Berisha alibi për humbjen, negociatat e ‘vdekura’ në PD e ‘pazari’ i Metës

Berisha alibi për humbjen, negociatat e ‘vdekura’ në PD e ‘pazari’ i Metës

Sali Berisha, Ilir Meta dhe Enkeled Alibeaj

Në vigjilje të caktimit dhe dekretimit nga Presidenti të datës së zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor në pranverën e ardhshme, situata në kampin e opozitës nuk njeh përmirësim. Përkundrazi. Situata brenda partisë më të madhe opozitare është përkeqësuar aq shumë, sa palët nuk po gjejnë një emërues të përbashkët për daljen me një kandidat të përbashkët për kryetarë bashkie në këto zgjedhje.

Për pasojë, vota e opozitës jo vetëm është tkurrur në përmasa historike, por është dhe bërë akoma më tepër e fragmentizuar. Partia Demokratike zyrtare që përfaqësohet nga Enkelejd Alibeaj, prapa të cilit qëndron si ‘hije’ ish kryetari Lulzim Basha, deklaroi qartë dhe prerë disa ditë më parë se do të ketë kandidatët e vet për kryetarë bashkie në të gjithë vendin, si dhe listën e vet të kandidatëve për këshilltarë bashkiakë.

E tha Alibeaj shkoqur fare se PD ligjore do të dalë vetëm e pa asnjë aleancë në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Duke i prerë rrugën jo vetëm ndaj Sali Berishës që përmes primareve kërkon të përzgjedhë kandidatët për kryetarë bashkie, por dhe Ilir Metës, i cili me “lugë në brez” po bën të gjitha përpjekjet për të “gërryer” si gjithmonë nga trupi i “drobitur” i PD vota të djathta, në përpjekje për të qenë faktor politik. Kuptohet në krahun e kundërt të pushtetit, pra të opozitës.

Ndërkohë që si për të moderuar qëndrimin e vet, e për t’ia lënë “dobiçin në derë” Berishës, në mbledhjen e deputetëve të PD nën drejtimin e Alibeajt këtë të hënë, u vendos që të mandatohet ish sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi për të negociiuar me palën e Berishës, për të gjetur gjuhën e për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore. Por kush ka dëgjuar përplasjen e fortë e akuzat mes Bardhit e Berishës familjarisht, e di fort mirë se kjo përpjekje për bashkim është e barabartë me zero. Bardhi rideklaroi sërish pas mandatimit si negociator me grupin e “Rithemelimit” se nuk ndryshon qëndrim për Berishën, të cilin nuk e njeh si kryetar i PD.

Por ndoshta tërë kjo situatë “negociimi” bëhet dhe për të fituar kohë! Për më tepër që Berisha zbulon arsyen e negociatave, teksa ka nxjerrë sekretarin e Përgjithshëm të PD për të vënë si kush tërheqjen e padisë në Apel. Pasi PD ka dhe një çështje për të zgjidhur në Apel, dhe është në pritje të vendimit të 3 nëntorit të këtij viti ku kjo gjykatë të shqyrtojë ankimimin e Alibeajt për kuvendin e Berishës, për të përcaktuar në mënyrë ligjore se kujt i takon vula dhe logo e partisë. Eshtë thuajse e sigurtë që Apeli do ta marrë në shqyrtim këtë çështje, për ta deleguar sërish në Gjykatën e Faktit Tiranë, pikërisht aty ku e ka vendin, këtë ankimim të Alibeajt, gjykatë e cila do të vendosë përfundimisht, se kush do jetë “pronari” i ardhshëm i vulës dhe logos së PD, Berisha apo Alibeaj. S’mund të zgjatet pafund ky vendim, pasi zgjedhjet janë në prag, fushata po fillon.

Bazuar në këtë vendim starton dhe regjistrimi zyrtar i partisë më të madhe opozitare në zgjedhje, regjistrimi si parti politike apo si koalicion, regjistrimi i kandidatëve, si dhe do të përcaktohen dhe përfitimet e tjera që rrjedhin nga kjo “pronësi”, që nga përfaqësimi e deri tek ato financiare. mMe sa duket grupi i Alibeajt ndjehet i sigurtë që vendimi do të jetë në anën e tij, referuar dhe deklaratës se do të dalë me kandidatët e vet në zgjedhjet vendore, duke iu përgjigjur kërkesës së Berishës për të dalë me kandidatë të vetëm në zgjedhje, pra me një parti të bashkuar, duke mandatuar Bardhin si negociator, pavarësisht se mosnjohja e Berishës kryetar është “minë me sahat” për ecurinë e negociatave.

Dhe kur themi nje PD, ajo do të jetë e bashkuar sipas konceptit të Berishës, ku kundërshtarët të jenë thjeshtë votues, pasi nëse konkurrojnë për çfarëdo lloj posti apo kandidimi, e sigurtë është se turma që “qeveris” lideri historik do t’i mbysë me vota kundër. Pa dhënë asnjë shans që të fitojnë në ndonë primare apo përzgjedhje, ata të cilët cilësohen si pjesë e grupit të Alibeajt. Për t’u rikthyer sërish tek caktimi i Bardhit si negociator nga ana e Alibeajt, për të negociiuar me grupin e Berishës dhe për të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhje, ajo që mund të themi është se primaret e Berishës e zhvleftësojnë një gjë të tillë. Pasi nuk mund të negociiohet me të gjithë anëtarësinë dhe simpatizantët e grupimit të “Rithemelimit” dhe të PD zyrtare për të “votuar” emrin e rënë dakord mes grupeve të negociimit.

Ndërsa për të hequr dorë nga primaret, as që mendohet që Berisha ta njohë “marshin indietro”. Ndaj themi se se është e pamundur gjetja e gjuhës së përbashkët. Ndërkohë që Bardhi deklaroi pas mandatimit si negociator se do të bisedohet me grupin e Berishës, “pa asnjë parakusht apo kusht”. Pra pa pyetur as për primare.
Pasi grupi i Alibeajt shfaqet tepër i vendosur për të mos pasur asnjë lloj lëshimi për grupin e Berishës, sa kohë që ish kryeministri të jetë në krye të tij, çka tregon se ka shpresë në vendimin pro të Apelit që i jep këtij grupi vulën dhe logon e partisë. Ose e kanë ndarë mendjen për të krijuar parti të re politike, nëse Apeli vendos kundër tyre. Dhe nëse nuk janë dy të parat, atëherë është një vetëvrasje politike, duke pasur parasysh rezultatin e 6 marsit të këtij viti, ku i bie të dalë parti e tretë politike.

Pavarësisht zhgënjimeve që ka realizuar Berisha që nga koha kur ka hyrë në selinë e PD si trimfator, sa me dhunë aq dhe duke tundur këtë rezultat në 6 njësitë vendore ku u zhvilluan zgjedhjet e pjesëshme. Në fakt ishte fitore ndaj Bashës, por ishte dhe një rezultat humbës përballë PS që fitoi 5 nga 6 bashkitë në garë. Ndërsa Berisha mund të përfundojë nën “kthetrat” e Metës, që do ta “rrjepë” mirë e mirë, nëse Apeli vendos kundër tij. Por një tjetër situatë paraqitet në grupin e Berishës, që sipas të gjitha sondazheve është grupimi dominues në PD. Jo vetëm nga rezultati i 6 marsit, por dhe nga të gjitha sondazhet, ka një ndarje si me thikë mes dy palëve në PD, ku lideri historik zotëron shumicën në kufijtë e 60 përqindshit, ndërsa ai i kryetarit të komanduar të PD zyrtare zotëron deri në 40 përqind të mbështetjes së demokratëve. Me plus minuset e veta.

