dhe risqet të bëjë një biznes që të ndërtojë një hotel në jug. Ky investim është një investim tërësisht privat, blerë nga pronarë privat me investitor privat dhe nuk është përfituar asnjë pronë publike. Si investitor strategjik nuk ka përfituar asgjë përveçse sigurisë juridike për të pasur përparësi në lidhje me vendosjen e shezloneve para hotelit. Një kontratë të cilën e ka bërë me bashkinë dhe do ta marrë njësor si mijëra subjekte të tjera që shërbejnë nga Velipoja në Ksamil. Këtë të drejtë do të kishte edhe nëse nuk do të kishte statusin e investitorit strategjik. Po investon miliona, do të punësojë qytetarë dhe ka përfituar të drejtë të vendose shezlong në plazh. Përfitues i bregdetit quhet çdo qytetar dhe në këtë rast janë klientët e hotelit”, tha Xhaçka.

Deputeti demokrat Agron Shehaj kishte thirrur në interpelancë sot Kryeministrin për këtë ccështje. Ai tha se Shqipëria është një vend i korruptuar dhe ka një nen kushtetuta që ministrat të mos fusin duar në pronat publike.

Fjala e plotë e ministres Xhaçka

U bë një kohë shumë e gjatë që kjo çështje ngrihet nga deputeti Shehaj, herë si deputet i PD së bashkuar, e herë si deputet i gjysma PD-së ku bën sot pjesë, por nuk e kisha besuar kurrë që kjo furtunë e radhës në gotë do të arrinte një ditë të meritonte kaq shumë vëmendje. Dhe më vjen keq për kolegun që është marrë me këtë punë shumë gjatë, që do t’i jap një përgjigje shumë të shkurtër sepse sinqerisht kjo është një çështje për të cilën s’ke çfarë thua më gjatë.

Përgjigja e shkurtër është që jo, nuk kam shkelur asnjë ligj as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as kryeministri e askush. Nuk jam në konflikt interesi as unë e askush. Këtë e dinë mirë edhe kolegët e opozitës, edhe kolegu që i ka hipur kësaj furtune në gotë si ta kishte kalë beteje. Ose nëse nuk e dinë, do të bënin mirë të merrnin një jurist t’ua shpjegonte sepse është turp të jesh në këtë parlament, të pretendosh që përfaqëson interesat e një pjese të elektoratit e të bësh oponencën e qeverisë, e të mos kuptosh as ligjet për të cilat flet.

Që unë nuk jam në konflikt interesi, këtë nuk e them vetëm unë sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala e deputetit Shehaj përballë fjalës time. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë ILDKPI. Dhe një përfaqësues serioz i popullit e aq më shumë një parti në këtë kuvend minimumi duhet të kishte bërë detyrat e shtëpisë përpara se t’ju merrte qytetarëve, por edhe kolegëve kohën e vëmendjen. Dhe për të bërë detyrat e shtëpisë do t’i mjaftonte të kërkonte në arkivat e partisë së tij, për raste të ngjashme kur të tjerë përpara tij kanë ngritur furtuna në gotë për të cilat ka folur Gjykata Kushtetuese e cila në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo ministrave të merren me biznes.

Im shoq merret me biznes që në vitin 1991. Edhe im shoq, si z. Shehaj e ka nisur biznesin si emigrant në Itali, për ta vazhduar më pas në Shqipëri. Dhe pas 30 vitesh në biznes, është angazhuar sot për të bërë një investim serioz, një hotel me 5 yje në Jug.

Tani, qytetarët kur dëgjojnë z. Shehaj që ulërit për statusin e investitorit strategjik, e konfliktin e interesit apo përfitime abuzive nga publikja natyrshëm ju lind e drejta të mendojnë që këtu po bëhet nami. Që këtu po falen prona e fonde e po shkelet ligji e kushedi çfarë tjetër.

Por në fakt, ky investim është një investim privat, në një truall privat, nga investitor privat. Nuk është përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe asnjë metër truall pronë publike për ndërtimin e këtij hoteli me 5 yje. Çdo qindarkë e këtij investimi është produkt i punës 30 vjeçare si një biznesmen i suksesshëm të papërfshirë në tendera apo prokurime apo asgjë tjetër që ka të bëjë me përfitimin e fondeve publike!

E dini se çfarë ka përfituar konkretisht? Se jam e sigurt që nuk e dinë as shumë nga kolegët e PD. Si investitor strategjik, ka fituar të drejtën për të pasur prioritet në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për marrjen me qira të plazhit përpara hotelit. Një kontratë me kohëzgjatje 1 vjeçare, që duhet rinovuar çdo vit pranë bashkisë, dhe që do ta marrë njësoj si plot 1463 subjekte të tjera që shërbejnë në industrinë e turizmit nga Velipoja deri në Ksamil, me të njëjtat tarifa si të 1463 subjektet e tjera.

Me pak fjalë, si investitor strategjik, që po investon miliona, që do të punësojë me dhjetëra punonjës, që do të sjellë turistë e do të prodhojë ekonomi e të ardhura për atë zonë e më gjerë, ka përfituar të drejtën të vërë shezllonet në plazh.

Ka përfituar të drejtën, sigurinë juridike, që në plazhin përpara hotelit me 5 yje, për të cilin do të duhet të lidhë kontratë qiraje çdo vit, të paguajë tarifa çdo vit, dhe të cilën do t’ua vërë në dispozicion klientëve pa tarifë, siç ndodh në të gjithë botën, nuk do të mbijë ndonjë diskotekë a beach bar i radhës, nuk do të zhvendoset ndonjë i fortë i zonës dhe nuk do të ndodhin ato abuzime sporadike që ndodhin me administratorët lokalë që i lidhin kontratat e qirave edhe sipas qejfit, duke shkaktuar edhe konflikte siç kemi parë shpesh.

Kaq është përfitimi i këtij investimi strategjik, të cilit këtë të drejtë ia njeh ligji, qëllimi i të cilit është pikërisht që të nxisë investimet strategjike, të nxisë bizneset e investitorët vendas e të huaj, që energjitë, kursimet, fondet e tyre t’i çojnë drejt një sektori primar për ekonominë e vendit dhe të ndërtojnë aty investime që prodhojnë ekonomi, e punësim.

Dhe sidomos në një sektor aq të vështirë e sfidues sa turizmi – ku padyshim që do të kishte qenë shumë e lehtë që në atë pronë private të ndërtohej për të shitur duke shkuar për një fitim të shpejtë, në vend të një sfide siç është hoteleria që kërkon menaxhim e punë të jashtëzakonshme, ku ekspozimi financiar është më i madh, ku ekspozimi ndaj luhatjeve të ekonomisë apo edhe zhvillimeve politike, gjeopolitike e deri tek pandemitë, është shumë më i madh – sidomos aty lind nevoja për të përdorur mekanizma që garantojnë që më së paku investimi nuk do të të shkojë dëm sepse s’ke akses në plazh apo sepse s’ke ku vë shezllonët.

Quhen investime strategjike sepse kanë një vlerë strategjike. Sepse duke investuar aty, këto biznese, këto dhjetëra biznese që e kanë përfituar këtë status, janë duke e stimuluar këtë sektor e duke tërhequr investimi investimin e duke krijuar kapacitetet për shpërthimin e jashtëzakonshëm që ka njohur sektori i turizmit në këto vite. Një shpërthim nga i cili përfiton i gjithë vendi.

Dhe të hedhësh baltë mbi këtë, e të ngresh një furtunë mbi këtë, për faktin nëse një investim serioz me 5 yje fiton të drejtën që të marrë me qira e të vërë shezllonet në plazhin përpara hotelit, kjo është qesharake. Nuk ka asnjë favor. Nuk ka asnjë konflikt interesi, asnjë papajtueshmëri kushtetuese. Dhe nuk e di se çfarë të mendoj, nëse e gjithë kjo është produkt i injorancës, apo i dashakeqësisë. Besoj se është kjo e fundit, sepse duhet vërtet një injorancë monumentale mbi ligjin për të besuar vërtet këto akuza që keni kaq kohë që i përtypni si arrat.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Red&black: 23/06/2022 20:44

    Sulmohet XHAÇKA (pikerisht ne kohen qe Shqiperia eshte presidente ne keshillin e sigurise ne OKB dhe qe debaton ashper me ambasadorin rus) SALA dhe ai tjetri 155 cm i hoqën me ne fund maskat..."u aktivizuan"

    Përgjigju
  • Shqip: 23/06/2022 18:24

    Kto e kapin emigrantin ne kufi me 12000 eur e thojne pastrim parash. Kjo burrin emigrant investitor strategjik mbi 30 miljon eur. Hajde fol po deshe. Kto te rrahin e ste lajne me qa.

    Përgjigju
  • herion: 23/06/2022 16:02

    deri dje yt shoq perfitoi pagen e luftes tani na del investitor me 5.5 mln euro meqe thua qe ka marre toke private na trego historikun e prones dhe nese ka qene vertet toke private pse duhet te marre statusin e investitorit strategjik se se kuptoj se skane lidhje pasi ai status perfitohet kur merr toke shteterore ........shume gjera nuk qendrojne moj zonje ,e zeza nuk behet dot e bardhe ....

    Përgjigju
  • kaltra: 23/06/2022 14:27

    Kjo ministrja na e mbushi mendjen se i shoqi i ka lekë të pastra emigrimi ...për budallenj na dini ..edhe ne në emigrim i kemi pasur dhe i kemi njerëzit tanë,por ndryshe nga yt shoq moj zonjë që ka bërë para për një resort ...ata mezi kanë mundur të blejnë një shtëpi modeste jo vilë e resorte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ndarja e re territoriale, sipas jush duhet të ketë më shumë apo më pak se 61 bashki?



×

Lajmi i fundit

John

Finlanda dhe Suedia drejt NATO, PS kërkon në Kuvend procedurë të përshpejtuar të ratifikimit të Protokolleve të anëtarësimit