Katër anëtarë të dy grupeve të organizuara kriminale, mes tyre dy shqiptarë, janë dënuar në Britaninë e Madhe për një operacion të sofistikuar kontrabande kokaine përmes Aeroportit të Mançesterit.

Hetimi u zhvillua nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), e cila zbuloi një rrjet që sillte sasi të mëdha droge nga Meksika drejt Britanisë.

Të dënuarit shqiptarë janë Elton Hallaçi, 32 vjeç dhe Artur Iseberi, 27 vjeç, të cilët sipas autoriteteve ishin pjesë e grupit që merrte drogën në aeroport dhe e shpërndante më pas në rrjetet kriminale në të gjithë vendin. Bashkë me ta u përfshinë edhe dy britanikët Dale Hosker, 49 vjeç, dhe Dale Creen, 35 vjeç.

Gjykata dënoi Elton Hallaçin me 21 vite e 7 muaj burg, ndërsa Artur Iseberi u dënua me 18 vite burg. Dale Creen mori 11 vite burg, ndërsa dënimi për Dale Hosker pritet të jepet më 1 qershor.

Sipas hetimeve, katër të dënuarit merrnin ngarkesat e kokainës nga korrierë amerikanë që mbërrinin në Britani nga Kankuni i Meksikës. Në maj të vitit 2024, tetë valixhe me kokainë mbërritën në Aeroportin e Mançesterit, ndërsa korrierët vepronin sipas udhëzimeve të një personi të identifikuar si “Nate”.

Një prej valixheve u la pas në aeroport, çka ngriti dyshimet e oficerëve kufitarë. Gjatë kontrollit u zbuluan 20 pako me nga një kilogram kokainë secila. Hetimet e mëtejshme të NCA-së zbuluan se grupi i shqiptarëve kishte marrë rreth 100 kilogramë drogë nga kjo ngarkesë.

Vetëm pak javë më vonë, më 31 maj 2024, autoritetet zbuluan një tjetër operacion kontrabande ku 300 kilogramë kokainë me pastërti të lartë, me vlerë rreth 24 milionë paund, u futën në Britani përmes 12 valixheve.

Gjatë kontrolleve në banesën e Elton Hallaçit, hetuesit gjetën çelësa të një automjeti tip Jaguar, brenda të cilit ishte ndërtuar një hapësirë e fshehtë profesionale për transport droge. Po ashtu, u sekuestruan blloqe shënimesh me të dhëna të detajuara për importet e drogës, të shkruara në gjuhën shqipe dhe me gjurmë gishtash të Hallaçit dhe Iseberit.

Pamjet e kamerave të sigurisë në Aeroportin e Mançesterit dokumentuan lëvizjet e të katër personave gjatë operacioneve të kontrabandës. Në momentin e arrestimit, Artur Iseberi tentoi të arratisej duke dalë në çatinë e banesës së tij, ndërsa në dhomën e Dale Creen policia gjeti një thikë dhe një hanxhar.

Hallaçi, Iseberi dhe Hosker pranuan fajësinë për kontrabandë dhe posedim droge me qëllim shpërndarjen, ndërsa Creen u shpall fajtor nga juria vetëm për posedim me qëllim shpërndarje dhe i pafajshëm për akuzën e kontrabandës./ National Crime Agency

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë