U fol shumë javët e shkuara për lindjen e një partie të re politike që mund të kishte origjinën nga transformimi i një lëvizje të shoqërisë civile. U tha edhe se kjo lëvizje do të kishte edhe mbështetjen e presidentit Ilir Meta. Të gjithë menduan dhe aluduan për Lëvizjen e Teatrit të drejtuar nga Robert Budina, i cili edhe pse është nje nga themeluesit  i Partisë Demokratike, dukej kandidati ideal për të drejtuar një lëvizje politike popullore të pavarur nga forcat politike tradicionale, siç për shëmbull lindi në Itali lëvizja 5yjet. Por a ka hapësirë dhe mbështetje popullore sot për një forcë politike të këtij lloji?

Një testim i parë erdhi ditët e shkuara me mbledhjen e firmave nisur nga “Lëvizja për Teatrin” që ndërmori një tour në të gjithë vendin duke kërkuar mbështetje për rindërtimin e të njëjtit Teatër Kombëtar të prishur nga Bashkia. Rezultati: 14.000 firma sipas asaj që deklaroi plot entuziazëm vetë Robert Budina.

Sigurisht që nuk mund të konsiderohet një sondazh, por është një vlerë treguese. Nëse analizojmë rezultatet elektorale të 2013, kur PS mblodhi 713.000 vota, Partia Demokratike 528.000 vota dhe LSI 180.000 vota, lëvizja e Budinës me 14.000 votat e saj do të ishte një forcë politike afër 0.80 % si në 2013 ishte PBDNJ. Më mirë se parti të tjera të vogla, por shumë larg për të qenë faktor. Pesha e Lëvizjes së Budinës nuk do të ndryshonte nëse i krahasojmë edhe me rezultatet e 2017.

Ato 14.000 firma janë shumë për lëvizjen spontane të Robert Budinës, por nuk janë asgjë nëse synon të bëhet një parti politike. Kush shpreson të rrëzojë qeverinë duke luajtur kartën e Teatrit, duhet të ndryshojë plan. Qeveria mundet me ide të reja, me besueshmëri personale të liderave në fushë dhe me propozime konkrete dhe të realizueshme. Vetëm kritika, siç po bën Lulzim Basha prej shtatë vitesh, nuk mjafton. Ndërsa shpërndarja e shpifjeve siç vazhdon të bëjë Sali Berisha, është vetëvrasje e sigurtë.