Bllokimi i transfertës 400 mijë $ drejt vëllait në Australi, reagon biznesmeni Gavoçi: Ja e vërteta ime

TIRANE-Biznesmeni i ndërtimit Aleksandër Gavoçi ka reaguar dy ditë pas sekuestrimit të 400 mijë dollarëve, që sipas policisë do t'i transferonte te vëllai, Ilir Gavoçi në Australi, por nuk i kishte të justifikuara me dokumente duke nisur hetimet për pastrim parash. Ilir Gavoçi, që do të priste shumën e madhe është një personazh mes fushës së biznesit dhe krimit në Shqipëri, pasi ka pasur disa herë probleme me drejtësisë shqiptare. Dënimi i fundit i tij është dhënë në fillim të muajit Shkurt 2007, ku gjyqtari Kreshnik Omari e ka pasur në bankën e personave të pandehur për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të 4 personave, por e shpëtoi nga burgu përjetë. Ndërkohë që biznesmeni i ndërtimit Aleksandër Gavoçi jep versionin e tij lidhur me atë që ka ndodhur.

Reagimi i plotë i biznesmenit Aleksandër Gavoçi
Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit është informuar lidhur me sekuestrimin e një shume monetare në një llogari bankare të shtetasit Aleksandër Gavoçi. Sipas policisë në këtë rast ka dyshime për pastrime të produktit të veprës dhe gjithashtu në këtë rast qëllimi ka qenë transferimi i këtyre fondeve jashtë Republikës së Shqipërsië, konkretisht në Australi. Këtij informacioni mediat i kanë shtuar edhe shumë informacione të tjera krejtësisht abuzive dhe tërësisht të pavërteta.

Faktet dhe e vërteta qëndrojnë si më poshtë:

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur sekuestro në llogarinë e një Notereje për shumën monetare 397,315.44 AUD (Dollarë Australianë). Kjo shumë monetare në këtë llogari është depozituar nga shoqëria “Shkodra Beton-Inert” Sh.p.k., në kuadër të një kontrate shitblerje, si pjesë e çmimit të kësaj kontrate (kësti i parë). Sqarojmë se në këtë rast këto fonde janë pronë e shoqërisë Shkodra Beton Inert Sh.p.k., dhe janë pjesë e çmimit të blerjes së një pasurie të paluajtshme që kjo shoqëri po e ble.

Policia në këtë rast ka vepruar bazuar në një referim rutinor verifikues i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave pa pasur asnjë indicie, të dhënë dhe asnjë fakt në lidhje me pastrim parash apo personat që përmenden në komunikatë dhe lajme të ndryshme.

Shoqëria “Shkodra Beton-Inert” Sh.p.k., është duke kryer një transaksion blerës të një pasurie të paluajtshme nga shitësit Z. Ilir Gavoçi dhe Znj. Marsela Gavoçi.

Kjo pasuri është e llojit Tokë arrë me nr. pasurie 440/131, Z.K. 2679, Sip. 4800 m2, me adresë Kthesa e Mazës, Autostrada Tiranë-Durrës, Km.0, Tiranë. Theksojmë se Shitësit janë individë që kanë cilësinë e pronarit të ligjshëm. Në kontratë çmimi është përcaktuar në Euro, në Lek dhe në Dollarë Australianë, për shkak se kjo është kërkesa e Blerësit. Sqarojmë se Blerësi jeton në Australi dhe si rrjedhim të ardhurat nga shitja i kërkon në monedhën e vendit ku jeton. Ç’ka është mëse normale në një kohë që ligji shqiptar e lejon plotësisht që palët të përcaktojnë monedhën dhe vendin në të cilën do të ekzekutohet kontrata. 

Palët për këtë transaksion kanë lidhur kontratën noteriale të shitblerjes me kusht me nr. 1320 rep., nr. 429 kol., dt. 15.05.2020, në të cilën kanë dakordësuar termat e shitblerjes në përputhje me ligjin. Kjo kontratë është noteriale, përcakton çmimin e plotë të pronës, këstet që duhet të paguhen, kur duhet të paguhen dhe çdo element tjetër të kërkuar dhe përcaktuar nga ligji. Kjo kontratë është e deklaruar dhe është depozituar edhe në Bankë për kryerjen e veprimit financiar. Njëkohësisht këtë kontartë dhe të gjithë dokumentacionin shoqërues të saj, si organet policore ashtu edhe DPPPP e kanë pasur dhe e kanë pasur edhe mundësinë e verifikimit shumë të thjeshtë se cilët ishin palët në transaksion dhe pozicioni ligjor i secilit. Konstatojmë se si organet policore ashtu edhe mediat kanë abuzuar duke ndryshuar elementë të këtyre veprimeve dhe duke publikuar emra të ndryshëm nga transaksioni real. Në këtë rast është abzuar duke publikuar se këto fonde po transferoheshin nga Z. Aleksadër Gavoçi ndërkohë që ky informacion është tërësisht i pavërtetë.

