Blushi: Në 2013 kundër
Berishës, jo rival me Ramën

Blushi: Në 2013 kundër <br />Berishës, jo rival me Ramën
TIRANE- Një ndër drejtuesit më të rëndësishëm të PS, Ben Blushi, në një intervistë për emisionin "Opinion" me një panel 4 gazetarësh të tjerë ka folur për marrëdhëniet me Ramën, platformën e PS dhe zhvillimet politike në vend.

Marrëdhëniet me Ramën. Doja t'ju pyesja se çfarë ka ndodhur realisht mes jush. Apo s'ka ndodhur?
Jo, gjërat kanë qenë publike. Ky është një raport që ka qenë shumë publik në ditët e veta të mira dhe të këqija, kështu që nuk ka gjëra poshtë tavolinës. Çdo gjë, për çështje programesh, çështje koalicionesh ka qenë publike. Tani nuk e fsheh dot, ka një mirëkuptim më të madh, sepse ka afrim më të madh qëndrimesh.
Një vit para zgjedhjeve...?
Mund të ketë lidhje dhe me zgjedhjet. Kjo është normale. Presioni i zgjedhjeve është i pashmangshëm për profesionin që ne kemi. Në fakt, kjo është e vërtetë për çdo lloj profesioni. Presioni i zgjedhjeve, në kuptimin e mirë të fjalës, vlen për të koncentruar qëndrimet, për t'i afruar aq sa mundet edhe sikur vetëm për të shkëmbyer apo për të pranuar gjëra që nuk kanë funksionuar. Ka ndodhur dhe te ne kjo po ndodh.
S'keni qenë pjesë e tryezave që z.Rama ka bërë për prezantimin e pjesëve të ndryshme të PS. Ju e konsideroni veten bashkëpunëtor apo rival të Ramës në PS?
Unë besoj se ajo që na bashkon më shumë sesa çdo gjë është nevoja për të fituar zgjedhjet më 2013-n. Shpesh kam nevojë ta shpjegoj këtë. Jo nevoja për të fituar zgjedhjet si zgjedhje. Ne duhet t'i shohim zgjedhjet si mundësi për të zbatuar pikëpamjet tona për ndryshimin e vendit. Ky është qëllimi në fund të fundit dhe nuk besoj se protagonizmi im, apo i kujtdo tjetër në PS, lidhet shumë me daljen në publik, apo pjesëmarrjen në tryeza të ndryshme.
Z.Blushi, ju dhe z.Rama një vit para zgjedhjeve të 2009, dhe ju dhe Rama një vit para zgjedhjeve të 2013-s. Keni qenë atëherë më kompakt, apo jeni sot?
Ajo që unë mund të them është se jemi më të pjekur se para 3-4 vitesh. Vijmë nga disa eksperienca elektorale, të cilat s'do të donim të na ndodhnin. Nuk erdhëm në pushtet në 2009-n, kemi pasur një palë zgjedhje të vështira vitin e kaluar. Në këtë kuptim jemi më të pjekur, besojmë se e njohim Shqipërinë më mirë në përgjithësi. Kemi distancë më të mirë me kohën, me ato që s'do duhet t'i kishim bërë, me ato që i kemi bërë, apo me ato që s'kanë qenë shumë funksionale. Besoj se jemi pak më të vlefshëm jo vetëm për vete, por për Shqipërinë, sepse në fund të fundit politikanët çfarë vlere kanë nëse nuk janë funksionalë.
Ju keni qenë kundër ekstremizimit të së majtës...?
Unë për asnjë sekondë nuk u iki qëndrimeve që kam mbajtur. Nuk më shkon kjo gjë dhe për sa kohë që jam i bindur se shumica e qëndrimeve që kam mbajtur kanë qenë korrekte dhe koha i ka provuar si të drejta, aq më pak kam arsye për t'u shmangur.
Pra, kemi një pjekje të pjesës tjetër të PS?
Kjo nuk ka lidhje vetëm me mua. Mendoj se presioni nga jashtë, nga ndërkombëtarët dhe presioni nga brenda PS, nga disa deputetë, nga një pjesë jo e vogël, gati 30 për qind e PS, ndikoi që PS të hyjë në Kuvend, të marri pjesë në votimin e ligjeve, të perceptohet, të paktën si një parti që e mbështet integrimin europian më shumë sesa më parë dhe me një linjë të moderuar që sot po jep frytet e veta.
Jeni afruar ju më shumë me Ramën, apo Rama me ju?
Nuk më shkon për natyrë që të jem kokëfortë dhe të them se ajo që kam thënë është më e mira.
LMN e la pezull punën e saj apo i arriti qëllimet?
E ashtuquajtura LMN, është një gjë që unë nuk para e përdor si shprehje. Ajo arriti të ndikojë që qëndrimi i PS të ndryshojë. Për çfarë, PS hyri në Parlament, flasim për një kohë kur ishte në bojkot, të shkojë nga rruga në institucione, të ketë një qëndrim më të moderuar për miratimin e disa ligjeve të domosdoshme për integrimin në BE. Të ketë një nivel më të lartë të demokracisë së brendshme. Këto janë disa nga elementët kryesorë, për të cilat ne kemi debatuar përgjatë vitit 2009-2010.
Ka dhe që u përjashtuan?
Sigurisht ka që u përjashtuan dhe më vjen keq që dikush pagoi çmimin e të gjithëve ne. Nëse dikush duhej përjashtuar mbase duhet të isha unë i pari. Unë i kam dhënë PS më shumë arsye për t'u përjashtuar. Kjo nuk do të thotë se kishin të drejtë apo arsye të më përjashtonin, siç nuk kishin të drejtë kur përjashtuan ata që përjashtuan.
Është i padrejtë përjashtmi i Kastriot Islamit?
Sigurisht. Pa dyshim, sepse Kastriot Islami është përjashtuar nga partia për diçka që e mendonin si ai shumë vetë.
Pse ta marrim si ndikim të LMN. Mos z.Rama gjykoi vetë se ishte më mirë kështu, të fuste një ditë deputetët në Kuvend, një ditë tjetër të votonte ligjet...?
Do të ishte më mirë nëse është kështu si thoni ju, sepse na jep shpresë se në përgjithësi politikanët marrin vendimet duhura. Besoj se presioni ndërkombëtar dhe presioni i brendshëm, i disa deputetëve brenda PS kanë ndikuar që të ndryshojë trajektorja.
Ju këtë e keni ditur, z.Rama iu desh dy vite për ta mësuar?
Askush nuk ecën me të njëjtin ritëm.
Një vit para zgjedhjeve çfarë po bëni ju për të qenë pjesë e suksesit të mundshëm, apo dështimit të pritshëm të PS?
Tipologjia njerëzore është e ndryshme dhe unë nuk hyj tek politikanët që janë muskulozë. Ajo që po bëj është që marr ngarkesën e duhur brenda PS. Ne kemi një ndarje organizative, nuk e di sa interes ka kjo gjë për ju. Kemi ndarë punët në territore, unë mbuloj një territor të caktuar.
E keni mbështetur Ramën për ndarjen e re të deputetëve në zona?
Mund të them se, s'ka ndonjë gjë për të fshehur, unë jam konsultuar me z.Rama për këtë zhvendosje, për sa më takon mua jo të tjerët. Ka qenë diçka që po e them sot, që nëse unë nuk do të doja, kjo s'do ndodhte. S'mund të ndodhte që unë të zhvendosesha nga territori i Korçës, ku unë jam zgjedhur prej mandatesh, nëse unë nuk do të doja.
Ju propozoi Rama apo...
Ishte një konsultë e përbashkët. Kishim disa mundësi. Unë zgjodha Elbasanin, për disa arsye që s'ka rëndësi t'i them, por besoj se është një qark jetik e kjo më stimuloi më tepër për ta zgjedhur. Po të keni parasysh në vitin 2009, ne kemi dalë barazim në Elbasan.
Pse e mbështesni Ramën në këtë pikë?
Unë nuk mbështes Ramën, mbështes principin. Principi është që pas 10 apo 11 vitesh siç është rasti im, ka deputetë që kanë qenë dhe më gjatë në zona të tjera, është mirë që të lëvizi. Kini parasysh që këto s'kanë qenë vite të thjeshta për ne. Nga viti 2001 deri në vitin 2005 kur ne humbëm zgjedhjet, s'ishte shumë e lehtë që menaxhoje interesa elektorale shumë normale. Nga viti 2005 e deri më sot aq e vështirë është t'u përgjigjesh interesave jetike të zgjedhësve. Gjëja më e mirë në këto raste është të lëvizësh dhe shumë prej nesh e kanë bërë këtë.
Më 2009 kishit argumente të ndryshme nga Rama për humbjen?
Rama mendonte se disa arsye janë në kuti, unë mendoja se disa arsye janë jashtë kutive dhe ne mund të flasim sot për arsyet që janë jashtë kutive, sepse kutitë s'u hapën. Më vjen mirë ta them, por ajo që thashë në 2009-n sot u vërtetua, ne po flasim për arsyet jashtë kutive.
Në shkrimin e tuaj, nga shumë komente u quajt platformë, por Rama s'e quajti platformë?
Fakti që Rama se quan platformë, mua do të më detyronte ta quaja platformë. Por në fakt janë teza, janë opinione, është detyrim im për të menduar dhe për të shkruar.
Do të shtohen radhët e koalicionit?
Po, sot kemi disa parti që s'i kemi pasur më parë në vitin 2009, Ngjela, Koçi, Ndoka, etj. Ne kemi thënë që në 2009 s'kishim trenin e duhur elektoral për të marrë.
Në platformën tuaj flisni për të majtën, ndërkohë në koalicion keni nga të gjitha ngjyrat politike...?
Nëse parti të tjera, që mund të jenë të rreshtuara djathtas, rreshtohen me ne dhe fitojnë zgjedhjet me ne, pa kërkuar koncesione programore dhe pa na kërkuar ne që të deformojmë në interesat të tyre programin tonë kjo është një zgjidhje e mirë pragmatiste.
A nuk mendoni se koalicionet për të larguar këtë qeveri duhet të shtrihen përtej së majtës dhe të djathtës?
Absolutisht që po, është i nevojshëm ndryshimi i qeverisë përtej kufijve ideologjikë. Mund të bëhet një rreshtim pragmatist pa marrë parasysh ideologjinë, por për sa kohë kjo gjë s'funksionoi siç ne prisnim në vitin 2009 dhe në vitin 2011, unë besoj se duhet t'i kthehemi ideologjisë për sa kohë që ajo vlen. Unë besoj që vlen. Nëse kjo nuk funksionoi në 2009, ka arsye të rishikojmë qëndrimin tonë në raport me doktrinën. Unë besoj se nuk dha atë që prisnim dhe për sa kohë që ajo nuk përsëritet më si tezë do të thotë që e konsumoi veten. Ne duhet të gjejmë instrumentet e duhura për të ardhur në pushtet, nëse besojmë se disa që kemi përdorur janë konsumuar ndaj duhet të rithemelojmë qëndrimin tonë në raport me shqiptarët dhe në raport me ato që përfaqësojmë ne.
Po pse teza Blushi dhe jo Rilindja Shqiptare. Ku ndryshojnë?
Po ne nuk konkurrojmë në këtë gjë. Ndajmë të njëjtat parime dhe nuk jam futur në garë me askënd në PS. Unë shpreh publikisht mendimet e mia për të majtën dhe diferencën e majtë e djathë. Unë nuk kam arsye të shpjegoj atë që kam shkruar, por, nëse ky tekst ka një arsye, e di kush është; të përpiqet të bindë ata që e lexojnë se përse ia vlen sot të votosh më shumë për të majtën.
