Boston, 23 qershor’44: SHBA ndahet
me komunistët por edhe me Zogun 

Boston, 23 qershor’44: SHBA ndahet<br />me komunistët por edhe me Zogun 
Në fjalimin e gjatë të Fan Nolit në funeralin e Faik Konicës u bënë dy deklarime që habitën jo vetëm një pjesë të të pranishmëve, por edhe vetë Uashingtonin. E para ishte: “Zogu e emëroi përsëri Faikun si përfaqësues të tij në Uashington dhe kërkoi njohje zyrtare të qeverisë shqiptare në mërgim. Faiku i shkroi menjëherë Departamentit të Shtetit në emër të Mbretit Zog lidhur me njohjen dhe ky ishte akti i fundit i tij”. Deklarata e dytë qe: “Qeveria amerikane ka vendosur ta dërgojë trupin e Konicës në Shqipëri në kohën e duhur pasi të ketë mbaruar lufta. Ndere të tilla zakonisht u bëhen vetëm diplomatëve të huaj që kanë vdekur në shërbim aktiv. Sido që të jetë, ne e vlerësojmë thellë këtë gjest të bukur të qeverisë amerikane dhe e dimë se Faik Konica e meriton atë plotësisht”.
Por sipas librit të Ilir Ikonomi për Faik Konicën “Më 22 dhjetor Noli i dërgoi Sekretarit Hull dhe nënsekretarit Ëelles letra, në të cilat kishte bashkangjitur fjalimin që mbajti në varrimin e Faikut. Nuk vonoi dhe një zyrtar i një rangu më të ulët u përgjigj: “Dokumentet e Departamentit të Shtetit nuk përmbajnë informacione për ndonjë synim apo vendim të kësaj qeverie, të cilave i referohen dy paragrafet e fundit të fjalimit”. Ndërkaq Noli i ka pohuar Behar Shtyllës dhe ky këtë gjë e ka shkruar tek libri i tij “Fan Noli, siç e kam njohur”, se “Pas disa ditësh nga vdekja e Faikut, i bëra një letër të gjatë Sekretarit të Shtetit, ku, me pak fjalë, i kërkoja njohjen e një qeverie shqiptare në mërgim dhe njohjen e Shqipërisë si pjesëtare e Kombeve të Bashkuara. Po kjo nuk ishte gjë e lehtë. Duket kohët nuk ishin pjekur dhe propaganda greke luante gurët e saj, po duket dhe Anglia nuk influenconte për mirë”.  
Por përse Fan Noli u ngut në këto dy deklarime të tij në fjalimin mortor, kur ato nuk qenë të vërteta? Përse bëri fakt një gjë që deri ato çaste nuk ekzistonte realisht e qe një projekt: qeverinë shqiptare në mërgim?
Sigurisht fjalimi mortor për përcjelljen e Faik Konicës ishte një rast i shfrytëzueshëm politikisht për t’u paraqitur si njeri i qeverisë së re të shqiptarëve. Me pak fjalë në 20 dhjetor 1942 Fan Noli mbajti fjalimin e tij të parë elektoral. E kish marrë me pasion misionin e ri.
 
Letra e 27 majit 1943: Zog, jam tërësisht me ty
Noli bëri korigjimin e “shënjestrës. Si udhëheqës i Vatrës, por jo si përfaqësues i ndonjë qeverie në mërgim në 8 janar 1943 i dërgoi telegrame falënderimi ministrave të jashtëm amerikan, britanik dhe sovjetik, Kordel Hull, Antoni Iden dhe Vjeçesllav Molotov. Në to theksonte se ishte në interes të Kombeve të Bashkuara të njihej një qeveri zyrtare shqiptare në mërgim me Ahmet Zogun në krye.
Ndërkohë në 7 prill 1943 Ahmet Zogu u bëri gjithë shqiptarëve një kushtrim. Ky gjest mund të konsiderohet edhe thirrja e tij publike për të krijuar Frontin e Bashkuar, paralelin, bashkëpunuesin (apo rivalin) me dy tashmë ekzistuesit: Frontin Nacionalçlirimtar dhe Ballin Kombëtar. Fjalët e tekstit thirrës qenë: “Të besojmë në kuptimin e drejtësisë së Britanisë së Madhe e të Shteteve të Bashkuara, të Rusisë Sovjetike e të Kombeve të Bashkuara dhe t’i intensifikojmë përpjekjet tona për të siguruar pranimin e Shqipërisë me nji Qeveri Legale, si një aleate e Demokracive. Kjo është mënyra më e mirë për të siguruar indipendencën e vendit tonë me kufijtë kombëtarë”.
Më tej në tekstin kushtrues Ahmet Zogu deklaronte se “Çdo shqiptar ka vendin e vet në këtë bashkim pa dallim qëllimi politik ose shoqëror”.
Në vijim ai ofron programin e vet politik, sipas të cilit “sapo të jetë vendi ynë tërësisht i lirë, do të zgjidhet lirisht dhe demokratikisht një Asamble Kombëtare prej popullit shqiptar, e cila do të ftohet menjëherë për të vendosur Regjimin politik e shoqëror të Shqipërisë së re”.
Në 27 maj 1943 është shkëmbyer edhe korespondenca më intensive mes Zogut dhe Nolit, ku kemi zbuluar një të fshehtë: manipulimin nëpërmjet censurimit të letrës së vërtetë të këtij të fundit dërguar mbretit për çështjen e kryeministrit të qeverisë shqiptare në mërgim. Ndërhyrjen deformuese e ka bërë “mjeshtri” i madh i këtyre punëve, Enver Hoxha. Siç e kemi informuar lexuesin në pjesën e parë të këtij cikli shkrimesh, në librin e vet “Rreziku anglo-amerikan” për Shqipërinë” (Kujtime, 1982), ai ka shkruar: “Në përgjigje të letrës që S. Martini (“ministër i oborrit”) i dërgonte Fan Nolit në emër të Zogut në 7 prill 1943 në lidhje me krijimin e një qeverie shqiptare ku thuhej se “Mbreti do të kishte qejf të shihte hirësinë tuaj në krye të kësaj qeverie” Fan Noli në 27 maj 1943 i shkruante “Jam gati të bëj gjithçka që më takon...nën udhëheqjen e mbretit Zog...duhet ta bëj të qartë se mund të shërbej vetëm në cilësinë e këshilltarit për arsye të nënshtetësisë sime amerikane...”.
Këtu Hoxha e mbyll tekstin, duke nënkuptuar se më pas, për të përcaktuar qëndrimin e Fan Nolit, rreshtohen gjëra pa asnjë rëndësi. Por e vërteta nuk është kjo. Pikërisht atje ku edhe kryebolsheviku shqiptar e mbyll citimin prej Nolit gjendet fjalia kyçe, ajo thelbësore: “ç’ka përjashton çdo formë bashkëpunimi me ju”.
Madje në këtë letër, të cilën Fan Noli ja ka dërguar këshilltarit të oborrit mbretëror Sotir Martini, ndodhet edhe një frazë, e cila nuk mund të anashkalohet. Ajo thotë: “Këtë punë dëshiroj ta bëj pa pagë, ngase mendoj se kështu do të jem më i vyeshëm”.
Hysen Selmani, autor i librit më të vëllimshëm për jetën e Ahmet Zogut, në të paraqet si dokument të 27 majit 1943, të nisur prej adresës së Fan Nolit (Albanian Orthodox Church in Amerika), Boston Massachusetts) në “in the Lord Parmmor Henley on Thames, England”,  këtë telegram në anglisht: “Madhëria Juaj, Unë jam shumë i nderuar për të pasur letrën tuaj dhe për të thënë sepse koha nuk është shumë larg, kur ne mund të takojmë njëri-tjetrin për çlirimin e vendit. Le të shpresojmë se do të jetë shpejt sepse ne kemi shumë gjëra për të biseduar dhe është shumë e vështirë për të ndryshuar pikëpamjet vetëm nëpërmjet postës. Ndërkohë, unë kam shumë nevojë për t’ju siguruar se do të kemi shumë bashkëpunime për Frontin e Bashkuar shqiptar nën drejtimin tuaj. Në opinionin tim, kjo është rruga më e mirë për të ndihmuar Shqipërinë dhe po ashtu edhe Kombet e Bashkuara. Unë jam duke shkruar me detaje nëpërmjet mikut tim  Z. Sotir Martini”.
Hysen Selmani regjistron në librin e tij për Ahmet Zogun se ky telegram i erdhi këtij të fundit me postë ajrore në 10 qershor 1943.
 
