Shqetësimi i qeverisë se protestat kanë dëmtuar turizmin në mbarë vendin, nuk është shqetësimi i Partisë Demokratike.
Kryedemokrati Sali Berisha thotë se nuk është protesta ajo që po pengon ardhjen e turistëve, por zhvlerësimi i euros.
“E vërteta është sot se si kurrë më parë, plazhet e vendit janë bosh, jo gjysmë bosh, por shumë më tepër se gjysmë bosh, nga Saranda në Shëngjin dhe më lart. Dhe faktori më shkatërrimtar për turizmin, më toksik, është narkoeuro, e cila ka rënë me 32 përqind. Dhe tani për të gjitha këto, fajëson protestën për turizmin”, tha Berisha.
Ai thotë se Rama po përdor policinë, administratën dhe SHISH për të dëmtuar protestën ndërsa të vetëve, edhe njëherë u kërkoi që të injorojnë thirrjet kundër PD në protestë.
“Edi Rama, përveç angazhimit total të policisë kriminale, që është më kriminale se çdo bandë tjetër, të shërbimit informativ kombëtar, që bashkërendon të gjitha praktikat me Beogradin, ka mobilizuar mijëra rrogëtarë, punonjës të administratës shtetërore në krijimin e llogarive false në mediat sociale, në rrjetet sociale për të demonizuar protestën dhe protestuesit, për t’ia ulur shikueshmërinë e tyre dhe për të ndikuar në algoritmin, që sipas tij ia kontrollonte Irani algoritmin“, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur të reformat, në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha tha se shqetësues është fakti që Rama ndërpreu konsensusin për Reformën Territoriale.
Komente