Berisha si “skile” e vjetër e politikës shqiptare e ka të qartë se nuk mund të fitojë përballë Edi Ramës dhe sikur e gjithë PD dhe opozita të jetë e bashkuar në një të vetme, jo më e ndarë në dy apo më shumë pjesë. Madje rezulton humbëse dhe bashkë me aleatët traditcionalë të trembur nga mbetja jashtë përfitimit nga partia më e madhe opozitare dhe me një Ilir Metë që në krye të Partisë së Lirisë është gati të bëjë “pazar” në radhët e demokratëve dhe mbështetësve të tyre, duke garantuar siguri për votën e tyre por dhe për mundësinë e përfitimit të ndonjë cope pushteti.
Ndaj Berisha ka disa ditë që ka hedhur idenë e riorganizimit të PD, daljen në bazë, ngritjen e grupit të “komisarëve politikë” që të kenë një informacion të detajuar për pikat e dobëta të secilit votues për t’i trokitur në derë dhe për t’i shpjeguar alternativën e djathtë e kërkuar votën.

Berisha ka këmbëngulur disa herë që situata nuk është e mirë tek PD dhe me këtë mënyrë të bërit opozitë nuk mund të fitojnë përballë makinës elektorale të Edi Ramës, e cila ka kohë që ka filluar fushatën. Shtuar këtu dhe akuzat e përhershme të Berishës kundër mazhorancës se do të përdorë administratën, institucionet dhe paratë për të marrë votat dhe për të fituar në zgjedhje. Në çdo takim lideri i grupimit më të madh në PD Sali Berisha ka hedhur alarmin se fitorja është shumë e vështirë për arsyet që renditëm më sipër, duke shtuar se duhet të dilet me një kandidat të vetëm e gjithë opozita. Në një formë apo tjetër Berisha jo vetëm po paralajmëron humbjen e PD në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor, por po përgatit dhe alibinë e humbjes së opozitës në këto zgjedhje. Dhe është e sigurtë se ‘fajtorët’ kryesorë për Berishën për këtë humbje do të jetë në radhë të parë Edi Rama, pasi lideri i demokratëve do rikthejë akuzat e përhershme sa herë që PD humb dhe që janë të gatshme tashmë, sipas të cilave Rama i bleu zgjedhjet. Këtu do fusë dhe rolin e Sorosit si gjithnjë.

Të akuzuar për humbjen e PD do të jetë dhe Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj, sipas Berishës të shitur tek Edi Rama, me akuzën se ndanë votën dhe shuan frymën fituese të opozitës. Ka filluar “provën gjenerale” që tani, teksa ka artikuluar akuzat e këtij lloji ndaj tërë grupimit të Alibeajt, prapa të cilit qëndron Lulzim Basha.
Pavarësisht se faktori numër një për këtë ndarje thuajse në dy pjesë të PD është vetë Sali Berisha, e këtë e kanë artikuluar jo vetë ata që janë pro grupimit të Bashës, por dhe ata që janë distancuar nga Basha.

Lideri aktual demokrat akuzohet si faktori numër një i shkatërrimit të PD, pasi hallin e tij personal të “non gratas” nga SHBA, e interferoi dhe e bëri kauzë kryesore të opozitës, duke e tkurrur akoma më tej mbështetjen për të djathtën. E drejtuar nga një lider që është shpallur “non grata” nga SHBA e Britania e Madhe, është izoluar tërësisht nga vendet anëtare të PD dhe PPE-të, dhe izolimi ka arritur deri atje sa dhe grupimet e tjera europiane politike përjashtojnë aleatët nga gjiri i vet, vetëm pse kanë bërë aleancë me Berishën, si në rastin e PES që përjashtuan Metën, ajo që mund të themi është se situata te PD e grupimit të Berishës shihet tërësisht si e pashpresë.

Për këtë arsye Berisha paralajmëron humbjen, dhe tashmë nuk është i zënë me hallin për të organizuar partinë që të marrë një rezultat pozitiv apo fitues, por për të gjetur alibinë më të saktë dhe më të mirë me të cilën të justifikojë humbjen në zgjedhjet e pranverës së ardhshme për pushtetin vendor. Thjeshtë për të shmangur llogarinë e përcaktuar në statutin e tij të PD si kryetar humbës para këshillit kombëtar. Jo se e shkarkon njeri Berishën, të kuptohemi, por lideri historik i PD kërkon që të mos shkojë fare për votëbesim sipas statutit, por të jenë ‘koka’ të tjera ato që të mbajnë përgjegjësinë e humbjes dhe që do të “priten”. Gjithnjë e ka bërë këtë Berisha, përpos rastit të humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013 kur dha dorëheqjen nga kreu i kësaj partie, por pa u larguar asnjëherë nga drejtimi.