Sqarojmë se për të realizuar pagesën e cmimit të shitjes shoqëria “Shkodra Beton-Inert” Sh.p.k., ka siguruar fondet në formë huaje nga një shoqëri tregtare me të cilën ka bashkëpunime biznesi të vazhdueshëm, konkretisht shoqëria “Vega” Sh.p.k.

Për këtë arsye, midis këtyre shoqërive, sipas ligjit është përpiluar edhe një akt noterial konkretisht Deklaratë për Njohje Detyrimi nr. 1341 rep., nr. 437 kol., dt. 18.05.2020, në të cilën janë parashikuar dhe parashtruar të gjithë termat e huas në përputhje me ligjin. Në këtë rast veprimi është bërë noterial, i deklaruar dhe kjo marrëdhënie është e ligjshme, normale dhe s’ka asnjë element të paligjshëm apo dyshues. Është mëse normale që subjektet tregtare të ushtrojnë të drejtat e tyre duke hyrë në marrëdhënie juridiko-civile brenda parashikimeve ligjore (në këtë rast parashikuar nga neni 1050 Kodi Civil).

Sqarojmë se shoqëria VegaSh.p.k., huan që i ka dhënë shoqërisë “Shkodra Beton-Inert” Sh.p.k., e ka nga fonde të ligjshme të arkës së saj, të cilat siç provohet nga printimi i llogarive bankare, janë tërhequr kesh për nevoja të shoqërisë nga llogaria bankare dhe janë përdorur në këtë rast për dhënie hua. Konkretisht origjina e vlerave monetare është nga llogaritë bankare të ligjshme të Vega Sh.p.k. Origjina e këtyre fondeve është e ligjshme, e deklaruar dhe e kontrolluar. Këto fonde janë rezultat i veprimtarisë tregtare dhe të cilat i janë nënshkruar edhe taksimit sipas ligjit në Republikën e Shqipërisë. Këto fonde janë produkt i qarkullimit të lirë civil normal si cdo shoqërti tjetër tregtare. Shoqëria Vega Sh.p.k., ka tërhequr vlera monetare nga llogaritë e saj bankare, vlera monetare të cilat mundësonin kryerjen e veprimit të huas. Kjo shumë monetare ka origjinë nga punë dhe kontrata që shoqëria Vega Sh.p.k., ka kryer dhe ka në proces, punë të cilat janë të ligjshme, të deklaruar dhe në këtë rast nuk ka asnjë element të dyshimtë apo të çuditshëm. Origjina e këtyre fondeve është e ligjshme dhe e deklaruar plotësisht dhe e pasqyruar edhe në llogaritë bankare të shoqërisë Vega Sh.p.k. Çdo aludim, publikim apo keqinformim është në këtë rast keqdashës dhe në mungesë të theksuar profesionalizmi dhe etike.

Një aludim mediatik tërësisht i pavërtetë i ngritur në këtë rast është se këto veprime janë kryer për të transefuar në mënyrë të paligjshme jashtë vendit këto fonde. Sqarojmë se në këtë rast ndodhemi para një kontratë shit-blerje pasurie të paluajtshme dhe cmimi i kontratës nuk përbën transferim fondesh por pagim cmimi, çka është shumë normale dhe ska asnjë gjë të dyshimtë. Cdo ditë ka me qindra kontrata që cmimi transferohet jashtë vendit, kjo pasi shitësi ndodhet jashtë vendit. Në këtë rast shitësi banon në Australi dhe është mëse normale që cmimi të paguhet në vendin ku jeton.

Një aludim tjetër tërësisht abuziv dhe tërësisht i pavërtëtë është se në këtë rast fondet do ti transferonte Z. Aleksandër Gavoçi. Kjo është një gënjeshtër e fabrikuar me qëllim dëmtimin e imazhit dhe ska asnjë rrethanë të vërtetë. Edhe njëherë sqarojmë se këto fonde janë pjesërisht çmimi që përfiton blerësi dhe nga atjetër shoqëria Shkodra Beton Inert Sh.p.k., përfiton pronësinë e një toke, transaksion shumë normal dhe pa asnjë gjë të çuditshme.

