Erjon Veliaj, kryetari i zgjedhur i Tiranës ndodhet në paraburgim prej 18 muajsh, dhe detyrën mund ta ushtrojë vetëm në letra. Bashkia më e madhe në vend, sot nuk e ka një drejtues të deleguar që të qëndrojë në krye të punëve.
Nënkryetarja Anuela Ristani, që deri dje ushtronte kompetencat e kryetares, u shkarkua të premten nga Veliaj i cili firmosi nga ambientet e paraburgimit të Durrësit. Kryebashkiaku argumentoi se Ristani ka refuzuar të zbatojë urdhrat e tij, duke pamundësuar rrjedhimisht ushtrimin e detyrës së tij si i zgjedhur drejtpërdrejtë nga vullneti i popullit.
Një ditë nga ky urdhër, nuk ka ende sinjal, nëse Veliaj do t’ia delegojë kompetencat e tij ndonjërit prej 4 nënkryetarëve të tjerë. Me bashkinë më të madhe në vend, pa një drejtues në detyrë, Report Tv mori një qëndrim të kryeministrit Edi Rama, përmes zëdhënëses Manjola Hasa.
Për kryeministrin, ushtrimi i mandatit të Veliajt është jo vetëm e drejtë e tij e njohur nga Gjykata Kushtetuese, por edhe e zgjedhësve, të cilët cenohen nga marrja e shërbimeve. Në përgjigjen dhënë Report Tv, Kryeministria thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk lë asnjë hapësirë për interpretim: Veliaj është kryetari i Bashkisë së Tiranës.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë. Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush", thuhet në reagimin për Report Tv.
Në reagim, theksohet se situata e krijuar në Tiranë, është pasojë e burgosjes së Veliajt. Mbylljen në qeli të kryebashkiakut Veliaj dhe ushtrimin e detyrës së kryetarit të Tiranës përmes vartësve në distancë, Kryeministria e cilëson një absurd ligjor që në Europën demokratike as që mund të imagjinohet.
“Situata e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë – një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë”, thuhet në reagim.
Këtë të shtunë, kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim informal në periferi të Tiranës, edhe drejtuesit politik të kryeqytetit së bashku me deputetët e zonës.
Mbledhja e mbyllur për mediat, raportohet se nuk pati në qendër situatën me bashkinë e Tiranës, por u fokusua te dokumentet “Besa” dhe “Prania” Besnike, strategjia e re e socialistëve për të qëndruar afër qytetarëve.
Kryeministri u ka kërkuar të deleguarve politikë në qarqe të jenë në krye të këtij procesi dhe të dalin më shumë në zonat e tyre elektorale.
Drejtuesit politikë, së bashku me strukturat e PS-së në qarqe, deputetët dhe kryetarët e bashkive, do të hartojnë një axhendë për takimet me qytetarët për të evidentuar problematikat apo shqetësimet e tyre, jo vetëm individuale, por edhe të karakterit komunitar: rrugë, mbetje apo investime.
Reagimi i plotë Kryeministrisë për Report Tv
Për këtë çështje ka folur Gjykata Kushtetuese dhe vendimi i saj është i qartë: Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimi i mandatit nga ana e vet, nuk është një e drejtë thjesht e tij si i zgjedhur, po është një e drejtë e zgjedhësve të kryeqytetit, e cila cënohet përditë me pasoja jo të papërfillshme në mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve të Bashkisë Tiranë.
Ky është opinioni i kryeministrit dhe kjo është një çështje e respektimit të Kushtetutës e të vullnetit të zgjedhësve, tek e cila kryeministri nuk sheh hapësirë për interpretime nga askush.
Sa për “situatën e krijuar” në Bashkinë e Tiranës, ajo është pjesë e konfuzionit që ka krijuar në ecurinë e kryeqytetit të Shqipërisë kyçja e të zgjedhurit në qeli, e cila ka imponuar një qeverisje të Tiranës me vartës në distancë - një absurd “ligjor” që në Europën demokratike as nuk mund të imagjinohet, e jo më të ndodhë.









Komente
Komento