E bëri në prapaskenë këtë për 9 vite me radhë, duke e degraduar PD në sitiatën në të cilën ndodhet sot. Nga izolimi total i Berishës dhe humbja e shpresës nga grupimi që e mbështet, shtuar këtu dhe elektoratin që mbështet PD, tentojnë të përfitojnë grupimi i Alibeajt, i mbështetur dhe nga partnerët tanë të mëdhenj ndërkombëtarë. Por dhe Partia e Lirisë e Ilir Metës, e cila gjithnjë në të tilla raste ka bërë “pazar” të plotë tek PD, duke rritur kuotat e veta politike me mbështetës të kësaj partie, por që janë pragmatistë dhe kërkojnë pushtet. Qoftë dhe në një të ardhme të largët me Metën, ndërkohë që shpresat me Berishën i kanë të fikura që tani.

Lulzim Basha ka nisur të shfaqet si “hije” në prapaskenë, duke tentuar të përfitojë sa të mundë nga humbja e mbështetjes së të djathtëve tek Berisha, si rezultat i izolimit të thellë që ka lideri aktual demokrat nga ana e ndërkombëtarëve. Basha kërkon të “mbijetojë” me mbështetje deri në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në mënyrë që të presë humbjen e Berishës në këto zgjedhje, i cili nëse respekton statutin apo dhe moshën, atëherë do largohet në mënyrë definitive.
Megjithëse shpresat janë të pakta që “fraktura” e shkaktuar në PD për shkak të përplasjes së Berishës me Bashën për çështjen e lidershipit, me pikë kulmore 8 janarin e sulmit mbi selinë nga ana e mbështetësve të liderit historik, për të pushtuar selinë e blinduar nga ish kryetari, është tepër e vështirë që të ngjitet. Duke e copëzuar në mënyrë përfundimtare PD, “aleanca” mes të cilave nuk prodhon asnjë rrezik për mazhorancën solide të Edi Ramës.

Është shumë e lehtë të “vizatohet” harta elektorale e rezultatit të zgjedhjeve vendore të pranverës së ardhshme, ku socialistët e Ramës do dominojnë tërë bashkitë në vend, me ndonjë “thyerje” ngjyre si në Shkodër apo në ndonjë bashki tjetër. Ku dhe këtu rezultati do jetë i ngushtë për shkak të luftës mes PD të Alibeajt dhe asaj të Berishës, dhe nuk përjashtohet mundësia që të përfitojë sërish ngjyra “rozë” e Ramës.

Ndërsa Meta e ka ndarë mendjen, do të marrë sa të mundet këshilltarë, duke përfituar dhe nga “pazari” që do të bëjë tek të zhgënjyerit e PD, të cilët nuk besojnë as te Berisha e as te Basha-Alibeaj. Partia e Lirisë kërkon të jetë thjeshtë faktor politik, të ketë rritje numrash krahasuar me zgjedhjet e fundit, dhe proporcionali për këshilltarë ia jep këtë mundësi krahasimi, pasi siç ka deklaruar nuk pretendon të fitojë ndonjë bashki në këto zgjedhje. Ndërsa Berisha, pasi të “sistemojë” alibinë e humbjes, do të drejtojë një parti që ta ketë thjeshtë dhe vetëm si mburojë për hallet e tij personale, ndërsa Basha kërkon një rezultat për të dalë nga “prapaskena” ku është tani dhe për të qënë në lojë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Tani për tani po përgatiten më së miri për të gjetur “siglën” e alibisë së humbjes, dhe për këtë po përgatiten në mënyrë të ethshme. Koha këtë do ta vertetojë, dhe pak muaj e këtu do jemi!

 

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Arratisja e madhe në Ambasadën Greke, 17 qershor 1990, Në 'Esencë' Bujar Aliko! Sot ora 21:00 në Report Tv

Arratisja e madhe në Ambasadën Greke, 17 qershor 1990, Në 'Esencë' Bujar Aliko! Sot ora 21:00 në Report Tv