Biseda sekrete Rama-Meta
batuta për Nanon e kushtet

Biseda sekrete Rama-Meta<br />batuta për Nanon e kushtet
TIRANE- "Duhet të nxitojmë. Mediat kanë pritshmëri të madhe aq më tepër pas dy takimeve. Janë duke pritur poshtë. Por edhe zoti Nano ka takim me Fatmir Mediun”. Kjo ka qenë deklarata e fundit që kanë bërë katër eksponentët kryesorë të takimit të djeshëm në Sheraton, Edi Rama e Ilir Meta, të shoqëruar respektivisht nga Gramoz Ruçi e Petrit Vasili në mesditën e djeshme në hotel Sheraton. Dhe, sidomos batuta për Fatos Nanon ka shkaktuar hilaritet dhe të qeshura, ndoshta sikur kanë dashur të thonë se deri tani, nuk kanë vendosur asgjë për emrin e presidentit të ardhshëm, apo aq më tepër nëse ai do të jetë apo jo Fatos Nano.
Bisedat e djeshme mes dysheve respektive të PS dhe LSI, kanë qenë më së shumti formale.
"Zoti Rama, duhet të insistoni te reforma zgjedhore, reforma parlamentare dhe te Imuniteti" ka qenë pak a shumë "kërkesa" e Ilir Metës karshi kreut të PS. Sipas bisedave që janë zhvilluar brenda mureve të dhomës ku qëndruan, kanë dalë në konkluzionin se të treja reformat nuk mund të mbeten pezull vetëm se palët nuk bien dakord në disa gjëra teknike. Ashtu sikurse reforma zgjedhore, që ka mbetur te KQZ, por që në fakt, sipas asaj që është diskutuar në takim, mund të mendohet se është PS ajo që e bllokon vetëm se nuk bien dakord në një pikë.
Rama dhe Meta, e kanë pasur të qartë se kërkesat e amerikanëve dhe evropianëve, pas takimeve që edhe vetë ata të dy kanë bërë me zyrtarë të lartë të tyre kanë qenë për reformën në total dhe jo veç për presidentin. E sikur Meta të ishte pjesë e opozitës, në një nga sugjerimet e veta ka kërkuar që në pikat që ka kundërshtime në përgjithësi për reformën, të shkohet me dy modele për ti negociuar. Edhe Rama e ka përmendur në takim se edhe vetë komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle, e ka kërkuar me ngulm një gjë të tillë, sidomos atë të reformës zgjedhore. Meta ndërkohë në takim ka këmbëngulur se është shumë i interesuar për këto reforma, madje edhe nën "kërcënimin" se gjërat mund të shkojnë ndryshe edhe për presidentin nëse palët nuk angazhohen për reformat.
Por për shumë minuta Ruçi dhe Vasili kanë dalë jashtë sallës së takimit nën argumentin se do të pinin nga një cigare, ndërkohë që Rama dhe Meta kanë vijuar për një farë kohe të qëndrojnë vetëm, si për të vazhduar bisedat e lëna në mes në Gjirin e Lalzit rreth katër ditë më parë.

Atmosfera
Janë dashur plot katër vite marrëdhënie të akullta që kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetari i LSI Ilir Meta të takoheshin në mënyrë publike, në sytë e kamerave. Që në atë prill të vitit 2008, teksa ishin bërë ndryshimet në Kushtetutë me bekimin e Ramës dhe Berishës, dy liderët e dy partive të majta as dorën nuk ia kanë dhënë njëri tjetrit, përjashtuar pesë ditë më parë, në një darkë pune sekrete në shtëpinë në bregdet të liderit të LSI, lajm të cilin e përcolli në mënyrë të detajuar gazeta jonë ditën e djeshme dhe ku dhe në takimin e djeshëm është pranuar nga Rama dhe Meta që e kanë hedhur prapa krahëve të kaluarën duke parë nga e ardhmja dhe duke pranuar gabimet që kanë bërë ndaj njëri tjetrit. Sipas asaj që u tha edhe publikisht, dy krerët e partive, kanë rënë dakord dhe për hapjen e një faqeje të re bashkëpunimi mes forcave të majta politike. Zgjedhja e Presidentit, ka bërë që dy miqtë-armiqtë e vjetër të takohen pikërisht në hotel "Sheraton", teksa kishte kaluar mesdita e djeshme. Kureshtjen e mediave tepër të interesuara për këtë takim e ka shuar kreu socialist Rama, i cili ka mbërritur në vendin e takimit në orën 12.16 minuta, fiks 14 minuta përpara se të zhvillohej takimi me katin e tretë të "Sheraton". Me një makinë me targa TR3843R, i shoqëruar nga kreu i grupit dhe kryetar i Asamblesë së PS, Gramoz Ruçi kreu socialist Rama ka zbritur përpara gazetarëve, teksa ka përshëndetur duke mos preferuar të takojnë asnjë nga përfaqësuesit e mediave. I veshur me kostum blu, kravatë me lule në një këmishë të bardhë u ngjit menjëherë në vendin e takimit. Fiks në orën 12.30 mbërrin kryetari i LSI Ilir Meta, i shoqëruar nga nënkryetari i LSI dhe ministër i Shëndetësisë Petrit Vasili, i cili ka zbritur nga një makinë me tarkë TR4777U, duke takuar dhe gazetarët ka hyrë në vendin e takimit. I veshur me konstum gjysmë sportiv me ngjyrë 'blu saks', pa kravatë dhe me këmishë të verdhë si për të "xhelozuar" dikë pa përcaktim, numri një i LSI është ngjitur në katin e tretë ku zhvillohej takimi për të qëndruar mbi 50 minuta.
Dhe për të dalë më pas të dy përpara gazetarëve e duke dhënë në mënyrë të përmbledhur mesazhin pas takimit.

Ja çfarë është diskutuar pak a shumë mes tyre:
Rama: Unë i kam kërkuar këto takime me krerët e partive parlamentare për gjetjen e gjuhës së përbashkët për një proces konsensual për Presidentin, duke e avancuar këtë problem në funksion të integrimit në BE. Eshtë kërkesë imediate, ndërkohë që koha po afron dhe mendoj se arritja e një konsensusi të tillë do të çlironte shumë reforma, duke përfshirë dhe ngërçin për zgjedhjet e lira dhe të ndershme si dhe reformën në drejtësi.
Meta: Problemi është se procesi i zgjedhjes sëe Presidentit mund të diskutohet pas takimit me Berishën dhe është më i thjeshti. Me atë të vendoset për presidentin por dhe me LSI, por ka ende kohë.
Rama: Është dhe kërkesë e partnerëve tanë ndërkombëtarë që procesi i zgjedhjes së presidentit të jetë sa më transparent dhe të sjellë si produkt zgjedhjen e tij në mënyrë konsensuale.
Meta: Unë do dëshiroja që të përfundonim me reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe heqjen e imunitetit, pasi përgjegjësia do të të mbetej ty për bollokimin. S'ke pse mban këtë përgjegjësi, ndërkohë që je shprehur për këtë reformë. Nuk ka pse të qëndrohet peng për këto reforma. Pastaj janë duart e liruara për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Mendoj se duhet të realizosh dhe takimin me Berishën për këtë qëllim.
Rama: Unë pa diskutim që e vlerësoj shumë qëndrimin tuaj për këmbënguljen për përfundimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe heqjes së imunitetit për zyrtarët. Jam tërësisht dakort dhe e kam shprehur qartë dhe në mënyrë publike se reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme e nuk do të përbëjë asnjëherë kusht për të bllokuar procesin. Po ashtu dhe për reformën parlamentare dhe heqjen e imunitetit të deputetëve, gjyqtarëve e zyrtarëve të lartë, gjë që e kam diskutuar dhe me komisionerin Fyle dhe është një kërkesë e rëndësishme për integrimin. Por mendoj se në këto takime do të diskutohet për një gamë sa më të gjërë, përfshirë këtu dhe Presidentin. Është e rëndësishme që pa hyrë në emra, në procesin e votimit të hyjmë me një produkt konsensual.
Ruçi: Duhet që fryma e bashkëpunimit për reformat të jetë me një prioritet më afatgjatë, pasi përpos reformave kemi hyrë në vitin elektoral dhe...
Meta: Jemi marrë vesh me Ramën në darkën e para disa ditëve dhe i kemi evidentuar të gjitha përgjegjësitë tona mbi atë që ka ndodhur deri më tani në marrëdhëniet mes dy forcave tona politike. Ka pasur nxitime nga të dyja palët dhe moskuptime. Pra kemi lënë diçka me sens pozitiv për të ardhmen që ia vlen besojmë të zhvillohet më tej nën dritën e zhvillimeve të ardhshme.
Rama: Po, po. Eshtë biseduar gjërë e gjatë dhe është arritur krijimi i një baze, që mund të shërbejë për bashkëpunimin në të ardhmen, duke filluar nga reformat por dhe mundësia për konsensusin për një proces transparent për kreun e shtetit. E kaluara duhet hedhur prapa krahëve, duhet të shihet vetëm nga e ardhmja.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Ndodh pas dhjetë vitesh konflikti, 28 Nëntori bën bashkë 'Ballistët' dhe 'Shvercerat' në Tetovë: Mirë se vini vëllezër nga Shkupi

Ndodh pas dhjetë vitesh konflikti, 28 Nëntori bën bashkë 'Ballistët' dhe 'Shvercerat' në Tetovë: Mirë se vini vëllezër nga Shkupi