35 vite më parë, të rinjtë nxitën ndryshimin në vend. Sot ata janë më të pakët në numër, ndërsa ndikimi i tyre në shoqëri është gati i zbehtë.
Sipas INSTAT, në vitin 2024 në Shqipëri jetonin vetëm 405 mijë të rinj nga 15 deri 29 vjeç, një rënie drastike prej 45% krahasuar me vitin 2011.
Këto shifra lidhen me emigracionin masiv, i cili ka marrë përmasa “pandemie” pikërisht në këtë grup-moshë.
“Në vitin ‘90 ishte gjithë populli shqiptar që kërkoi ndryshimin, por rinia qenë në ballë të këtyre protestave. Kurse sot rinia është larguar. Nuk janë ato motive më”, shprehet një qytetar i pyetur nga Report Tv.
“Atëherë kanë qenë mirë. Po tani jo shumë, duhet të gjejnë më shumë veten”, thotë një tjetër.
Shqipëria renditet e para në listën e 45 vendeve me emigracionin më të lartë në raport me popullsinë sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, për çdo 1000 banorë, 22.1 shqiptarë kanë emigruar në vitin 2023. Mbi 80% e tyre janë të rinj.
Shumë shprehen të zhgënjyer me rininë që ka mbetur.
“Hiqe atë mendje se tani ata janë pasiv. Nuk kanë motivim, rinia është prishur”, thotë një qytetar për mikrofonin e Report Tv.
Të tjerë e lidhin pasivitetin e të rinjve me zhvillimin e teknologjisë
“Këta kanë mend celularët, s'e kanë mendjen në asnjë”, mendon një qytetar.
“S'kanë gjë terezi, këto e kanë mendjen në Facebook, në TikTok s'do bëhen njerëz, jo s'ma merr mendja”, shprehet një tjetër.
Por, ka edhe nga ata që mendojnë krejtësisht ndryshe.
“Shumë të aktivizuar janë. Shumë të shkathët, shumë të mirë. Këtu bëhet ndryshimi vetëm nga të rinjtë. Këta të vjetrit nuk bëjnë gjë”, mendon ndryshe një qytetar.
Vet të rinjtë shprehen se janë të paktë ata që ndihen të motivuar për të kërkuar ndryshimin.
“Çdo djalë i ri apo edhe të rinjtë shohin sherre, budallallëqe. Nuk sheh asnjë shkollën, familjen, punën. Është prishur rinia. Po vetëm unë jam që e them se duhet ndryshim. Nuk është se e thonë shumë veta”, thotë një i ri.
Mosha mesatare sipas CENS 2023 është 42.5 vjeç duke pësuar rritje nga 35,3 vite që ishte në 2011. Vendi po plaket me ritme të shpejta. Të moshuarit 65 e më shumë vjeç zënë rreth 20 % të popullsisë, kush do të ngrihet për ndryshim?
Komente










