Bilanci i një proteste që shkon drejt farsës

Bilanci i një proteste që shkon drejt farsës

Lulzim Basha

E bëri dy vjet më parë dhe e pamë si doli. Po e bën dhe sot, në një mënyrë edhe më joserioze dhe më qesharake se atëhere dhe mund të supozojmë pa shumë vështirësi sesi do të jetë fundi i rrugës. Protestat e Lulzim Bashës nisin gjithmonë me pretendimin për të rrëzuar qeverinë dhe mbarojnë me dilemën kombëtare, sesi të nxjerrim vetë Lulin nga gafat politike që sajon me duart e veta.

Ndodhemi në të njëjtën situatë edhe sot, dy vjet pas Çadrës, kur fryma e protestës thjesht nuk egziston dhe kur destabilizimi i qeverisjes së majtë nuk ka ndodhur. Opozita ka vendosur prej disa javësh që të testojë nervat e disa mijëra drejtuesve të makinave, duke e quajtur bllokimin e rrugëve kryesore të vendit me disa qindra protesutes në çdo udhëkryq, “përshkallëzim i protestës” ose “marshim opozitar”! Mos u gënjeni nga termat, nuk ka as përshkallëzim dhe as marshim. Ka pasur vetëm ambulanca me të sëmurë brenda të bllokuara, shoferë të acaruar që shanin dhe rëndesë trafiku që nuk e ka spostuar asnjë milimetër nga vendi qeverinë, por vetëm sa ka dëmtuar qarkullimin e automjeteve.

Megjithatë, ajo që pasqyrojnë ekranet televizive nuk ka asnjë lidhje me përshkallëzimin apo me marshimin. Nga rrethrrotullimi Shqiponja e më pas në Durrës, Fier, Elbasan e Shkodër ose Gjirokastër, nuk bëhen më shumë se disa mijë opozitarë, të gjithë të sjellë nga strukturat partiake të PD e LSI, të cilët bllokojnë trafikun, duke penguar burra, gra e fëmijë që të shkojnë aty ku janë nisur.

Dy muaj e gjysëm pas protestës së 16 shkurtit, kur gjithçka dukej më kërcënuese e sfiduese, kriza e mandateve të opozitës dhe e protestave politike që ajo ka vënë në lëvizje, po merr trajta gjithnjë e më pak serioze. Pasi gjuajti me shtizë derën e kryeministrisë dhe shkuli pllakat rreth Parlamentit, opozita po i nxin jetën shqiptarëve që lëvizin në rrjetin rrugor kombëtar. Në emër të gjetjes së një pune për veten, pasi kanë dalë me vullnet pa punë rrugëve, PD-LSI pengojnë ata që kanë punë dhe janë nisur për diku.

Është një eksperiment ky i rrugëve, që nuk i ka ndezur asnjë opozite në të shkuarën, por mesa duket po shohim shterrimin e surprizave dhe të fantazisë opozitare. Pasi i erdhën rrotull godinës së qeverisë, pasi bënë xhiro nëpër Tiranë duke mos ditur si të shtyjnë orarin e protestës, pasi panë sesi Bindja e Patozit shpalli hyrjen në zgjedhje dhe një listë gjithnjë e më e gjatë opozitarësh po hyjnë në Kuvend, nën apelin e ndërkombëtarëve për t’u regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita zyrtare po përjeton krizën e nismës së mandateve, që vuri në lëvizje dy muaj e gjysëm më parë.

Bilanci i kësaj krize thuajse tre mujore po shkon përherë e më shumë nga dramatikja tek farsa. Në shkurt pritej me orë rënia e qeverisë aktuale, kurse tani në maj mësojmë sesi krijohen qeveri tranzitore në letër, tamam si ato kështjellat prej rëre që ndërtojnë kalamajtë në breg të detit. Opozita e futur në flluskën e përjetimeve, të frustrimit dhe pafuqisë së saj, ka mbërritur në stacionin e fundit të udhëtimit. Duhet të vijë dikush për ta nxjerrë nga rruga pa krye ku e futi veten nën tam-tamin e protestave. Të cilat, dihet, kur mpaken e dobësohen pa mundur të hedhin në tokë kundërshtarin, kthehen e rrëzojnë organizatorët.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Genti: 03/05/2019 16:29

    Ok mor ZAGAR,analist i qelbur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase