E pyetur për masat e qeverisë lidhur me rikthimin e çmimeve të naftës dhe produkteve ushqimore, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se Bordi i Transparencës do të qëndrojë derisa çmimet të rikthehen në nivelin e parakrizës, si rrjedhojë e ndryshimit në bursë.
Sa për ndihmën ndaj shtresave në nevojë, Ibrahimaj tha se në rast se do të nevojitet ndërhyrje, nuk do të ndryshojë çmimi i energjisë elektrike. Në produktet e shportës nuk është shfaqur ende një rritje e konsiderueshme, tha ministrja.
“Sa i përket rikthimit të çmimeve në nivelet e parakrizës, ne kemi ngritur Bordin e Transparencës në të cilin përcaktojmë çmimet (disa) ditore në varësi të luhatjeve të bursës. Do ta mbajmë Bordin të ngritur derisa çmimet të stabilizohen në nivelet e parakrizës. Kjo është një garanci që ndryshe nga ç’ndodh në përgjithësi në momentet kur rriten çmimet, do të kujdesemi që çmimet e karburanteve të rikthehen në nivelet e parakrizës, sigurisht nëse bursat do të rikthehen në nivelet e parakrizës sepse ne jemi vend importues i karburanteve.
Sa u përket ndërhyrjeve në suportin e shtresave në nevojë, karburantet në shportën e konsumit kanë një peshë prej 2% dhe bëhet fjalë për peshën e një familje mesatare shqiptare, dhe jo për peshën që këto produkete kanë në familjet e shtresave në nevojë apo pensione. Kemi gjykuar që për pensionistët dhe shtresat në nevojë çmimi më i ndjeshëm është energjia elektrike dhe shporta bazë e ushqimeve. Nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje, siç kemi bërë më parë në krizën e kaluar, nuk ndryshuam çmimin e energjisë dhe ndërhymë në disa paketa mbështetëse për kategoritë në nevojë. Jemi duke monitoruar çmimet, fatmirësisht nuk ka pasur ende një ndikim domethënës në këto tregje, por do të vijojmë t’i ndjekim”, tha Ibrahimaj.
Lajmi kryesor:
Rritje e produkteve të shportës, Ibrahimaj: Monitorim kundër abuzimeve, por s’ndërhyjmë dot! Bordi për naftën në fuqi deri në rikthimin e çmimeve para krizës