Fjalët e tij në radion “Zëri i Amerikës” i pëlqen edhe gazeta komuniste “Zëri i popullit”
 
Pikërisht këtë kohë, në pranverë 1943, në një letër pa datë drejtuar në Londër Tajar Zavalanit, Fan Noli e shpjegon kështu këtë sjellje të vet prozogiste: “Si duket, ju mendoni se çështja e regjimit të ardhshëm të Shqipërisë vjen në radhë të parë, kurse unë në rend të parë vë ekzistencën e Shqipërisë dhe çështjen sa mund të bëjmë ne rreth anëtarësimit të Shqipërisë (në Kombet e Bashkuara-shënimi ynë). Këto gjëra duhet të na preokupojnë në momentin e tanishëm. E më vonë do të kemi kohë sa të duash të atakojmë regjimin”.
Edhe kur pak muaj më parë nga kjo letër për Zavalanin, në dhjetor 1942, i pati shkruar një të tillë Anton Logorecit, edhe ky banues në Londër, ku jetonte Zogu, Fan Noli e cilësonte këtë të fundit si të keqen më të vogël.
Të qendrojmë një çast në një hollësi. Në fundgusht 1943 nëpërmjet stacionit radiofonik “Zëri i Amerikës” Noli i bëri një thirrje popullit shqiptar dhe kjo u botua edhe në gazetën ilegale të PKSH-së, “Zëri i Popullit”. Behar Shtylla në librin e tij “Fan Noli, siç e kam njohur” vëre se teksti i publikuar në gazetën komuniste nuk ishte i plotë. Prej origjinalit të lexuar kishte mungesa fjalish dhe përdorim të trajta gegërishte, aspak të natyrshme për Nolin. Po ashtu Shtylla vë në dukje se në tekstin e botuar kishte “përzjerje me ndonjë lajm apo koment të mëvonshëm”, por gjithsesi nuk ndesh me ndonjë shtrëmbërim të qëllimtë.
Duke iu referuar asaj që Fan Noli ka shqiptuar realisht tek “Zëri i Amerikës” dhe publikuar në “ZP”, në tekst gjenden këto thënie: “Vëllezër shqiptarë, ndonëse kam qenë larg nga vendi juaj për një kohë të gjatë dhe jam bërë qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prapë nuk e kam harruar vendin tim. Jam mejtuar për ju shpesh në gjithë këto vjete dhe jam përpjekur më çdo mënyrë që t’ju ndihmoj. Mejtohem për ju më tepër me ditët kritike të sotme, kur e pritmja e të gjithë kombeve, dhe veçanërisht e Shqipërisë, është në ballancë...”
Disa paragrafë më pas: “Duhet të veproni për të shpëtuar Shqipërinë... Çdo komb çlirohet dhe shpejtohet me përpjekjet e veta. Vetëm ju mund ta çlironi dhe ta shpëtoni Shqipërinë me të vërtetë... Në qoftë se doni të shpëtoni Shqipërinë, duhet të veproni. Askush nuk mund shpëtojë Shqipërinë përveçse ju vetë. Guvernat e Shteteve të Bashkuara, të Bretanjës së Madhe dhe të Rusisë e kanë njohur të drejtën tuaj për liri dhe për jetë kombëtare indipendente. Ushtritë e tyre po luftojnë për restoratën tuaj, por duhet të luftoni edhe ju”.
Në mbyllje të thirrjes radiofonike të Nolit gjenden këto fjalë: “Vëllezër shqiptarë, kujtoni se e pritmja e kombit tuaj dhe e vendit tuaj varet nga ndihma që u jepni Kombeve të Bashkuara për të përmbysur forcat e despotizmës”.
Siç e shihni në këtë kushtrim që Fan Noli u bën shqiptarëve, nuk ka asnjë përmendje të emrit të Ahmet Zogut e po ashtu të Frontit të Bashkuar apo projektit të mbretit, përfshi platformën e ngritjes së një qeverie në mërgim.
Po të referohej emri i Zogut “Zëri i Popullit” sigurisht nuk do ta kishte botuar dhe shpërndarë këtë thirrje. Duhet thënë, ndërkohë, që kushtrimi radiofonik i Fan Nolit u dëgjua maksimalisht për kohën dhe u mbajt mend për mjaft vite prej dëgjuesve.
Duhet thënë se thirrja e tij u formulua në atë formë për manovër politike. Pa e pohuar me terma të drejtpërdrejtë Noli fliste në emër të Frontit të Bashkuar, të tretit front rezistence që sipas tij ekzistonte deri ato çaste krahas atij Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Çfarë shqiptoi në radion “Zëri i Amerikës” në fundgusht 1943 qe aksion për legjitimimin e afërm të platformës së risjelljes pas lufte të Ahmet Zogut në pushtet.
 
