‘Besa’, dokumenti strategjik i njoftuar një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama si një shenjë reflektimi nga e ashtuquajtura “protesta e flamingove”, do të ketë si test të parë pikërisht projektin e Zvërnecit. Brenda 90 ditësh synohet të zhvillohen dëgjesa, përfshirë dhe grupet që protestuan si dhe të bëhen publike dokumenta apo të realizohet një vlerësim paraprak, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e projektit. Dokumenti i qeverisë, të cilin Report Tv e disponon, i lë të hapura të gjitha opsionet.

***

E ashtuquajtura protesta e flamingove, u nxit nga ngjarjet e dhunshme të rojeve private në territorin e rrethuar të sipërfaqes ku është parashikuar ndërtimi i një kompleksi turistik i lidhur me Jared Kushnerin, dhëndrrin e presidentit amerikan Donald Trump. Tashmë ky projekt do të jetë i pari mbi të ciln qeveria do të testojë dokumentin ‘Besa’, i lindur si shenjë reflektimi ndaj protestave. 

“Një metodë strategjike provohet aty ku vendimmarrja është më e ndërlikuar dhe besimi më i cenuar. Për këtë arsye, Vjosa-Narta zgjidhet si testi i parë i Metodës BESA. Qëllimi nuk është të rihapet politikisht e shkuara, po të provohet nëse një proces i plotë dëgjimi, evidence, shpjegimi dhe matjeje mund të prodhojë një vendim më të besueshëm",- shkruhet në dokument.

Sipas dokumentit, që nuk është bërë ende public, por që Report Tv e disponon,  testi nuk nis me asnjë paragjykim, as nëse projekti duhet të vazhdojë dhe as nëse duhet ndalur. Çdo mundësi duket se lihet e hapur

“Alternativat janë vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat. Asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor”,- saktësohet në dokument

Gjithshka parashikohet të realizohet brenda tre muajsh.

“Brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues. Detyrimet që kërkojnë më shumë kohë regjistrohen me afate publike, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm në Flamingo Mirror”,- shkruhet në dokuement.

Por cilat janë hapat që do të ndiqen. Sipas dokumentit do të ketë dëgjesa me aktorë të ndryshëm, përfshirë dhe grupet që protestuan. Po ashtu parashikohet një vlerësim I pavarur I ndikimit mjedisor si dhe publikimi I kontratave, vendimmarrjeve dhe dokumentave, për aq sa lejon ligji. Në ndërkohë nuk do të ndërmerret asnjë vendim që mund të jetë I pakthyeshëm. Dokumenti thekson se çdo zotim publik i dhënë për këtë dosje regjistrohet me afat dhe status, i dukshëm për këdo. Fjala e dhënë për Nartë-Vjosën bëhet e kontrollueshme.

Në përfundim do të ketë një analizë të qasjes së para qershorit, kur nisën protestat, për të nxjerrë mësime, gjë e cila sipas dokumentit “nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet”.

Çdo element I këtij procesi do të jetë I publikuar në ndërfaqen që do të qyhet “Flamingo Mirror” (pasqyra e Flamingove) e cila në të ardhmen do të përdoret për të gjitha dosjet me interes të lartë publik.

Ja çfarë parashikon metoda "Besa" për Zvërnecin

Testi Vjosë-Narta

Një metodë strategjike provohet aty ku vendimmarrja është më e ndërlikuar dhe besimi më i cenuar. Për këtë arsye, Vjosa-Narta zgjidhet si testi i parë i Metodës BESA. Qëllimi nuk është të rihapet politikisht e shkuara, po të provohet nëse një proces i plotë dëgjimi, evidence, shpjegimi dhe matjeje mund të prodhojë një vendim më të besueshëm.

Testi nuk nis as nga përfundimi se projekti duhet të vazhdojë, as nga përfundimi se duhet të ndalet. Alternativat janë vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat. Asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor.

Përpara nisjes miratohet një mandat i posaçëm zbatimi që përcakton: institucionin përgjegjës; bazën ligjore; dokumentet që mund të publikohen dhe kufizimet e ligjshme të konfidencialitetit; procedurën transparente për përzgjedhjen e ekspertëve; trajtimin e konfliktit të interesit; dhe marrëdhënien e testit me proceset administrative ose kontraktore në zhvillim.

Të shtatë mekanizmat vihen në punë brenda 90 ditëve. Brenda këtij afati përfundojnë dëgjesa, hapja e dokumentacionit të publikueshëm, vlerësimi paraprak dhe vendimi i arsyetuar për hapat pasues. Detyrimet që kërkojnë më shumë kohë regjistrohen me afate publike, institucione përgjegjëse dhe raportim të vazhdueshëm në Flamingo Mirror.

 * Vlerësimi i Dëgjesës: Dëgjesë e strukturuar në Vlorë dhe jo vetëm, me banorët, peshkatarët, studentët, shkencëtarët, sipërmarrjet e zonës, grupet që protestuan. Jo shfaqje mediatike, po tryeza dëgjimore të regjistruara për arkivën e Flamingo Mirror dhe me raport të shkruar publik mbi çfarë u tha.

 * Dosja e Evidencës: Vlerësim i pavarur i ndikimit mjedisor dhe ekonomik, me standarde ndërkombëtare dhe ekspertizë të jashtme të përzgjedhur përmes një procedure transparente. Publikohen kontratat, vendimmarrja dhe dokumentet vlerësuese në masën që lejon ligji, duke shpjeguar çdo kufizim. Asnjë vendim i ri i pakthyeshëm nuk merret përpara shqyrtimit të evidencës së plotë, përveçse kur një detyrim ligjor ose kontraktor kërkon ndryshe dhe kjo bëhet publike.

 * Memorandumi Shpjegues: Dokumenti i parë i shkurtër i Metodës BESA i kushtohet kësaj dosjeje: çfarë po vendoset, si, nga kush, me çfarë afatesh dhe si mund të ndiqet publikisht çdo hap.

 * Indeksi i Kujdesit: Vjosë-Narta regjistrohet si aseti i parë publik me standard kujdesi sipas kësaj metode, me gjendje të dokumentuar dhe përgjegjësi institucionale të qartë, pavarësisht se çfarë vendoset për projektin.

 * Paneli i Performancës: Çdo zotim publik i dhënë për këtë dosje regjistrohet me afat dhe status, i dukshëm për këdo. Fjala e dhënë për Nartë-Vjosën bëhet e kontrollueshme.

 * Rishikimi Pas Veprimit: Analizë pa paragjykim dhe pa kërkim ritual fajtorësh e mënyrës si u lexuan sinjalet përpara qershorit: çfarë u dëgjua, çfarë jo dhe pse. Procesi i mësimit nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet.

 * Paralajmërimi i Hershëm: Dosja Vjosë-Narta bëhet rast mësimor i sistemit: cilat sinjale ekzistonin, ku u ndërprenë, dhe çfarë duhet të kapë sistemi herën tjetër, kohë përpara se sa një problem të kthehet në një shqetësim dhe shqetësimi të bëhet bulevard.

FLAMINGO MIRROR: PASQYRA PUBLIKE E TESTIT

Gjithçka që prodhon testi jeton në një vend të vetëm, publik dhe të hapur për këdo: Platforma digjitale dygjuhëshe Flamingo Mirror/Pasqyra e Flamingos.

Kjo platformë është pikërisht pasqyra, ku qytetari e sheh vetë, pa ndërmjetës, nëse fjala e dhënë po mbahet.

Aty publikohen, në kohë reale dhe në gjuhë të thjeshtë: kalendari i testit me çdo hap të kryer dhe të mbetur; Dosja e plotë e Evidencës, kontratat, vlerësimet, vendimmarrja; raportet e dëgjesës dhe përgjigjet zyrtare për çdo pyetje qytetare, me afat të dukshëm; zotimet publike me tre statuset e tyre: i mbajtur, i shtyrë me shpjegim, i pambajtur; dhe të dhënat e Barometrit të Besimit, para dhe pas, me numrin e keq të botuar njësoj si i miri. Asgjë nuk fshihet pas një PDF-je të skanuar. Të dhënat janë të hapura dhe të kërkueshme, dhe çdo dokument shoqërohet nga përmbledhja e Memorandumit Shpjegues.

Dhe kur testi të mbyllet, Flamingo Mirror mbetet ndërfaqja e përhershme e Metodës BESA për dosjet me interes të lartë publik. Funksioni i saj kufizohet në katër detyra: të tregojë çfarë u premtua; të publikojë provat e lejueshme; të paraqesë afatet dhe statusin e tyre; dhe të regjistrojë çfarë u vendos dhe pse. Platforma nuk është mjet propagande, nuk jep konsiderata politike dhe nuk drejton gishtin e akuzës ndaj askujt. Besueshmëria e saj vjen nga dokumentet, të dhënat dhe gjurmueshmëria e vendimit.

Në fund, një raport i vetëm publik: çfarë u dëgjua, çfarë u provua, çfarë u vendos dhe pse.

Ky raport është certifikata e lindjes së Metodës BESA, ose lista e saktë e asaj që duhet riparuar në të.

Të dyja janë fitore, sepse të dyja janë të vërteta.

Flamingoja mbetet simboli i çastit kur pritshmëritë e reja u bënë të pamohueshme. Flamingo Mirror e kthen atë simbol në një standard praktik: qytetari mund të ndjekë vendimin nga pyetja e parë deri te rezultati dhe të kontrollojë nëse fjala e dhënë është mbajtur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:31
Si do të funksionojë ‘Besa’? Ja 7 mekanizmat

1784957872_edirama.jpg

Dokumenti I propozuar nga qevria parashikon “një arkitekturë të vetme: shtatë aftësi, shtatë mekanizma, një funksion koordinues dhe një platformë publike”. Pranë zyrës së planifikimit strategjik në kryeministri do të funksionojë njësia ‘Besa’ e cila “koordinon standardet, lidh të dhënat dhe i paraqet qeverisë një panoramë të integruar”.

Ndërsa Flamingo Mirror do të jetë “ndërfaqja publike dygjuhëshe ku publikohen dosjet me interes të lartë publik: evidenca, dëgjesa, shpjegimi, afatet, zotimet dhe rezultatet, po ku ekspozohen edhe fakte e prova kundër dizinformimit e keqinformimit”.

Po ashtu do të ketë një Barometër Kombëtar të Besimit, “një instrument i pavarur matjeje, jo strukturë qeveritare dhe jo matje popullariteti. Metodologjia, kampioni dhe të dhënat e agreguara publikohen”. Ndërsa ‘Laboratori i Politikave Publike’ parashikohet të jetë “mënyra e pilotimit të reformave kur prova në shkallë të vogël është e mundur dhe e dobishme; nuk është institucion më vete”.

Në dokument shpjegohet se mekanizat që do të përdorë ‘Besa’ në pjesën më të madhe janë pjesë e ligjeve ekzistuese. “Ajo që ka munguar nuk është baza ligjore, po mënyra si e kemi lexuar. Pikërisht këtë kthesë bën Metoda BESA: i merr mekanizmat që ligji i ka dhe i vë të punojnë për besimin”.

Ja cilët janë 7 mekanizmat dhe objektivat e tyre

MEKANIZMI 1: Vlerësimi i Dëgjesës

Çdo reformë apo vendim me ndikim të rëndësishëm duhet të kuptohet përpara se të miratohet dhe prandaj, për çdo reformë a vendim të tillë hartohet një Vlerësim i Dëgjesës, i cili bëhet pjesë e detyrueshme e dosjes së vendimmarrjes.

MEKANIZMI 2: Dosja e Evidencës

 Çdo vendim strategjik duhet të mbështetet mbi prova të verifikueshme, jo vetëm mbi bindje. Për çdo reformë a vendimmarrje me ndikim të veçantë hartohet një "Dosje e Evidencës", e cila shoqëron procesin e vendimmarrjes dhe publikohet bashkë me të.

MEKANIZMI 3: Memorandumi Shpjegues

Çdo reformë duhet të jetë jo vetëm e drejtë, por edhe e kuptueshme. Për çdo politikë me ndikim të gjerë hartohet një Memorandum Shpjegues, i cili publikohet paralelisht me vendimmarrjen

MEKANIZMI 4: Indeksi i Kujdesit

Çdo investim publik duhet të gjykohet jo vetëm nga ndërtimi, por edhe nga cilësia e mirëmbajtjes dhe e shërbimit që ofron me kalimin e kohës.

MEKANIZMI 5: Paneli i Performancës

Performanca e institucioneve duhet të matet nga rezultatet që prodhojnë dhe nga besimi që ndërtojnë

MEKANIZMI 6: Rishikimi Pas Veprimit

Çdo reformë, projekt apo politikë me ndikim të rëndësishëm duhet të kthehet në një mundësi për të mësuar. Pas përfundimit të çdo faze të rëndësishme të zbatimit zhvillohet një Rishikim Pas Veprimit.

MEKANIZMI 7: Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm

Qeverisja nuk duhet të kufizohet në administrimin e krizave. Ajo duhet të krijojë aftësinë për t'i dalluar dhe parandaluar ato përpara se të shpërthejnë.

