"Evropa është këtu'. Kjo është nisma më kuptimplotë e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri për ta realizuar ëndrrën europiane këtu, në Shqipëri, duke pasur parasysh edhe plagën e madhe të shoqërisë shqiptare, emigracioni. Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare e shikon një të ardhme më të mirë vetëm jashtë kufijve të vendit sot.
Megjithatë Bashkimi Europian, në kuadër edhe të kësaj nisme, jep mbështetje konkrete për projektet ambicioze jo vetëm të të rinjve, për të ndërtuar në Shqipëri sipërmarrje të suksesshme. Përmes programit 'EU4Innovation' jepet mbështetje e madhe konkrete në drejtim të forcimit të kapaciteteve financiare dhe menaxheriale për shumë e shumë sipërmarrje në vend.
Në një udhëtim të zhvilluar me gazetarë në zonën e Shkodrës ku u vizituan disa sipërmarrje model, të mbështetura nga Bashkimi Europian dhe ambasada suedeze në vend, Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri Hubert Perr dha lajmin e mirë se BE do ta vazhdojë mbështetjen ndaj nismave të tilla me potencial madhor. Ai tha se aplikimet do të vazhdojnë.
“Ne pamë nisma fantastike me potencial të madh sot dhe BE-ja, së bashku me Gjermaninë dhe Suedinë, janë shumë krenare që mbështesin këto nisma që krijojnë vende pune, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë. Ne duam t'i mbështesim ato me ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetje financiare me anë të granteve. Bazuar në suksesin e deritanishëm të programit “EU for Innovation”, jam i lumtur të njoftoj se po diskutojmë me partnerët tanë për të pasur një vazhdimësi të programit, pasi ka shumë sipërmarrje të tjera të reja në Shqipëri që kanë nevojë për mbështetjen tonë”, tha Hubert Perr.
Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri Hubert Perr
Ferma Sociale, mbështetje shtresave në nevojë
Është e mrekullueshme eksperienca në një fermë në Shkodër. Ajo nuk është thjesht një fermë dhe bujtinë ekologjike, por misioni që i kanë vënë vetes është fisnik, si një mbështetës i grupeve në nevojë. Falë programit "EU4innovation" përmes një organizate fermës i është ofruar konsulencë për teknologjinë e pastër, trajnime për kuzhinën dhe cilësinë e shërbimit si dhe mentorim për të kapërcyer krizën e shkaktuar nga koronavirusi që i ka vënë shumë në vështirësi. Kjo fermë mbështet një grup njerëzit me aftësi të kufizuara, të cilët kanë edhe një grup të jashtëzakonshëm muzikor, që të mahnisnin me talentin e tyre.
Grupi muzikor i personave me aftësi të kufizuara në Shkodër
La universitetin për të rritur bletët
"Kur mora vesh për hapjen e aplikime për këtë program, më thanë që një prej kushteve ishte të mos isha student. E lashë universitetin". Rinaldo la shkollën, ku studionte për Teknologjinë e Informacionit për të rritet bletë në vendlindjen e tij, me mbështetjen e Bashkimit Europian.
Ai e filloi në vitin 2018 me 3 koshere bletësh dhe falë mbështetjes së BE-së, tani ka arritur në 60 koshere. Ai prodhon mjaltë me cilësi të lartë përmes metodave tradicionale dhe novatore të vjeljes dhe bletarisë, dhe duke e bërë këtë mbështet biodiversitetin
I riu që la universitetin për të rritur bletët
Të tilla sipërmarrje janë me dhjetëra në të gjitha Shqipërinë, që me një dorë të vogël nga Bashkimi Europian dhe vende anëtare si Gjermania, Suedia etj, ecin duke u bërë shembull për të gjithë të rinjtë shqiptarë, dhe jo vetëm.