Edith Durham është kundër Fan Nolit dhe qeverisë zogiste të pas luftës
 
Ndërkohë Noli kreu edhe një surprizë tjetër. Kjo ndodhi në 7 shtator 1943, në një intervistë dhënë tek “The Daily Neës”.
Aty deklaronte se “Qysh prej asaj të Premteje të Zezë (7 prill 1939) kur ushtria italiane zbarkoi në tokën e Skënderbeut të madh, lëvizja e fshehtë rritej muaj pas muaji, thuajse natë pas nate...”
Më pas vinte në dukje për lexuesin amerikan dhe të huaj një fakt tepër spikatës: “Vetëm disa milje larg Tiranës vepron Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Partizanët shqiptarë,  vullnetarët e lirisë, janë trupë e disiplinuar....kurse çetat guerile, të gatshme të rrokin armët kur partizanët dhe vullnetarët luftojnë. Tani Shqipëria e meriton të zërë vendin në Kombet e Bashkuara. Kjo është më se e mundshme, se ajo e meriton atë vend më shumë sesa të tjerët, para mbarimit të luftës”.
Me Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar Fan Noli nënkupton më së pari aleancën e komunistëve me mbretërorët (zogistët). Kjo formalisht ekzistonte. Me siguri nënkupton me këtë Këshill edhe me nacionalistët e Ballit Kombëtar. Ai duket nuk ka dëgjuar për prishjen e mbledhjes së Mukjes, sepse ky rrënim i dakordësisë u mbajt sekret dhe në Shqipëri doli mbi sipërfaqe vetëm në fillim tetor të atij viti.
Fjalët e mira të Fan Nolit për Këshillin Përgjithshëm Nacionalçlirimtar kanë si qëllim frymën e afrimit për projektin politik , të cilin tashmë e ka me shumë pasion ta realizojë: ngritjen e Frontit të Bashkuar, grumbullimit më të madh të atëhershëm, atij të shqiptarëve brenda vendit dhe jashtë tij.
Ndërkohë tek “The Daily Neës” Noli shpallet i mendimit se edhe vetëm lufta çlirimtare që po zhvillon në Shqipëri Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar mjafton si dëshmi për Kombet e Bashkuara që ta njohë sovranitetin e vendit pas lufte.
Porse në 11 nëntor 1943 Edith Durham i shkruante Fan Nolit një gjykim të saj mospërputhës: “Sipas meje, se çfarë qeverie do të ketë në Shqipëri, duhet lënë ta zgjedhin patriotët e vendit, të cilët kanë luftuar për çlirim dhe kanë vuajtur nga okupatorët italianë. Ata e dinë më mirë se çdo njeri tjetër si janë punët në Shqipëri. Shpresoj se ata do të kenë sukses në formimin e një qeverie të përkohshme dhe, kur trupat aleate të shkojnë në këtë vend, do të bëhen të mundshme zgjedhjet, me çfarë do të vendoset forma e qeverisë për të ardhmen”.
Këtë mendim të saj Edith Durham ia përsëriti Fan Nolit në 31 mars 1944. Ajo i vuri në dukje se kur trupat aleate do të hynin në Shqipëri “do të vendosnin marrëdhënie miqësore me udhëheqësit trima, që tash luftojnë për Shqipërinë, dhe do t’u japin mundësi të formojnë një qeveri të përkohshme”.
Në 3 qershor Durham ia përsëriti Fan Nolit qëndrimin e saj të palëkundur: “Unë shpresoj, i nderuari Peshkop, se ju do të pajtoheni me idetë e mia. Kur njeriu është larg vendit të ngjarjeve, e ka shumë të vështirë të formojë një mendim të drejtë. Për këtë shkak mendoj se drejta për të vendosur u përket njerëzve, të cilët me trimëri u kanë rezistuar italianëve, ashtu edhe gjermanëve. Janë ata të cilët e kanë çliruar atdheun dhe ata kanë të drejtë të zgjedhin”.
Edith nuk gabonte, të paktën në aftësinë për të ndjekur logjikën e ngjarjeve reale. Partia Komuniste Shqiptare dhe Fronti i saj Nacionalçlirimtare e ngritën qeverinë e tyre, e cila pretendonte se e meritonte të përfaqësonte gjithë Shqipërinë e luftës dhe sidomos të pas saj. Kjo ndodhi në Kongresin e Përmetit, periudhë midis 24 dhe 28 majit 1944. Ndërkaq qeveria në mërgim, projekti i Ahmet Zogut me në krah të djathtë Fan Nolin, ishte ende një ëndërrim.
 
SHBA i kthen shpinën Ahmet Zogut dhe komunistëve shqiptarë
 

Në 9 qershor 1944 Ushtria e Kuqe shpërtheu ofensivën për të çliruar dhe marrë Finlandën. Në Paqësor në 19 qershor Shtetet e Bashkuara të  Amerikës me flotën e tyre i dhanë një goditje të rëndë asaj japoneze. Tre aeroplanmbartëse ua fundosën bashkë me shumicën e avionëve që kishin në kuvertë. Në 20 qershor armata sovjetike filloi sulmin në Bjellorusi, duke i çliruar qytetet një pas një.

Aleatët antifashistë qenë në revansh të plotë.

Ndërkohë në 23 qershor në hotelin °Stalter” në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u zhvillua një ngjarje nyje. Ishin autoritetet zyrtare të këtij vendi që mblodhën në këtë bujtinë në madhe disa nga krerët e emigracionit të “vendit të shqiponjave”. Ndodheshin të pranishëm jo vetëm drejtues të organizatave “Vatra” dhe “Shqipëria e lirë”, por edhe individë të shumë spikatur si Fan Noli, Hulusi Kavo, Dr. Nikolla Prifti, S. Theollos Kotelli e jo pak të tjerë.

Mbledhja qe mjaft konfidenciale.

Pala amerikane e ardhur nga Uashingtoni u komunikoi pjesëmarrësve se në projektet që shqiptarët e emigracionit kishin nëpër duar dhe që synonin bashkë me krijimin e Frontit të Bashkuar dhe të qeverisë në mërgim, edhe rikthimin e Ahmet Zogut si mbret në krye të vendit, duhej të hiqnin dorë.

Kjo shkaktoi irritim të Fan Nolit. Fjalët e tij qenë të vendosura për të mos u tërhequr. “Po të heqim dorë nga Zogu, ahere heqim dorë edhe nga kufiret e Shqipërisë”, u shpreh.

Por përfaqësuesit e Departamentit Amerikan të Shtetit qenë edhe ata mjaft të vendosur në pikëpamjen e tyre dhe përplasja me Fan Nolin mbërriti në një pikë të lartë tensioni, kur ky i fundit u ngrit ta braktiste takimin dhe të largohej fare nga hoteli “Stalter”. Por pikërisht në këtë moment delikat të mbarëvajtjes së asaj mbledhje “në sekret”, njëri prej zyrtarëve amerikanë tha se në Shqipëri, në qytetin me emrin Përmet, qe ngritur një qeveri e forcave të rezistencës.

Ajo kishte në krye të saj një vendas me emrin Enver Hoxha.

Askush prej të shqiptarëve të pranishëm nuk dinte gjë rreth kësaj ngjarjeje dhe zyrtarët amerikanë mbetën të befasuar kur Fan Noli ndryshoi menjëherë qëndrim. Ai u çel në fytyrë dhe shqiptoi: “Aherë ne heqim dorë nga Zogu për të përkrahur qeverinë e re”.

“Jo, - tha zyrtari i Departamentit të Shtetit, që sapo kish dhënë këtë lajm, - nuk do ta përkrahim sepse, sipas informatave tona, ajo duhet të jetë qeveri prokomuniste, në mos komuniste”.

Fan Noli reagoi menjëherë me fjalët: “Pa ç’ka, ata janë djemtë tanë”.

Këtu u mbyll edhe mbledhja konfidenciale e hotelit Statler në Boston. Ahmet Zogu qe djegur. SHBA i kishte kthyer krahët njëlloi si komunistëve.

 
Një kërshëri në fund të këtij cikli shkrimesh
 
Ngjarja në Hotel “Stalter” dëshmon se Fan Nolit deri në datën 23 qershor 1944, duke mos ditur asgjë rreth ngjarjes së Kongresit të Përmetit, sigurisht as edhe i ka rënë në duar teksti i mesazhit që miratoi unanimisht dhe që premtoi se do t’ia dërgonte atij udhëheqja komuniste: kryetari i porsazgjedhur i qeverisë Enver Hoxha si edhe kryetari i këtij Kongresi, Omer Nishani me sekretarin Koço Tashko.
Historiania Ana Lalaj na e konfirmoi këtë hollësi, duke pohuar se historiografia shqiptare deri tani nuk ka asnjë dëshmi nëse u nis vërtetë drejt Nolit ky mesazh, madje edhe ata për Titon, Stalinin, Çërçillin dhe Ruzveltin. Ajo shton se ka të ngjarë që tekstet e mesazheve me jashtë t’i kenë marrë të dërguarit jugosllavë dhe t’i kenë dorëzuar tek shefat e tyre. Kështu në adresat përkatëse të kenë ikur nëpërmjet teknikës së fuqishme të ndërlidhjes që ata kishin.
Ndërkohë shkrimtari, por edhe studiuesi e njohësi më i mirë i Fan Nolit, Nasho Jorgaqi, na pohon se në të nëntëmbëdhjetë udhëtimet e tij të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kushtuar zbulimit dhe plotësimit dokumentar për jetën e veprimtarinë e Nolit, në asnjë rast dhe në asnjë vend nuk ka ndeshur me fijen e letrës të mesazhit përshëndetës që iu dërgua prej Kongresit të Përmetit.
 
 
 
Tiranë, më 6 gusht 2017
 
Fotot shoqëruese: 01. Fan Noli, 02. Ahmet Zogu, 03. Enver Hoxha, 04. Mesazhi i Kongresit të Përmetit drejtuar Fan Nolit.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë/ Berisha i lirë, por rri në shtëpi! Në Vlorë shkojnë deputetët

Dita e Pavarësisë/ Berisha i lirë, por rri në shtëpi! Në Vlorë shkojnë deputetët