Ora 13:27
‘Besa’, Qeveria: Kthesa është e domosdoshme!

1784888136_Screenshot20260724121504.png

‘Besa’, lindi “nga ambicia për të hapur një perspektivë të re shikimi mbi marrëdhënien mes shtetit dhe qytetarit. Dhe lindi nga bindja se një kthesë e vendosur është e domosdoshme, jo thjesht për qeverinë apo Partinë Socialiste, po për shëndetin e jetës demokratike të Shqipërisë”. Ky është është shpjegimi që gjendet në dokumentin prej 43 faqesh, që nuk është bërë ende publik, por të cilin Report Tv e disponon, dhe ku përcaktohen 7 mekanizmat përmes së cilave do të vihet në zbatim.

Ashtu siç dhe vetë kryeministri e përkufizoi, dokumenti përfaqëson “kthesën e mandatit të katërt” duke përcaktuar “diagnozën, objektivin, aftësitë që duhet të ndërtojë qeverisja, mekanizmat e zbatimit, arkitekturën e përgjegjësisë, testin e parë dhe mënyrën e matjes”. Thelbi i tij ka të bëjë me një “ndryshim të mënyrës s si merren, shpjegohen, zbatohen dhe korrigjohen vendimet”.

Në hyrjen e dokumentit theksohet se “bulevardi i flamingove ishte më shumë sesa një manifestim proteste. Ishte një pasqyrë që shoqëria e vuri përpara. Ajo pasqyrë nuk vuri në dyshim transformimin e vendit, po nxori në pah anën tjetër të transformimit, duke na treguar se tanimë kemi hyrë në fazën e re të zhvillimit, kur transformimi i një vendi dhe përjetimi shoqëror për transformimin nuk janë më në harmoni, po në tension. Ky është mësimi kyç i vitit të parë të këtij mandati”, vë në dukje teksti duke nënvizuar se “nëse tre mandatet e para kishin si mision transformimin e vendit, mandati i katërt duhet të ketë si mision fuqizimin e besimit”.

Dhe testi i parë i kësaj qasjeje të re të socialistëve do të jetë pikërisht mbi projektin e Zvërnecit, debatet mbi të cilin ishin shkëndija që ndezi valën e protestave. “Një metodë strategjike provohet aty ku vendimmarrja është më e ndërlikuar dhe besimi më i cenuar. Për këtë arsye, Vjosa-Narta zgjidhet si testi i parë i Metodës BESA. Qëllimi nuk është të rihapet politikisht e shkuara, po të provohet nëse një proces i plotë dëgjimi, evidence, shpjegimi dhe matjeje mund të prodhojë një vendim më të besueshëm”, saktëson dokumenti.

“Testi Vjosë-Nartë”, është vetëm një ndër 5 kapitujt që përbëjnë dokumentin strategjik që socialistët synojnë të vënë në jetë. Pjesa e parë përkufizon atë që quhet “Themeli i besimit”, ndërsa në pjesën e dytë “Qeverisja që prodhon besim”, përkufizohen 7 aftësitë që nevojiten për një qeverisje të besueshme dhe një kulturë të re qeverisjeje. “Kapacitetet që propozon BESA janë investim në një shtet që do t'u shërbejë njësoj edhe atyre që sot janë në opozitë, edhe atyre që do të qeverisin nesër”, thekson dokumenti.

“Metoda Besa”, është kapitulli që shpjegon se si do të funksionojë qasja e re. Sipas dokumentit qëllimi është të identifikojë “mekanizmat që i kthejnë parimet në praktikë. Jo procedura të reja burokratike, po instrumente të një kulture të re qeverisëse. Jo rregulla të reja, po ndryshim në mënyrën se si merren vendimet”. “Metoda BESA”, shpjegohet më tej, “ka një arkitekturë të vetme: shtatë aftësi, shtatë mekanizma, një funksion koordinues dhe një platformë publike”.

“Besa dhe Europa”, është kapitulli përmbyllës i dokumentit që sheh një ndërlidhje të drejtpërdrejtë mes mënyrës së re të qeverisjes që socialistët premtojnë dhe procesit të anëtarësimit europian. “Hapja e kapitujve kërkoi bindje diplomatike; mbyllja e tyre kërkon prova institucionale: ligje që zbatohen, të dhëna që qëndrojnë dhe rezultate që maten. Kjo është e njëjta kthesë që BESA kërkon brenda vendit”, lexohet në dokument.