A është një korrigjim i Rilindjes Shqiptare?
Me aq sa unë kam lexuar, vetëm dy tekste në botë janë të pakorrigjueshme, Kur'an-i dhe Bibla dhe Rilindja Shqiptare nuk mund të jetë një doktrinë e parashikueshme.
Në tezat tuaja, a ka një përpjekje për të rishikuar marrëdhënien e së majtës me brezat?
Elektorati i PS në fillim të pluralizmit ka qenë shumë më i konsoliduar dhe rezultatet elektorale e tregojnë këtë gjë. E para, ishte një brez më i shtyrë dhe i lidhur me shumë me luftën. Pavarësisht se ishin të gjithë të pakënaqur në vitin 1991 ne trashëguam më shumë votues se e djathta dhe e trashëguam këtë depozitë deri në vitin 2000. Në vitin 2000 s'ishte kështu, humbën zgjedhjet në 2001, humbëm zgjedhjet në 2005, sigurisht që ka lëvizje tektonike të elektoratit për shkak se PS nuk iu përgjigj dhe nuk po u përgjigjet brezave.
Po Rilindja Shqiptare nuk i jep përgjigje kësaj?
Rilindja Shqiptare është një dokument i cili testohet në 2013-n, pra nuk ka hyrë në një filtër zgjedhor dhe është i patestuar. Për sa kohë që është i pavotuar kemi arsye të mendojmë se është më i miri në treg.
Ju flisni për të majtën, Rama bën program për ish të përndjekurit dhe pronën, që janë të së djathtës?
Duhet të bëjmë një diferencë ideologjike dhe të atyre që quhen të drejta. Të kthesh sot pronën që ta ka shtetëzuar komunizmi, s'do të thotë që je i majtë apo i djathtë, do të thotë që i jep një të drejtë. Po nëse unë jam për taksën progresive dhe ju për taksë të sheshtë do të thotë që kemi ndryshime ideologjike.
Po kjo nuk është vetëm çështje e së drejtës?
U them unë si kthehen pronat në Shqipëri, duke mos i vjedhur. Sot pronat po vidhen. E vetmja mundësi për të kthyer pronat është që qeveria të mos vjedhë pronat. Ajo që nuk vidhet kthehet.
Në lidhje me programin e PS dhe tezat tuaja, ju jeni një lojtar i ekipit të Ramës...?
Unë nuk jam lojtar i ekipit të Ramës, jam lojtar i ekipit të PS. Edi Rama nuk është pronar i PS, është administrator. Çfarë po bëj unë sot këtu? Po kërkoj votat për PS. Nëse ju mendoni se po kërkoj vota kundër Edi Ramës e kini gabim.
PS, a shpreson realisht të Topi dhe Spahiu?
Do të përgjigjem ashtu siç do të donte z.Topi t'i përgjigjesha. Ku ka futbollist që s'shpreson në 90 minuta që një nga kundërshtarët do të bëjë gol në portën e vet. Ky është rasti ynë me z.Topi. Pra, z.Topi në 2013-n do të bëjë gol në portën e vet, do të bëjë autogol.
Kjo është një shpresë..
Kjo është diçka që e shohin të gjithë, sepse ai është nisur drejt portës së vet. Ka marrë topin dhe po shkon drejt portës së vet, jo drejt portës sonë. Këtë gjë e shihni e besoj se nuk e kundërshtoni.
Mund të bashkëpunojë PS me Topin dhe Spahiun?
