TIRANË- Ish-numri dy i qeverisë, Belinda Balluku i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë dhe i kërkon heqjen e masës së pezullimit nga detyra, të vendosur me kërkesë të SPAK nga GJKKO në nëntor të vitit 2025, por të lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit. Rekursi i Ballukut u depozitua sot dhe mbi këtë kërkesë pritet të shprehet Gjykata e Lartë.
Në tetor 2025, Balluku u mor pandehur për shkelje të barazisë me tenderin e Tunelit të Llogarasë. Ndërsa në nëntor 2025, Balluku u mor person nën hetim edhe për shkeljet për 7 lotet e Unazës së Madhe ndërsa iu komunikua edhe masa e marrë nga GJKKO për ta pezulluar nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.
Kjo masë është ende në fuqi, ndonëse kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra në shkurt 2026, para se të zbardhej vendimi i Kushtetueses që la në fuqi pezullimin e saj.
Ndaj Ballukut, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi edhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Ish-zv/kryeministrja, kishte kërkuar heqjen e kësaj mase por Gjykata e Lartë ia rrëzoi rekursin.
Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë, është person nën hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe, si edhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











