KRITIKA PUBLIKE NDAJ EDI RAMËS
Në atë që ishte pjesa më interesante e bashkëbisedimit, Blushi lëshoi kritika konkrete ndaj Ramës, duke e konsideruar vendimin e tij për të kandidatuar për një mandat në zgjedhjet bashkiake të majit si një prej “gafave” më të mëdha politike ndonjëherë. “Në 2011-n, nuk mendoj se kemi humbur, por këto zgjedhje nuk duhen lexuar si zgjedhje të vërteta politike, edhe pse ishim ne që u përpoqëm t’I jepnim këtë frymë.
Askush nuk më bind që votat që kanë marrë demokratët në shumicën e komunave kanë arsye të përsëriten në 2011-n, siç dhe nuk jam i bindur që votat që kemi marrë ne në qytetet tradicionalisht djathtas, do t’I marrim përsëri. Kanë tjetër kontekst këto votime. 21 janari, 21 janari, manipulimet e shumë të tjera krijuan një ortek që na çoi të kërkonim një votë politike. Megjithatë, shqiptarët nuk votuan politikisht. Kjo ndodhi dhe në Tiranë, të paktën deri në ditën e fundit, në 14 maj. Më duhet ta them për herë të parë, por Tirana jetonte në depresion ën vitet e fundit, nga depresioni i një sanduiçi mes qeverisë dhe Partisë Socialiste. Qyteti mendonte se po sakrifikohej në një luftë politike dhe për këtë arsye nuk pastrohej mirë, s’kishte shumë investime, vende parkimi, etj, që nuk i vlejtën Ramës dhe PS. Në kushte të tjera, patjetër që do kishim më shumë vota. Dhe në kushtet e koalicioneve më të sakta. Rama s’duhet të kishte kandiduar dhe është e qartë që kjo ishte një gafë politike. i thamë që s’duhet të kandidonte, por me atë që bëri, ai tregoi se nuk pyet njeri. Tregoi se dëshiron më shumë pushtet nga ai që i takon, jo atij, por kujtdo prej nesh. Në 2013-n do të jetë kandiat për Kryeministër dhe me këtë ai i tha shqiptarëve që mund t’i bëjë të gjitha. Duke u futur vetë në zgjedhje, tregoi një akt megallomanie. Një koment që tha ai, përveç meje në PS s’ka kandidatë të tjerë, unë s’mund ta pranoj. Këtë se pranoj për askënd, as për vete. Çdo njeri zëvendësohet dhe kjo ndonjëherë mund të ketë efekt të mirë”.
BASHA DHE SHESHI
“S’patëm fat të shihnim të realizuar projektin e Ramës dhe ju siguroj se ai sheh me trishtim vonesën dhe konfliktin që nuk e bëri të realizonte projektin. Një ndër gjërat që do të donte të linte pas ishte vula në sheshin kryesor. Më vjen keq që nuk e pamë ëndrrën e Ramës me atë që kishim më parë dhe atë që kemi sot. Sheshi i sotëm, më leverdis sepse shkoj më shpejt në shtëpi. Nga aspekti funksional është më funksional. Plani estetik? Tirana s’meriton atë shesh dhe nëse ka një turp, për të gjithë krahët, që çdo ditë flasim për rrugë fshati, e shkolla majë mali, është që nuk bëmë dot sheshin qëndror të shtetit. Flasim çdo ditë për kredi e hua, kur paratë për sheshin i marrim borxh në Kuvajt. E pafalshme. Çmendon një shtet i huaj kur ti i kërkon para për sheshin kryesor të shtetit, kur korrupsioni është 100-fishi i vlerës së tij. Sheshi është funksional dhe i shëmtuar. Dua ta quaj naivitet, jo diçka tjetër, që s’mund të shkojnë tek busti i Skëndërbeut, siç kanë bërë breza shqiptarësh dhe besoj se kjo duhet të zgjidhet patjetër”.
PAKTI I MUNDSHEM ME LSI
I pyetur për mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim në zgjedhjet e ardhshme, Blushi komentoi: “është e vështirë të bësh sot një vlerësim, edhe sepse në tre vitet e fundit, LSI ka treguar tre fytyra të ndryshme. Të bësh marrëveshje me një njeri që ndryshon vazhdimisht nuk është e lehtë. Kjo gjë sot është e komplikuar. Pa dyshim, LSI është bashkëfajtore në një qeverisje të keqe. Duhet të përgatitemi edhe të shkojmë në zgjedhje edhe pa LSI-në. Pastaj, nëse do të ketë një pakt, nuk di të them nëse do të jetë pozitiv ose negative. S’jam orakull dhe se di se çfarë do të ndodhë”.
21 JANARI, “MUND TË KISHIM SHPËTUAR 4 JETË”
Duke folur mbi çështjen e 21 janarit, Blushi komentoi: “Kam qenë edhe në Shkodër, rastësisht, në dy prill 1991. 21 janari ishte shumë më keq, më i dhimbshëm dhe më i frikshëm. Nëse ka diçka që nuk diskutohet dhe e kanë parë live është që dihet se kush i ka vrarë. Eshtë Sali Berisha që vrau katër shqiptarë, që kërkonin një rrugë për të dalë nga varfëria. Ata shkuan të kërkonin qeverinë më të merituar, më të drejtë dhe një rrugë për të dalë nga varfëria, siç protestojnë sot gjithë popujt e Europës e nuk i prek njeri. As Gërdec, as 21 janar dhe asnjë krim që ka ndodhur së fundmi nuk ka gjetur zgjidhje. 21 janari pati edhe një pamje tjetër. Nenqoftese Saliu i vrau, ne mund të pengonim që t’i vriste sepse ne i thirrëm në demonstratë njerëzit. Kam bërë shumë mitingje, por kur i thërrisja, nuk qëndroja në fund, por në mes të atyre që thirrëm, siç na takon sipas zakonit”.
"NGUSHËLLIME PËR LEKA ZOGUN, POR..."
Partia Socialiste nuk ka reaguar zyrtarisht pas vdekjes së Trashëgimtarit për Fronin Mbretëror, Leka Zogun. Blushi komentoi: “Besoj që deputetë të niveleve të ndryshme do të marrin pjesë në homazhe në parlament. Mua më takon, meqë jam në publik t’i shprej ngushëllimet familjes dhe nëse bëj një koment të shkurtër, nderimet që po i bëhen janë të merituara, por kryesisht për shkak të emrit të familjes dhe të atit. Eshtë një figurë që historia s'i ka dhënë vendin që meriton. Mbetet kontraverse, por një prej shtetbërësve më të mirë që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Dritëhijet janë të shumta ama. Gjithsesi, përsa i përket Lekës, më vjen keq të them që ata që e nderojnë, e kanë përshtyrë në 1997-n. Monarkia është moment i kapërcyer. Familja Zogu është një familje e madhe dhe atdhetare, por debati për monarkinë është një çështje tjetër. Berisha rihapi derën për refendumin e monarkisë. Çështja e monarkisë është e mbyllur në gjithë Europën. Monarkia ishte në modë në vitet 1920 dhe prandaj Zogu u bë Mbret. Megjithatë, Shqipëria s’mund të rikthehet në monarki, kjo është një çështje e tejkaluar”.
ITENERARI I BLUSHIT NË PS
“Itinerar shumë i gjatë, për të cilin nuk flas dot po kaq gjatë. Unë nuk jam tërhequr, por kam dhënë dorëheqjen në 2007-n. Preferova të marr atë dështim edhe pse nuk kisha asnjë përgjegjësi. 6 socialistë votuan për Topin dhe unë dhashë dorëheqjen për shkak të moralit. Atëherë isha një ndër 40 e ca deputetet e PS-së. Vendosa të merresha me letërsi. Pas 30-40 vitesh, në jetën time s’do të ketë rëndësi dorëheqja, por librat po. Në vitin 2009, ka patur një keqkuptim të madh për shkak të tensionit dhe panikut që na kapi të gjithëve. Nuk menduam se do të ishim përsëri në opozitë. Kishim bindje të madhe dhe frymëzim për ardhjen në pushtet. Mungesa psikologjike na futi në një tunel, dhe ku s’ka dritë, njerëzit zihen, i vënë stërkëmbësh njëri-tjetrit. Unë them edhe sot që në 2009-n, nuk ishin të gjitha arsyet e humbjes në kuti. Rama thotë të kundërtën. Ky është ndryshimi ynë. Humbja nuk u kushtëzua vetëm nga manipulimi, por edhe nga mungesa e një programi të besueshëm, realist, funksional, të vërtetë dhe koalicionet e gabuara. Për këto arsye duhet të merrte përgjegjësi si kryetar. Si pozicion unë nuk kam lëvizur dhe koha më dha pak të drejtë, sepse unë kam kërkuar një program më të mirë dhe më majtas, siç po bëhet tani. Nuk mund të ishim përtej të majtës dhe të djathtës. Shqipëria i urren të varfërit, i torturon, i shfrytëzon, etj.. Program përgjithësisht majtas ishte ai që duhej”.
