Ben Andoni: Sfida e politikës në Shqipëri! Të mobilizosh të shkurajuarit

Ben Andoni: Sfida e politikës në Shqipëri! Të mobilizosh të shkurajuarit

Kuvendi i Shqipërisë

Shprehja “të mobilizosh votuesit e de-mobilizuar” i përket Richard Rose një studiuesi të politikës dhe pak a shumë reflekton sot gjendjen e partive politike të Lindjes në Evropë. Shqipëria nuk bën më përjashtim dhe sfida është mobilizimi i një grupi shumë të madh votuesish që sot e kanë braktisur hapur pjesëmarrjen në votime. E para se: partitë ekzistuese në Shqipëri, ku PS-ja dhe PD-ja të cilat mbajnë peshën kryesore nuk i përfaqësojnë më, por e dyta nga mungesa e qasjes së këtyre partive në terren, bash atë që plotëson angazhimin e tyre direkt me premtimet.

Në Shqipëri, pas një niveli pjesëmarrjeje mbi 50% të votuesve në 2013, ku krahu i Majtë i politikës nënshkroi fitoren e vet, 4 vite më vonë shikohet një rënie e pjesëmarrjes me 7% më pak. Pjesëmarrja në votime si përqindje e popullsisë në moshë për të votuar në Ballkanin Perëndimor ishte te një mesatare prej 54% në zgjedhjet e dhjetëvjeçarit të fundit. Ndonëse pjesëmarrja ishte më e ulët në krahasim me zgjedhjet e tjera të fundit në Shqipëri, ajo mban vendin e dytë për pjesëmarrje të ulët të votuesve në mesin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (6BP) në raport me popullsinë në moshë votimit në këto vende. Vetëm Mali i Zi, Maqedonia Veriore dhe Serbia kishin përqindje më të larta të pjesëmarrjes, mbi gjysmën e popullsisë në moshë votimi. Vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor janë nën 50% të pjesëmarrjes, citohet artikulli me titull “Pjesëmarrja në votime në vendet e Ballkanit Perëndimor në 10 vitet e fundit”, botuar nga “ALTAX”. Një vit më parë kjo përqindje shkoi në 46.29 % (2009-48%, 2013-53%, 2017-46% respektivisht).

Po pse ndodh kjo?! A lidhet pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje me mënyrën sesi performojnë partitë politike në mandatet e tyre drejtuese? Pa asnjë mëdyshje, rasti i PD-së dhe i gjithë zgjedhësve të saj ishte shumë i dukshëm në zgjedhjet e fundit, ku publiku me indiferencën i tregoi sesa i pamëshirë është me ata që e përqeshin idealin e ideologjisë dhe frymën. Arsyet për lidhjet e dobëta mes partive dhe shoqërisë sot përmbajnë shumë ide. Njëra lidhet me të shkuarën komuniste , ku ndarjet sociale ishin realisht të padukshme. “Mjafton të thuhet se nivelet relativisht të larta të zhvillimit të sotëm socio-ekonomik, së bashku me trashëgiminë e mobilizimit të detyruar dhe të gjerë nën regjimin komunist, kanë krijuar një strukturë shoqërore të individualizuar në të cilën qytetarët kanë më pak gjasa të identifikohen ngushtë me simbolet partiake dhe ideologjitë e tyre, dhe me të vërtetë më pak gjasa për t’u përfshirë në forma konvencionale të politikës. Ndarjet tradicionale, në kuptimin e ndarjeve të forta sociale ekzistuese, identiteteve kolektive të përhapura dhe rrjeteve të zgjeruara organizative, janë zhdukur praktikisht nën regjimin komunist”, shprehet Petr Kopecký te  “Political parties and the state in post-communist Europe: The nature of symbiosis” (“Partitë politike dhe shteti në Evropën postkomuniste: Natyra e simbiozës”).

Një përballje interesante është mënyra sesi mund të mobilizohet sot publiku, ku Partia Socialiste e tregoi përmes sistemit të vëzhgimit të patronazhistëve, që mundohej të kontrollonte çdo qelizë dhe madje e mbron këtë sistem me të gjitha forcat, duke ua atribuuar me krenari fitoren!! Por, fatkeqësisht dhe në këtë parregullsi, u pa se realiteti ishte krejt ndryshe nga referimet e tyre. Kjo e bën diferencën e kryetarëve me pjesën tjetër të partisë gati humnerike. Kjo sepse referimet për terrenin në parti bëhen thjesht që të kënaqet lideri, kurse e dyta shkon më shumë për atë pjesë militantësh që janë pjesëmarrës të votimeve, falë angazhimit dhe interesave të tyre në parti. Pjesa më e madhe e publikur e shikon indiferente këtë zhvillim.  PD-ja po e vuan si ascili dhe tani po merr rrugën e pakthim drejt një ndarje logjike, kurse PS-ja pret zhvillimet e të ardhmes, të cilat nuk parathonë më mirë.

