Paraqitet për herë të dytë në Gjykatën e Posaçme në procesin për konfiskimin e pasurive të Ervis Martinajt, u paraqit babai i tij, Mustafa Martinaj. Bëhet fjalë për procesin e konfiskimit të 34 pasurive të Ervis Martinaj dhe personave të lidhur me të, që përllogariten në vlerën e 10 milionë eurove.  Seanca u shty sërish për mungesë të dy avokatëve.

Mustafa Martinaj tha jashtë seancës, në bisedë me gazetarët, se nuk ka asnjë lëvizje të autoriteteve sa i takon zbardhjes së ngjarjes për zhdukjen e djalit të tij, Ervis Martinaj.

“Nuk duan ta zbardhin, prandaj e lënë në Kurbin, pasi ua kam dhënë koordinatat e sakta dhe emra konkretë”, tha ai.

Mustafa Martinaj tha se pjesë e interesit për moszbardhjen e ngjarjes janë drejtues të policisë kriminale gjatë viteve të fundit.

“I kam thënë të gjitha në SPAK kur erdha dëshmova me kërkesën time, askush nuk është interesuar që atëherë”, përfundoi Martinaj.

Në tetor të 2025-ës, babai i Ervis Martinaj bëri edhe një lëvizje në Gjykatën e Lezhës, ku kërkoi që djali i tij të shpallet zyrtarisht i zhdukur, çështje e cila ende nuk ka vendimmarrje. Për Prokurorinë e Posaçme, përsa kohë nuk ka asnjë provë që të faktojë të kundërtën, Ervis Martinaj konsiderohet i gjallë.

Ervis Martinaj është i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me urdhër të SPAK, pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani i cili ndër të tjera ka thënë se Martinaj e kishte paguar 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen.