Bruksel, përfundon pa marrëveshje
takimi i 9 Ashton-Thaçi-Daçiç

Bruksel, përfundon pa marrëveshje<br />takimi i 9 Ashton-Thaçi-Daçiç
BRUKSEL - Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, kanë përfunduar pa marrëveshje rrethin e nëntë të bisedimeve, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në një dalje para medieve ka thënë se as sot nuk është arritur marrëveshje për shkak se këtë e ka refuzuar pala serbe.

Mediat serbe kanë cituar Kryeministrin Thaçi duke thënë se Serbia e ka hedhur poshtë propozimin e Baroneshës Ashton. Thaçi ka thënë se shpreson që Beogradi ta pranojë marrëveshjen gjatë ditëve të ardhshme, por sipas tij asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet me logjikën dhe kokën e Vojislav Seseljit. “Serbia duhet të reflektoje dhe për këtë nuk i ka mbetur shumë kohë”, - ka thënë Thaçi.

Ndësa Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç ka thënë, se është Prishtina ajo, që është duke i bërë obstruksion marrëveshjes. Ai ka thënë se Serbia i ka pranuar të gjitha propozimet e Ashton, por është Thaçi ai që po synon të bëjë ndryshime. Daçiç ka thënë se nuk është e vërtetë që Serbia nuk po e pranon marrëveshjen.

Menjëherë pas përfundimit të bisedimeve Baronesha Ashton ka lëshuar një njoftim për mediat ku ka lënë të kuptohet se palët kanë bërë pak progres pas bisedimeve maratonë të së mërkurës dhe të enjtes në Bruksel.

“E kam thënë herën e kaluar se dallimet janë të ngushta por të thella. Mund ta them me besim të plotë sot se dallimet janë të ngushta por të cekëta. Derisa të përgatitemi për takimin e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të hënën ku do ta bëj raportin tim kanë mbetur edhe disa orë. Shpresoj se deri atëherë palët të dyja delegacionet do të reflektojnë se a do të mund të ndërmarrin hapat final të nevojshëm për ti dhënë fund kësaj marrëveshjeje dhe për të lëvizur popujt e tyre drejt së ardhmes”, ka thënë Ashton.


THACI: TE ARRIJME PAQE, STABILITET DHE BASHKEPUNIM RAJONAL                                                                        

“Takimet kanë vazhduar gjatë gjithë ditës. Ato janë duke vazhduar. Tani kemi një pauzë, për t’u rikthyer në orën 22:00, që t’i jepet kohë qartësimit të disa ideve, rreth të cilave ka ende dallime. Kemi ardhur me qëllimin e mirë për të arritur marrëveshje, që të konsolidohet dhe të forcohet shteti i Kosovës, të ndërtojmë fqinjësi dhe bashkëpunim rajonal. Pra, të arrijmë paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal”, - ka thënë Thaçi.

Më herët, zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijanciç, ka njoftuar se bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë janë duke vazhduar.

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e procesit, ka pasur disa takime dypalëshe me të dyja delegacionet, ndërsa tani është në takim me të dy kryeministrat dhe ekipet e tyre.

                                                                        
Pas dy raunde takimesh bilaterale me delegacionin e Kosovës dhe të Serbisë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka nisur takimin e përbashkët trepalësh. Ajo gjatë ditës është takuar nga dy herë veç e veç me delegacionin e Kosovës, të prirë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, të prirë nga kryeministri Ivica Daçiç.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Aleksandar Vulin, citohet t'i ketë thënë televizionit shtetëror serb, RTS, tha se "ka gjasa që argumentet e palës serbe të merren parasysh".

Kosova dhe Serbia po zhvillojnë në Bruksel raundin e nëntë të bisedimeve, në kuadër të përpjekjeve të cilësuara si shans i fundit, për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Ky takim vjen pas ftesës që iu bë të martën dy kryeministrave nga baronesha Ashton.

Zoti Thaçi, në hyrje të objektit ku zhvillohen takimet, u ka thënë gazetarëve se “kjo marrëveshje do të nënkuptonte bashkëpunim rajonal, fqinjësi të mirë dhe perspektivë euro-atlantike për të dyja vendet tona dhe popujt tonë”.

“Kjo marrëveshje nuk do të ishte vetëm në interesin e Kosovës, por edhe të Serbissë, Bashkimit Evropian dhe paqes dhe stabilitetit rajonal”.

“Shpresoj që Serbia do të reflektojë dhe do të punojë në arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se duhet lënë prapa të kaluarën dhe duhet të shikohet kah e ardhmja.

Paraprakisht, nga Brukseli ishte bërë me dije se takimi do të zhvillohet vetëm nëse palët janë të gatshme për nënshkrimin e marrëveshjes.

Prishtina zyrtare ka instistuar se nuk do të lëviz nga qëndrimet e saj të deritashme, duke kërkuar respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të Kosovës.

Në anën tjetër, edhe Beogradi pohon se nuk do të zmbrapset nga pozicioni i deritashëm. Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë se përkundër presionit të “heshtur” nga Brukseli për arritjen e marrëveshjes, Beogradi nuk do të zmbrapset nga qëndrimi i tij që Prishtina të mos shtrijë autoritetin e saj gjithandej zonës veriore të Kosovës.

Mosmarrëveshjet kryesore që mbanin palët larg nënshkrimit të marrëveshjes deri më tash, kanë të bëjnë me kompetencat e asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe. Serbia kishte kërkuar që përmes këtyre kompetencave të krijojë edhe një territor autonom politik në veri të banuar me shumicë serbe.

Por, Kosova kishte mbështetur draftin e baroneshës Ashton, ku zgjidhjet kërkoheshin mbi bazat e Pakos së Ahtisaarit, dispozitat e së cilës janë përfshirë edhe në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Takimi i sotëm është i nënti me radhë, prej se baronesha Ashton ka marrë vetë përsipër udhëheqjen e dialogut Prishtinë - Beograd, dhe e ka ngritur atë në nivelin më të lartë politik. Marrëveshja e mundshme, vlerësohet si një shans për të hapur dyert e integrimeve evropiane për të dyja vendet.

(Marrë nga Radio Evropa e Lirë)

Lajmi u përditësua

(b.m/v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset