ERSEKË, Kolonjë - Futboll luhet edhe në Kategorinë e Tretë. Në stadiumin "Gramozi" të Ersekës, vendasit e Gramozit fituan 4-1 kundër Bylis U-21 për raundin e gjashtë të sezonit.
Përtej fitores së vendasve bie në sy se kryesori i ndeshjes Ervin Kotemelo nxori 18 herë kartonin e verdhë. Gjithçka nisi në pjesën e dytë, me vendasit që kryesonin 2-0.
Në këtë moment skuadra mike si për çudi u tërhoq nga fusha dhe braktisi ndeshjen duke shkuar për afro 20 minuta në dhomat e zhveshjes. Me bisedimet që vijuan për kthimin e tyre në fushë, vendasit qëndruan në tapetin e gjelbër dhe pritën kundërshtarët.
Bylis U-21 u bind për të vijuar ndeshjen, por pa 11 kartona të verdhë për lojtarët që dolën nga fusha. Ndërkohë që Maçoli dhe Treni e kishin të verdhin e dytë dhe lanë fushën e lojës.
Në minutat e mbetura u shënuan edhe tre gola të tjerë, ndërkohë që çuditi fakti i ndëshkimit të gjithë ekipit mik me karton të verdhë.