Beqaj: Administrim më efikas i
shëndetësisë publike me DRG

Beqaj: Administrim më efikas i<br />shëndetësisë publike me DRG
Ministria e Shëndetësisë, Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Rajoni i Toskanës, Itali, organizuan në Tiranë konferencën me temë “Implementimi i DRG në Shqipëri: Çështjet dhe Zhvillimet e fundit”. Konferenca u mbajt në kuadër të projektit, “Futja e sistemit informativ shëndetësor: Një qasje moderne për transparencën dhe llogaridhënien në Shëndetin Publik shqiptar”.
 
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, si dhe drejtues dhe profesionistë të shëndetësisë në vendin tonë.
 
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Ambasatori Cutillo u shpreh midis të tjerash se “ky projekt ishte një mundësi e mirë për të mbështetur një histori të partneritetit të suksesshëm me Rajonin e Toskanës, i cili është një nga shembujt e shkëlqyer të përvojës më të mirë italiane në fushën e shëndetit publik dhe organizimit efikas të shërbimeve shëndetësore në territorin.”

Po ashtu, u shpreh më tej ai, “Analiza e kostove sipas DRG-ve ka një potencial veçanërisht të madh për përsosjen e shërbimeve spitalore, duke mundësuar maksimizimin e produktivitetit të shërbimeve shëndetësore, përmes futjes së një sistemi të ri të Informimit Shëndetësor, në bazë të një programimi më efektiv të shpenzimeve shëndetësore të spitaleve."
 
Në fjalën e tij, Beqaj, shprehu falënderimet për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, duke sjellë në vëmendje se, edhe gjatë periudhës që ai është në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, bashkëpunimi ka qenë i ngushtë dhe i frytshëm, sepse njëherësh ka ekzistuar pesë projekte.
 
“Ky i sotmi është një moment i rëndësishëm i përmbylljes së një hapi, por që në fakt, është vetëm hapi i parë. Sepse, në fakt, ajo çfarë na pret më tej, ajo është sfida më e madhe! Është sesi do të jemi në gjendje që të zbatojmë këtë mënyrë, e cila pazgjidhshmërisht ka dhe dy elementë të tjerë shumë të rëndësishëm, mënyrën e financimit sipas kësaj mënyre pagese, dhe padyshim, mënyrën ndryshe të menaxhimit të spitaleve”, u shpreh Beqaj.
 
Kreu i Shëndetësisë bëri të ditur se hapat e parë të fillimit të financimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me paketat shëndetësore kanë nisur që në vitin 2014, duke sjellë në vëmendje, se janë miratuar 10 paketa të tilla.

“Hapat e parë të fillimit të financimit me paketa, i kemi filluar që në 2014-ën. Zgjodhëm atëherë si prioritare ato shërbime, në të cilat, ishim të vetëdijshëm që nuk plotësonim dot nevojat me shëndetësinë publike dhe donim të kontraktonim edhe ofruesit jopublikë të kujdesit shëndetësor. Dhe kemi, të paktën, të miratuara 10 paketa”, nënvizoi Ministri i Shëndetësisë.
 
Beqaj solli në vëmendje edhe dy të dhëna të cilat janë si rezultat i punës së bërë gjatë këtyre tre viteve e gjysmë në krye të Shëndetësisë shqiptare. “Shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve për shëndetësinë, sipas anketës së buxheteve familjare, në vitin 2015 janë 50 milionë euro më pak se sa në vitin 2014”, theksoi Beqaj teksa shtoi se “një informacioni i dal para pak javësh që bazohet në një vlerësim të opinionit publik që është bërë katër vite rresht në fund të vitit, besimi i shqiptarëve tek shëndetësia publike është 50%. Në pamje të parë nuk është shifër pozitive, që do të thotë një në dy shqiptarë nuk kanë besim tek shëndetësia publike. Por në Dhjetor 2013 kemi qenë 30%. Që do të thotë, në tre vjet jemi rritur nga një në tre shqiptarë që na besonin, në një në dy shqiptarë”.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike