Bileta e urbanit, 70 lekë
qytetarët: Është çmenduri

Bileta e urbanit, 70 lekë<br />qytetarët: Është çmenduri
Shoqata e transportit urban ka propozuar gjithashtu edhe dyfishim të çmimit të një aboneje. Kështu nëse abonoja e përgjithshme aktualisht kushton 1.200 lekë të reja, propozimi i mbërritur në tryezën e bashkisë parashikon që ajo të shkojë në 2.400 lekë të reja për një muaj. Rritje parashikohet edhe për abonenë dedikuar për një linjë dhe atë të studentit, respektivisht 1.600 lekë dhe 1.200 lekë të reja në muaj.

Qytetarët shprehen se këto rritje çmimesh për transportin publik janë një çmenduri dhe se ata nuk mund t'i përballojnë me të ardhurat që kanë.
"Unë punoj si dado pranë një familje dhe e kam rrogën 15.000 lekë në muaj. Po për të vajtur te shtëpia ku mbaj fëmijët, unë marr 5 ditë të javës, urbanin. Pra i bie, që mesatarisht në një ditë, unë të shpenzoj 140 lekë, dhe në muaj i bie që të harxhoj, vetëm për urbanin, rreth 3.000 lekë të reja dhe të më ngelen për shtëpinë 12.000 lekë. Kjo është çmenduri. Ta mendosh që edhe dy fëmijët i kam të rritur, njërin në gjimnaz dhe tjetrin në shkollë të lartë. I bie që unë të punoj një muaj për të paguar vetëm biletat e urbanit. Po 70 lekë unë blej bukën!", - na shpjegon Hamideja, të cilën e takojmë në radhë për të paguar faturën e telefonit.

Ndërkohë që një çift pensionistësh, të cilët i takojmë pranë parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, ku ata dalin çdo ditë gjatë verës për të marrë ajër të pastër dhe gjatë ditëve me diell të dimrit, ata na thonë se biletën me 70 lekë ata nuk mund ta blejnë asnjëherë.

"Ne e kemi shtëpinë pas njësisë bashkiake nr.8, te Rruga e Trenit. Gjatë verës e marrim autobuzin çdo ditë për të ardhur këtu dhe në dimër sa herë ka ndonjë ditë të bukur me diell. Por nëse bileta bëhet 70 lekë, as që bëhet fjalë me hip ndonjë herë në urban. Do ta bëjmë me këmbë se edhe vend tjetër në Tiranë, ku të mund të marrësh pak ajër të pastër nuk ka. Dy bileta ardhje dhe dy vajtje, i thonë 280 lekë në ditë. Me kaq lekë ne blejmë ushqimet e ditës. Pastaj 70 lekë është një bukë si mund të kushtojë një biletë urbani kaq lekë?", - pyesin me të drejtë dy të moshuarit.

Bashkia
Nga bashkia e Tiranës nuk ka ende një reagim zyrtar për këtë propozim të shoqatës së transportit qytetas të Tiranës, pasi ata kanë qenë të angazhuar me vizitën e kryebashkiakut Basha në Maqedoni. Megjithatë jozyrtarisht mësohet se ata do ta shqyrtojnë me kujdes propozimin, pasi sipas tyre, shoqata e transportit mund të dojë që bileta të bëhet edhe 500 lekë të reja, por vendimi do të merret duke pasur parasysh të ardhurat e qytetarëve dhe sa mund ta përballojnë ata. Megjithatë vendimin përfundimtar për rritjen ose jo të çmimit të biletës e merr kryeministri. Shoqata e transportit kombëtar qytetas thotë se në rast se propozimi i tyre nuk do të gjejë zbatim do të mbyllin fare biznesin pasi për ta është falimentim.

Llogaritet që numri i pasagjerëve që udhëtojnë çdo ditë me urbanë dhe paguajnë biletën është mbi 185 mijë persona. Ata që udhëtojnë me abone arrijnë në gati 15 mijë pasagjerë, pa përfshirë këtu numrin e personave me status udhëtimi falas.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi