COELA, Grupi i Punës për Zgjerimin dhe vendet që negociojnë anëtarësimin në BE, mblidhet sot në orën 10.00 në Bruksel, ku do të diskutohet edhe për ecurinë e Shqipërisë. Në rend dite sot do të diskutohet për Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. 

Diskutimet e vendeve anëtare, të përfaqësuara në Grupin e punës për Zgjerimin, COELA, janë përqëndruar në hartimin e qëndrimit të Përbashkët të ndërmjetëm, i cili do të përcaktojë piketat e reja për fazën përmbyllëse të procesit të bisedimeve. Javën e shkuar më 12 maj, u zhvillua takimi i radhës. 

Për Shqipërinë sot mund të ketë shkëmbim opinionesh dhe diskutim mes delegacioneve të vendeve anëtare, ndërsa, burime nga Këshilli i BE-së, i thanë eksluzivisht një ditë më parë Report Tv, se pas diskutimeve 2 mujore në Bruksel, ka optimizëm se së shpejti vendet anëtare do të arrijnë konsensusin mes tyre, duke i hapur rrugë fazës së mbylljes së kapitujve negociues, pasi përfaqësuesit e 27 vendeve anëtare në Këshill, kanë bërë përparim të mirë në diskutimet për ecurinë e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim.

Që nga muaji mars, kur u zhvillua dhe mbledhja e parë e Coela-s për Shqipërinë, ka patur disa takime të tilla mes vendeve anëtare dhe Komisionit europian. Një proces i cili zgjoi në Shqipëri dilema dhe hamendësime, sidomos nga opozita, për ngecje apo deri dhe ngrirje të procesit të anëtarësimit, kryesisht lidhur me refuzimin e SPAK për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Por, për Report Tv, Këshilli shpjegoi se bëhet fjalë për diskutime jo të lehta, e që duan kohën e tyre.

Shqipëria hapi në një kohë rekord të gjithë grupkapitujt e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian. Miratimi i IBAR-it është pengesa e fundit për t’u kapërcyer, në mënyrë që procesi i negociatave të hyjë në fazën e mbylljes së grupkapitujve.