Zbritjet e sforcuara të ish-kryetarit të PD-së Basha dhe ekskursionet e zhurmshme të Ramës në terren dhe uljet e tipit gju-më-gju të tij jo vetëm nuk tregojnë vizion, por indirekt po tregojnë se propaganda është tejet larg realitetit. Berisha, që “u ringjit” drejt kreut të PD-së më shumë u mor me kultin e vet duke dëgjuar shfrimet e militantëve të tij sesa paraqiti udhë ndryshimi.

Partitë tashmë këtë humbje të lidhjes me publikun e kanë zëvendësuar me prekjen e pushtetit dhe shtetit në çdo qelizë. Lidhjet e forta të partive me shtetin janë jo thjesht pasojë por edhe një shkak real i pranisë së tyre të dobët në terren. “Është pasojë sepse partitë kanë nevojë për shtetin për burime materiale në mungesë të lëshimit të rrënjëve të forta në shoqërinë e gjerë, dhe është shkak sepse, pasi të kenë në zotërim burimet shtetërore, partitë janë dukshëm më pak të detyruara të angazhohen në strategjitë e ndërtimit të partive, bazuar mbi mobilizimin popullor dhe zhvillimin e gjerë organizativ”, citohet studiuesi Kopecký në shkrimin e mësipërm.

Dhe interesante është konstatimi, që shkon shumë edhe me realitetin shqiptar, ku partitë e reja janë mbytur që në djep sepse nuk përshkojnë rrugën reale të zhvillimit. Janë shfrytëzuar fillimisht të pakënaqurit e partive, që kanë nisur iniciativa, duke shfrytëzuar kohën e mbetur në parlament, kurse nuk kanë zbritur si duhet në terren për të përçuar fjalën e tyre, por kanë shkuar direkt te individë në poste publike ose personazhe të njohur, sesa janë përpjekur realisht të krijojnë parti të vërtetë nga terreni. Me sa duket, si shkak i dembelisë politike por edhe përpjekjes së kohës për të fituar me mundimin më pak të vogël sa më shumë mundësi për të qeverisur sepse “zyrat publike janë të pajisura me njerëz që jetojnë nga politika sesa për politikën” (Ibid). Në fakt, kësaj i shtohet një prirje e madhe në ditët tona, që i lidh shumë nga kryetarët e partive të vogla me të vetmin profesion, që dinë të bëjnë dhe ai lidhet me këtë lloj qeverisje politike, ku partia konsiderohet si OJF private. Rastet e partive të vogla që drejtohen respektivisht nga Mediu (Partia Republikane ishte dikur me peshë); Shehi, Dule, Ndoka, Milo, Doshi ku mungon pothuajse krejtësisht transparenca dhe rotacioni politik por edhe atyre të reja, si Aleanca “Kuq e zi” e Spahiut, “Libra” e Blushit, “Thurrje” dhe një sërë të tjera që humbën që në zgjedhjet e para por nuk vazhduan më idealin e tyre duke treguar se ato identifikoheshin thjesht e vetëm me krijuesit e tyre.

Duket se tendenca për të modifikuar çdo gjë e bashkon trendin ku: “partitë në vendet postkomuniste kanë qenë në një pozicion unik dhe të fortë për të përcaktuar rregullat e lojës në mënyrë që t’i përshtaten qëllimeve të tyre private. Në të vërtetë, mund të argumentohet se partitë në demokracitë e reja të Evropës Lindore kanë shumë më tepër ndikim në përcaktimin e mjedisit të tyre sesa partitë në demokracitë e krijuara bashkëkohore”, citohet studimi i mëparshëm. Dhe, realiteti është se partitë mundohen ta kapin me çdo mënyrë shtetin, që në fakt ia kanë dobësuar besueshmërinë e institucioneve, sepse është mënyra e vetme sesi të rehatojnë militantët por edhe të kontrollojnë jetën e brendshme të një vendi. Ata, që nuk e gjejnë vendin e kanë një portë dhe ajo quhet largim, kurse e dyta është më e lehta, braktisja e votimeve. Publiku shqiptar ia ka treguar hapur përballjen politikës, paçka se Mopasan ia përplaste hidhur edhe vetë atij: “Ju keni një ushtri mediokritetesh të ndjekur nga moria e budallenjve. Meqenëse mediokritetet dhe budallenjtë përbëjnë gjithmonë shumicën e madhe, është e pamundur që ata të zgjedhin një qeveri inteligjente”, shkruan ai tek “Les dimanches d’un borgeois de Paris, et autres aventures parisiennes”.

Por kjo nuk shkon te veshët e Ramës dhe ambicia e pafre e Berishës, ata jetojnë me mediokritetin dhe e ushqejnë atë, për interes të tyre, pa ditur askurrë që të mobilizojnë të shkurajuarit (de-mobilizuar)…që po bëhen tashmë armatë dhe jo vetëm tek ne, duke na bërë që të drejtohemi nga njerëz që i zgjedhin vetëm ose më pak se gjysma e njerëzve. (Homo Albanicus)

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë