Ka një retorikë e shtuar në lidershipin e PD, të ngërthyer keqas në një përplasje të fortë për kapjen e kreut të saj, për faktin se kush e do më shumë partinë.
Është kthyer thuajse në një garë të fortë mes përkrahësve të Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës, të adhnuar keqas mes tyre pas vendimit të kryetarit për të përjashtuar liderin historik nga grupi parlamentar i PD, vendim ky që erdhi pas shpalljes “non grata” të Berishës nga SHBA.
Mbështetësit e ish kryeministrit nuk lënë rast pa nënvizuar faktin se Sali Berisha është vetë historia e PD, pasi e ka drejtuar këtë parti që në fillim, duke e ngjitur në pushtet dy herë dhe konsumuar mbi 3 mandateve qeverisëse, të barabarta me 13 vite në krye të vendit.
Madje Berishës i atribuojnë dhe faktin se është njeriu që mund të krijojë frymë në PD pasi është lideri historik, mund të rikthejë figurat e përjashtuara nga partia ndër vite nga Basha, pavarësisht se me këtë element vetë Berisha ka një marrëdhënie aspak të mirë.
E themi këtë, sepse gjatë drejtimit të PD prej tij janë degraduar nga kjo parti që nga Azem Hajdari, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Eduard Selami, Petrit Kalakulla, Dashamir Shehi, Genc Pollo e deri me “lejen” e tij Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu e figura të tjera të rëndësishme në PD.
Por mbështetësit e Berishës nuk ndalen, madje dhe në “Foltoren” e iniciuar nga ai për të “rikthyer vlerat e PD”, që në të vërtetë është thjeshtë dhe vetëm përpjekja për të dëbuar Bashën nga drejtimi i partisë dhe për të qënë vetë interlokutor i vetëm në emër të PD dhe mbrojtur veten e familjen nga akuzat që janë në prag, pra ithtarët e Berishës nuk ndalen dhe para komenteve të tilla se “sa e do Berisha PD-në nuk e duan gjithë anëtarësia e partisë bashkë”.
Nuk e përjashtojmë faktin se Berisha e do PD-në shumë, madje shumë më shumë se sa e mendojnë vetë ithtarët e tij, por për hir të vërtetës Berisha e quan PD-në pronë të veten dhe për këtë arsye e do si pronë.
Në të njëjtën gjatë vale është dhe Lulzim Basha, i cili më se njëherë ka deklaruar se sakrifikoi “babain” e tij politik Berisha për të shpëtuar PD-në nga vdekja dhe kthimi i saj në një “bunker anti-amerikan”.
Madje dhe një ditë më parë në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD Basha u zotua se nuk do të largohet nga drejtimi i PD dhe sa të jetë ai në krye të saj nuk do të lejojë shkrirjen e partisë, për hir të interesave personale të Sali Berishës.
Mbështetësit e Bashës nuk lënë as ata rast pa përmendur se Basha e do partinë, ndaj po e mbron atë nga shkatërrimi dhe kthimi në një celulë anti-amerikane, pa asnjë shans për të ardhur në pushtet nëse forcat e së shkuarës, duke nënkuptuar Berishën, marrin drejtimin e saj. Dhe Basha këtu ka të drejtë, pasi për hir të së vërtetës mbështetja e partnerëve tanë të mëdhenj ndërkombëtarë është një sinjal plus për çdo parti politike që t’i tregojë votuesit se nesër në pushtet do të jetë një partner serioz i aleatëve tanë të mëdhenj, kryesisht SHBA.
Kjo është ndihma që mund të japë bashkëpunimi me SHBA, për të qetësuar popullin më pro-amerikan në Europë, se nesër në pushtet Shqipëria nuk do të ketë probleme me SHBA, por do të gëzojë gjithë mështetjen e saj, sikurse ka ndodhur që në themelimin e shtetit shqiptar
E kemi thënë dhe njëherë se nuk mund të mbështetesh fitoren e zgjedhjeve parlamentare tek ndonjë involvim direkt i qeverisë amerikane në prodhimin e votave për një parti të caktuar. Mbështetja është në të tilla nivele, shihet si partner dhe objekt bashkëpunimi nëse fiton zgjedhjet, dhe ky perceptim ndikon tek elektorati i lëkundur për të hedhur votën për një parti të caktuar.
Në rastin konkret lidershipi i PD, aktuali nëse vijon Lulzim Basha në krye të PD dhe i mbijeton Kuvendit Kombëtar që do të mblidhet nga Berisha për të ndryshuar statutin me objektiv minimal dhe për “kokën” e Bashës me objektiv maksimal, duhet të fitojë vetë zgjedhjet, duke pasur si “as” nën mëngë marrëdhëniet e mira me aleatët tanë të mëdhenj. Për hir të së vërtetës dhe kundërshtari politik, në rastin konkret Edi Rama, marrëdhëniet me SHBA i ka të shkëlqyera. Taktikat elektorale dhe përdorimi i mirë i burimeve njerëzore, janë përcaktuese në një fitore të një partie politike.
A e ka Basha këtë fuqi për ta provuar për herë të katërt shansin që të fitojë përballë Ramës, në zgjedhjet parlamentare të radhës. “Testin” e parë e ka zgjedhjet vendore pas dy vitesh, në kushtet kur pushteti vendor zotërohet në masën gati 100 përqind nga PS. Për faj të Bashës dhe opozitës që zgjodhi të bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit.
Lulzim Basha është provuar si një humbës ciklik i zgjedhjeve. I ka humbur të gjitha përballjet elektorale me Edi Ramën, dhe ky është një fakt i pamohueshëm. Berisha thotë se është një “lider i thyer”. Në të vërtetë Lulzim Basha është si ai i sëmuri kronik, të cilit ilaçet nuk i bëjnë derman për ta shëruar por vetëm për ta qetësuar dhe mbajtur në gjendje stabël, në kushtet në të cilat ndodhet pacienti. Por sëmundja është bashkëshoqëruese. Ndaj PD vërtitet herë me 43 deputetë e herë me 59 deputetë, me gjithë aleatët të kuptohemi, pa mundur të dalë forcë e parë politike për të fituar zgjedhjet. Thjeshtë dhe vetëm ka konsoliduar vendin e dytë dhe perceptimin tek elektorati se sa të jetë Lulzim Basha në krye të PD, opozita nuk vjen në pushtet, vetëm parti e dytë qëndron.
Mund ta nënvizojë dhe Berisha këtë fakt, por ai është fakt i pamohueshëm dhe lëvizja në PD ndaj Bashës duhej të kishte nisur fill pas humbjes së 25 prillit pikërisht nga ky element, se fundja një parti politike ekziston për të ardhur në pushtet e për të implementuar alternativën e saj qeverisëse në terren. Me Bashën kjo parti s’vjen në pushtet kurrë.
Lindja pyetja tjetër: Nëse Berisha merr drejtimin e PD apo cakton një “bir” tjetër politik në krye të saj, pas një rrëzimi të mundshëm të Bashës nga posti i kryetarit, a ka mundësi të sjellë opozitën në pushtet?!
Ajo që mund të themi është se as Sali Berisha nuk e sjell më PD në pushtet. Jo vetëm për shkak të izolimit që mund të vijë nga aleatët tanë të mëdhenj për PD, sikurse kanë paralajmëruar, por dhe për arsye të tjera objektive që rrjedhin nga vetë drejtimi i PD nga Berisha.
Nuk e mohojmë faktin se Berisha mund të rivitalizojë të gjitha “qelizat” e PD, dhe në mënyrë kapilare i merr votat e PD kokërr më kokërr. Por në pushtet është e nevojshme edhe për votën e elektoratit gri apo të lëkundur siç quhet më thjeshtë. Nuk mendojmë se mund të japin votën për PD-në e drejtuar nga Berisha apo nga një i zgjedhur prej tij, 30 vjeçarët të cilët kanë bashkuar të qarat e para si fëmijë të sapolindur me thirrjet e Berishës për demokraci, integrim në Europë. Pra kanë të njejtën moshë biologjikë me atë të Berishës në politikë. Ka 30 vite në politikë dhe krye të PD Berisha dhe çfarë ka mundur i ka dhënë. Eshtë si rasti i De Gol në Francë, i cili rikthimin e tij në politikë pas një shkëputje të gjatë, e pati të turpshëm dhe humbi përballë kundërshtarit politik. Askush nuk e vë në diskutim kontributin madhor të De Golit për Francën.
Njëherësh, Berisha është një “tabelë” qitje për të gjithë kundërshtarët politikë për shkak të qëndrimit të gjatë në politikë, akuzave për zullume të mëdha që fillojnë që nga korrupsioni i lartë shtetëror, minimi i demokracisë dhe presioni ndaj drejtësisë, të “certifikuara” dhe nga DASH, mbi bazën e të cilave mori vendimin për ta shpallur person “non grata” familjarisht në SHBA.
Pra është një lider i goditshëm, dhe lidershipi socialist u mundua shumë për ta përfshirë direkt në fushatë në zgjedhjet e 25 prillit, e maksimalizuar votat me argumentin e rikthimit të Berishës në qeverisje. Pavarësisht se Berisha nuk u përfshi në fushatë direkt, Rama “voli” mjaft mbështetje tek elektorati gri pikërisht për shkak të pafuqisë së Bashës që ta përjashtonte Berishën nga listat e kandidimit, sikurse iu kërkua nga aleati ynë i madh, që më se njëherë kërkoi “pastrimin e listave nga elementët e korruptuar”. Kishte parasysh Berishën në radhë të parë.
Vetëm se “karremin” e kapi presidenti aktual Ilir Meta duke u përfshirë direkt në fushatë, votat për PS më 25 prill u konsoliduan duke u përkthyer në 74 mandate dhe Edi Rama po qeveris i vetëm për një mandat të tretë gjithsej. E kanë pranuar vetë dhe Basha e Kryemadhi se Meta e teproi me përfshirjen në fushatën elektorale krah opozitës, duke e bërë indirekt përgjegjës për humbjen.
Imagjinoni të rikthehet Sali Berisha në krye të PD, Ilir Meta pas shkarkimit si president në krye të LSI, janë në një aleancë të pakthyeshme bashkë dhe nuk përtojnë ta tregojnë aleancën mes tyre, dhe të kuptoni se në zgjedhjet e vitit 2025 përballë tyre Edi Rama do të shënojë një fitore akoma më të thellë se të këtij viti.
Pra si Basha si Berisha në krye të PD nuk e sjellin dot këtë parti në pushtet. E duan aq shumë, sa me “dashurinë” e tyre po e mbysin fare këtë parti, por në pushtet nuk e sjellin dot.
E vetmja mundësi është zgjedhja e një alternative të tretë, jashtë ndikimit të Berishës dhe Bashës, që të jetë kryetari real i PD, të bashkojë forcat dhe burimet njerëzore, përmes një filozofie të re politike, për të pretenduar një fitore të zgjedhjet e radhës përballë PS.
Në Kosovë, ndonëse për shkak të rrethanave të tjera, kjo “kurë” dha rezultat. Abdixhiku i LDK dhe Krasniqi i PDK, njëri i panjohur dhe tjetri një ish këngëtar, zbritën nga ‘froni’ Albin Kurtin e Vetëvendosjes në zgjedhjet vendore të së dielës, duke ia ulur trefish votat krahasuar me ato të shkurtit të këtij viti.
Le ta provojë dhe PD një shans të tillë, si shans të fundit për ringritjen e një partie jashtë ndikimit të Berishës dhe Bashës. Rrugët t’i gjejë vetë, por të heqë dorë nga liderë politikë që e koinsiderojnë PD-në si pronë të tyren dhe të hapin partinë. Eshtë shansi i vetëm. Ndryshe, pavarësisht se kush e fiton betejën e nisur, Berisha apo Basha, PD është e destinuar të jetë e dyta si fuqi politike, por asnjëherë në pushtet.