Unë mund t'ju them një gjë, që me atë që duket sot. Siç janë rreshtuar palët, majtas dhe djathtas, mesa duket do të shkohet në këto zgjedhje me tre pole, me tre koalicione, dy të mëdha dhe një më të vogël. Do të jetë koalicioni i Qeverisë, koalicioni i PS dhe koalicioni, nëse do të jetë koalicion, i disa partive që nuk duan të jenë as me ne e as me PD. Unë këtë mendoj që do jenë dy koalicione të mëdha e që i treti do të hajë më shumë nga e djathta.
Do të shkoni në zgjedhje pa LSI?
Ne do të shkojmë në zgjedhje me koalicionin që jemi sot. Po ua them me bindje, askush prej nesh nuk ushqen paranojën, as frikën dhe as nevojën që pa LSI nuk fitohet. Jo, pa LSI fitohet ndoshta më mirë.
Për shkak të numrave e shihni të mundshëm një koalicion me Topin dhe Spahiun?
Varet për çfarë flasim, para zgjedhjeve, apo pas zgjedhjeve.
Pas zgjedhjeve?
Meqë shumë njerëz e perceptojnë, e perceptojnë sepse nuk është aspak e vërtetë, se z.Topi qenka aleati ynë, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Nëse ne duam t'i bëjmë një dëm z.Topi, është ta marrim në koalicion tonë. Ne nuk kemi arsye ta bëjmë këtë dëm, sepse koalicioni jonë është i mjaftueshëm. Të nesërmen e zgjedhjeve ne besoj se do të kemi 71 vota (në Kuvend). E para, besojmë së me anë të ndryshimit të disa elementëve të administrimit të zgjedhjeve do të mbrojmë votat tona më mirë.
Gjykoni se mund të ketë krizë gjatë zgjedhjes së Presidentit? Çfarë prisni këtë verë?
Unë pres që të mos ketë një president të PD.
Z. Nano do t'i kënaqte ambiciet e PS për një president jo të PD?
Çdo deputet i PD dhe, nëse s'jam gabim sot janë 66 të PD, do të ishte Presidenti më i keq, në raport me çdo kënd që është në atë sallë apo që nuk është në atë sallë. Kjo është ajo që mendoj unë dhe është një gjë e papranueshme për ne. Ne e kemi të papranueshme që PD të akumulojë aq shumë pushtet sa të zgjedhë një president brenda byrosë së saj. Unë s'jam pishman që ndryshuam Kushtetutën. Unë kam votuar dhe nuk jam penduar. Edi Rama nuk ka votuar se nuk ka qenë deputet. Ndryshimet Kushtetuese unë i mbroj. Unë kam qenë për një president nga populli, një variant i sabotuar për fat të keq nga të dy partitë.
Znj. Topalli, është një kandidaturë për t'u konsideruar nga PS?
Jo. Znj. Topalli nuk është një kandidaturë, e PS sigurisht që s'mund të jetë.
Ju e kini me emrin konkret apo me faktin që s'duhet të jetë nga PD? Mes Topallit dhe një emri tjetër nga PD...?
Nuk do të zgjidhja asnjë.
Mund të jetë një propozim i PS?
Sigurisht që mund të jetë, por kjo duket e pamundur në këto kushte.
Nëse Rama humb në 2013 jeni të gatshëm të merrni një pozicion më të lartë se anëtar i Kryesisë në PS?
Do të përfundojmë në fund 140, por do të jemi rreth 1000 e ca shqiptarë që do të kemi dy mundësi për të ndikuar në zgjedhje, edhe të zgjidhmi edhe të zgjedhim, sepse kur kandidon zgjidhesh, kur voton zgjedh. Ne do kemi dy mundësi, unë dhe do zgjidhem dhe do të zgjedh. Unë po them pse po shkoj në këto zgjedhje. Unë s'do të shkoj për të hequr Edi Ramën, por për të hequr Sali Berishën.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Jasir Asani zbulon prapaskenat: Pa kaluar kufirin isha i Kukësit, më pas vendosi telefonata

Jasir Asani zbulon prapaskenat: Pa kaluar kufirin isha i Kukësit, më pas vendosi telefonata