Pasi e përjashtoi nga gara për kryetarin e Partisë Demokratike në opozitë që prej vitit 2013, Sali Berisha i është qepur Alesia Balliut siç thotë populli ‘me bukë në trastë’.

Në përpjekjet e tij për të bindur veten dhe shqiptarët se për zgjedhjen e kryetarit në PD ka një garë, ndonëse në garë është vetëm ai, të martën, në një konferencë për shtyp, Sali Berisha mohoi kontributet e Balliut në PD duke e quajtur atë me një ton zhvlerësues thjesht ‘një të punësuar në shtet.”

"Ai zotëria e gjen të përlotur një herë atë Alesian. Ç’ke moj xhan i thotë? S’po më japin hapësirë, thotë ajo. Eja tek unë, i thotë ai ndërkohë që ajo është e punësuar në shtet. E merr në telefon kryetari i Forumit dhe i thotë “Zotëri, ajo nuk ka një funksion” por ai vazhdonte e servirte si nënkryetarja e forumit rinor. Këta duhet të mbajnë gojën se meritojnë çdo epitet” tha Berisha.

Kjo deklaratë, e bëri Berishën akoma më qesharak në sytë e Alesia Balliut.

Në një postim në rrjete sociale, ajo tha se kryedemokratin e ka lënë memorja dhe po bën kurban demokratët për djalin e tij, Shkëlzenin. Për më tepër, demokratja sfidon Berishën të nxjerrë një dokument të vetëm që tregon se ajo ka qenë e punësuar në shtet.

"Sali të ka lënë memoria! Vetëm Ramën ke në mëndje se me atë i bën pazaret ndërsa demokratët i ke bërë kurban për Shkëlzen Berishën. Pse hesht edhe mbyllë gojën për dosjet edhe aferat e qeverisë. Pse i sulmon mediat që i ka sulmuar Rama apo nuk lejon njeri të dali kundër ortakut tënd në biznes e në politik. Sali të ka lënë memoria e po bëhesh qesharak. Më nxirr një dokument që unë të kem firmosur në shtet qoftë e një ditë të vetme” tha ajo.

Më pas në një video tjetër të postuar më vonë, Balliu i përmendi Berishës, të gjitha herët që ajo ka qarë, por për fatin e PD-së nën thundrën e tij. 

‘Sali, unë kam qarë vetëm për ty. Mendoja se ishe burrë shteti, por dole vetëm një kolltukofag. Mendova Sali, se ishe trim por dole frikacak. Mendoja Sali se ishe burrë i fjalës por dole i pabesë, dhe njësoj si mashtrimet që thua se unë punoj në shtet, kur është totalisht e pavërtetë. Mendoja Sali se do të të hiqej non-grata por ajo vetëm të njollosi me bojë të zezë, edhe më keq. Mendoja Sali, se do ta ktheje PD-në fituese por ti e ktheve në bunker. Mendoja Sali se e luftoje Edi Ramën, por ti e paske ortak dhe mik. Edhe diçka Sali, kam qarë, sepse nuk mendoja kurrë që demokratët dhe shqiptarët do t’i bëje kurban për Shkëlzen Berishën që ai të pasurohet akoma më shumë mbi gjakun dhe djersën e tyre" tha ajo.

Balliu ishte vetëm një nga 5 kandidatët për kreun e Partisë Demokratike, për të cilët Berisha gjeti kleçka dhe justifikime në statutin që ai vetë nuk respekton, për të mos garuar kundër tij në zgjedhjet e 23 majit.   

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 5 Maj, 08:35

    Gjykata e Lartë frenon Prokuroritë dhe Gjykatat për arrestin me burg, si e vlerësoni?