Nga 1 korriku pensionistët përveçse do të marrin indeksimin e pensionit me 2.7%, do të përfitojnë edhe një bonus vere prej 5 mijë lekësh. Vendimi është miratuar në qeveri, dhe prej tij parashikohet të përfitojnë 777 mijë qytetarë.

“Vendosëm të akordojmë një bonus për pensionistët, do të jetë bonusi i verës me vlerë 5000 lekë. Janë mbi 777 mijë pensionistë që do të përfitojnë nga ky bonus”, tha ministrja.

Ministrja Ibrahimaj tha se për shkak të rritjes së të ardhurave mbi pritshmëritë ndikuar edhe prej çmimeve të larta, u vendos që të jepet për herë të parë një bonus vere.

“Efekti financiar i këtij bonusi është rreth 3.7 miliardë lekë. Do të vazhdojmë të kemi vëmendje të shtuar për të ardhurat e pensionistëve. Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit. Ai do të nisë të shpërndahet nga dita e nesërme. Bonusi i shtohet bonusit që pensionistët janë duke marrë që nga janari”, tha Ibrahimaj.

Gjithashtu nga 1 korriku pensionet indeksohen me 2.7%, dhe fatura totale për të mbuluar këtë proces do të jetë 2.5 miliardë lekë, prej të cilave 872 milionë lekë janë shtuar me aktin normativ që ju bë buxhetit të shtetit. Ndërsa qeveria synon që në 2027-ën indeksimi të ndodhë në muajin prill.

Brenda muajit korrik qeveria thotë se do të ketë gati edhe draftin e parë të skemës së re të pensioneve që po bëhet me asistencë të Bankës Botërore, dhe brenda shtatorit do të jetë gati reforma finale.