Z. Aleksandër Gavoçi nuk është as blerës, as shitës dhe nuk ka lidhje me kontratat e lidhura. Duke qenë se Shitësi Z. Ilir Gavoçi është vëllai i Z. Aleksandër Gavoçi, dhe në raporte të mira familjare shitësi i ka dhënë vëllait të tij një prokurë për procedurat e shitjes, kjo pasi ndodhet fizikisht në Australi. Prokura është lëshuar në shtetin Australian dhe është për të nënshkruar kontratën në emër dhe për llogari të palës pronare. Fakti që Z. Aleksandër Gavoçi ka vepruar në kuadër të një prokure në emër dhe për llogari të vëllait të tij nuk e bën atë as përfitues dhe as palë në këtë kontratë.

Sqarojmë se në këtë rast Shoqëria “Vega” Sh.p.k., dhe shoqëria “Shkodra Beton-Inert” Sh.p.k., si dhe shitësi Z. Ilir Gavoçi nuk kanë fshehur asnjë veprim dhe të gjithë veprimet janë shoqëruar me dokumentat përkatëse shpjegues dhe justifikues si të orgjinës së fondeve ashtu edhe veprimet juridike përkatëse.

Në media është pasqyruar “lajmi” se këtë transfertë e ka dashur ta kryejë Z. Alkesadër Gavoçi ndërkohë që siç sqaruam këto aludime nuk qëndrojnë fare dhe Z. Aleksandër Gavoçi nuk është fare i përfshirë në këtë transaksion si palë.

Në këtë rast si policia ashtu edhe mediat kanë pasur mundësi të kryenin verfikime të informacioneve dhe të mos publikonin informacione abuzive. Sqarojmë se aludimi dhe hipoteza se këto fonde kanë origjinë nga veprimtari e paligjshme është një abuzim dhe inskenim tërësisht absurd, i pavërtetë dhe keqdashës. Shoqëria “Vega” Sh.p.k., është një shoqëri tregtare që klasifikohet si tatimpagues i Madh (VIP), ushtron veprimtari që nga viti 1999, ka një qarkullim tregtar, të ardhura dhe kapital mëse të mjaftueshëm për të pasur qarkullim në vlerat që ka dhënë hua, ka një kapital në vlerën 850.000.000 Lek, ka mbi 30 nipte sekondare, punëson direkt dhe indirekt me qindra e qindra punonjës dhe familje. Kjo shoqëri është një shoqëri me kapacitete të konsiderueshme dhe nuk ka vend për të pasur asnjë dyshim si për origjinën e vlerave monetare ashtu edhe për vetë transaksionin e shitblerjes nga dy palë të tjera. Të gjitha këto të dhëna janë lehtësisht të verifikueshme nga burime zyrtare dhe nuk ngrihet asnjë dyshim apo aludim për ndonjë lidhje kriminale. Si rrjedhim lind pyetja pse nuk janë kryer këto verifikime dhe pse nuk është sqaruar paraprakisht nga publikimi ky informacion? Qartësisht në këtë rast ka pasur një keqdashje dhe tendencë për të nxjerrë një lajm të pavërtetë dhe abuziv.

Në këtë rast të gjitha transaksionet janë reale dhe mëse të vërteta dhe orgjina e çdo vlere monetare është e ligjshme.

Në këtë rast policia dhe më pas prokuroria kanë keqinterpretuar nenin 208 dhe 210 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas këtyre parashikimeve ligjore sekuestrimi mund të vendoset me “vendim të arsyetuar” kur “sendet lidhen me veprën penale”.  Në këtë rast policia ka përhapur një informacion për “pastrim produkti të veprës penale” por ndërkohë nuk ka një vepër penale qoftë edhe të dyshuar. Pra, edhe logjikisht është një abuzim pasi kur nuk ka një vepër penale nuk mund të ketë edhe pastrimin e produkteve të një vepre inekzistente.

Në këtë rast vlerësojmë se këto sqarime do të hedhin dritë mbi publikimet mediatike krejtësisht abuzive, jo-profesinale, të pavërteta dhe që kanë për qëllim përbaltje dhe që nuk kanë asnjë lidhje me misionin e mediave që është informimi i publikur për lajme të vërteta.

Në ditët në vijim do të marrim edhe masat përkatëse ligjore për të sqaruar edhe institucionalisht këtë keqinformim.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • asl: 31/05/2020 10:25

    Korrupsion,korrupsion dhe vetem korrupsion eshte ky vend.Te gjitha llojet e mashtrimeve,kriminalitetit,abuzimeve i shikon dhe i jeton perdite.Evropa nuk pranon sharlatane dhe njerez me dy fytyra,gje te cilen nuk e keni kuptuar ju politikanet.Mjere populli me ju.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkup/ Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur

Shkup/ Rikthehen mosmarrëveshjet për Ballkanin e Hapur