VOTA PRO FULLANIT
Disa ditë më parë, kur në parlament u votua për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj dhe Ben Blushi ishin te vetmit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste që vetuan pro. “Fullani pro, është një votë që ka dimension miqësor. Jam mik prej shumë vitesh me të dhe nja një dimension eksluzivisht miqësor. Nuk më intereson paragjykimi, le të mendohet si të duhet”.
“NUK KA RIVALITET PËR KREUN E PS”
Në “Top Story”, Blushi hodhi poshtë zërat për një interesim të tij të mundshëm për kreun e Partisë Socialiste. “Rama është kryetar i PS-së, i kandiduar në 2003-shin me votën time publike, edhe pse isha pjesë e qeverisë Nano. Në 2003 dhe 2005 e kam votuar pro. Në 2009-n nuk kam votuar për Ramën, sepse mendova që humbja e zgjedhjeve duhet të merrte përsipër përgjegjësi. Ai s'duhet ta kishte atë kredi që të jep vota. Sot, shumica e ka zgjedhur dhe unë i bindem shumicës”.
LËVIZJA E MENDIMIT NDRYSHE
Deputeti Blushi foli edhe për kritikat e forta që ka adresuar kundër lidershipit të PS-së, sidomos pas zgjedhjeve të 2009-s dhe në fillim të 2010-s. “Ka patur njerëz që më kanë thënë pse kritikon më shumë PS-në se sa qeverinë? Ka patur moskuptime nga 2009-2010 pse unë dhe kolegët e mi e bënim këtë gjë. Në 2009-n kam pyetur veten, ku po shkojmë? Presioni që vinte nga shumica e PS ishte shumë radikal dhe shumë përjashtues. Nuk u largova dhe zgjodha heshtjen. S’e bëra se nuk doja të ndihmoja Saliun dhe zgjodha t’i jap kosto profilit tim politik. Nëse e famshmja LMN do vazhdonte, sot do kishim parti tjetër, të vogël të majtë por të padobishme, mund të ishte shumë e dobishme vetëm për Saliun, jo për PS-në”, deklaroi zoti Blushi.
VIZIIONI PER PUSHTETIN
“Kam dy matësa për ardhjen në pushtet: 2009-ta, nuk morëm vota sa duhet sepse nuk u thamë shqiptarëve se cfarë do bënim ne për ta. Matësi i dytë Kongresi i 5 nëntorit ku u prezantuan disa ide se cfarë duhet bërë, cfarë duhet për të ndryshuar në Shqipëri për të luftuar varfërinë. Këto ide na kishin munguar në një masë të gjatë kohore. Ky kongres tregoi se PS ka nisur të mendojë. Nëse PS vjen në pushtet në mënyrë të merituar, Rama vjen në pushtet në mënyrë të merituar, nuk kemi hall të bëjmë Ramën kryeministër, por të sjellim PS-në në pushtet, nuk është qëllimi ynë dhe nuk duhet të jetë, që të bëjmë Ramën kryeministër. Duke bërë një politikë modeste, mund të qeverisim pas 2013-s. S’duhet të vijmë në pushtet si revolucionarë, si triumfatorë, ne do përmbysim një qeveri, por jo një regjim” , u shpreh Ben Blushi.
NDRYSHIMET KUSHTETUESE DHE ZGJEDHJA E PRESIDENTIT
“Nuk jam pishman për ndryshimet kushtetuese. Unë nuk votoj Topin për president sepse kjo dihet. Ky njeri është i papërshtatshëm për këtë detyrë, edhe sot është i papërshtatshëm. Ky njeri u ka munguar datave kulmore të mandatit të vet, nuk ka shprehur mendimin e tij lidhur me Gërdecin, 21 Janarin etj etj. Konflikti mes Topit dhe Berishës ka nisur që kur u bënë ndryshimet kushtetuese, sepse Topi kuptoi që zgjedhja e presidentit me 71 vota do t’i pamundësonte atij rizgjedhjen në postin e presidentit. Sjellja jonë përsa i përket zgjedhjes së presidentit nuk mund të jetë dot kushtëzuese, duke ditur që ne s’i kemi 71 vota.Në këto kushte duke respektuar gjithë dinakërinë e lojës parlamentare ne duhet t’u ofrojmë shqiptarëve një identikit parimor të presidentit që meriton Shqipëria. Presidenti që do zgjedhje Saliu do jetë kundër interesave të shqiptarëve. Fatkeqësisht ne nuk kemi numrat të propozojmë emra për president”, mbylli fjalën e tij zoti Blushi.
(burimi Top channel)