Pesë persona janë arrestuar, mes tyre tre shqiptarë pasi po transportonin me jaht shtatë emigrantë drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme
Sipas ‘National Crime Agency’, oficerët e Forcës Kufitare britanike ndërhynë sapo jahti mbërriti në marinën e Chichester, në në West Sussex, mbrëmjen e së hënës, 25 maj.
Fillimisht në pranga ranë një britanik 42-vjeçar dhe një 25-vjeçar shqiptar. Ndërkohë tre persona të tjerë, një britanik 38 vjeç dhe dy shqiptarë 24 dhe 32 vjeç, u arrestuan pasi dyshohet se kishin shkuar në port për të pritur jahtin.
Tre prej tyre u liruan me kusht, në pritje të hetimeve të mëtejshme, ndërsa dy shtetasit shqiptarë, 25 dhe 32 vjeç, vijojnë të mbahen në paraburgim për shkelje të ligjeve të emigracionit.
Shtatë personat e gjetur në jaht, të gjithë shtetas shqiptarë, do t’u nënshtrohen procedurave nga autoritetet britanike të emigracionit.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente



