TIRANE-Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar mbrëmjen e së premtes në limitin e kohës propozimin e kryeministrit Edi Rama për Ministër të Brendshëm, Sandër Lleshajn. Kjo ishte hera e dytë që emri i Lleshajt qëndronte në tavolinën e Metës për dekretim, pasi herën e parë e refuzoi. Mesnata e së premtes ishte afati i fundit që kreu i shtetit duhet të shprehej për propozimin, pasi plotësoheshin 7 ditët që kishte në dispozicion, bazuar në Kushtetutë. Meta zgjodhi që firmën ta zyrtarizonte rreth orës 20:45 minuta të mbrëmjes së të premtes, 3 orë para përfundimit të afatit. 

Pas dekretit, Presidenti Ilir Meta duke shpjeguar se përse e refuzoi herën e parë dhe firmosi herën e dytë propozimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas Kreut të Shtetit, problemi ishte statusi për gjeneralin, ndërsa shtoi se kërkesa nga ministria e Mbrojtjes që propozonte lirimin nga detyra të Lleshajt si ushtarak i ka shkuar mbrëmë. Ai shtoi se nëse kjo gjë do të kishte ndodhur më parë nuk do të ishte refuzuar dekreti i parë. Gjithashtu Meta, mohoi në emisionin ‘Zonë e Lirë’ që dekreti për Lleshajn të lidhej me emrin e Vitore Tushajt që ka propozuar në postin e kreut të KLSH dhe theksoi se nga ana e tij do të ketë “Zero përplasje me Ramën”.

Dje me këtë kohë kam gjetur shkresën zyrtare të Ministres së Mbrojtjes e cila duhet në përputhje, të bënte propozimin për lirimin nga detyra si aktiv të gjeneralit. Kjo është arsye Kushtetuese. Nëse do ma kishin sjellë që herën e parë do e kisha bërë. Arsyeja ime është kjo dhe nuk është e vogël, por Kushtetuese. Dekreti për Lleshajn është emërimi, ndërsa për Vitore Tushajn është propozimi për parlamentin. Është e qartë, që janë të ndarë pushteti civil nga ai ushtarak.

Një dekret nga presidenti pa këtë veprim për lirimin nga shërbimi aktiv do të ishte një shkelje e hapur dhe flagrante e Kushtetutës, pasi nuk është sipërfaqësore, por parim themelor. Ndërsa për rastin tjetër zonja në fjalë, (Vitore Tushaj) i ka përfunduar mandati si anëtare e Kushtetueses dhe po rri aty për shkak të përgjegjshmërisë së saj, pasi nuk ka dashur që ti shmanget vettingut. Është mashtrim që nëse ikën ajo bllokohet reforma në drejtësi. Po nëse ajo jep dorëheqjen? Këto janë truke për të justifikuar, apo për të gjetur sebepin për një propozim.

Presidenti Ilir Meta

Dekretimi u paralajmërua sot në mesditë, pasi Presidenti pranoi dorëheqjen e gjeneral Sandër Lleshajt si ushtarak aktiv (Lexo këtu). Statusi i ushtarakut aktiv të Lleshajt ishte pengesa kushtetuese për mosdekretimin e emrit të tij si ministër nga Presidenti Ilir Meta.Vetë kreu i shtetit e pati konsideruar si problematikë themelore kushtetuese propozimin për Lleshajn për shkak të statusit të ushtarakut aktiv. Ndërsa pas ç’dekretimit si ushtarak aktiv e firmosi emërimin e dekretit si ministër i Brendshëm. Tashmë i preferuari i kryeministrit Rama do të jetë edhe zyrtarisht në krye të Ministrisë së Brendshme, pas votimit në Kuvend dhe betimit në Presidencë.

Dekreti i emërimit të Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm

Si nisi dhe përfundoi përplasja
Në datë 27 tetor, Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm, ndërsa Rama dërgoi në Presidencë emrin e Sandër Lleshajt për dekretim, por Meta e refuzoi me arsyetimin se ‘Nuk kishte krijuar bindjen’. Pas refuzimit, Rama e emëroi Lleshajn në postin e zv/ministrit të Brendshëm dhe e komandoi në këtë dikaster, ndërsa më pas e ridërgoi dekretin në Presidencë.

Pas ripropozimit të Ramës, presidenti Meta rinisi konsultimet me institucionet, ndërsa në një letër drejtuar kryeministrit, ministres së Mbrojtjes dhe kryetarit të Kuvendit, rendiste 14 pyetje për Sandër Lleshajn, duke këmbëngulur te statusi dhe karriera prej ushtaraku.

Pasi Meta mori përgjigjet e kërkuara nga të gjitha institucionet për dosjen e Lleshajt, sot vendosi dekretimin për ta liruar nga grada e Gjeneralit, ndërsa më pas firmosi edhe dekretimin në postin e ministrit. Tashmë emri i Lleshajt do të kalojë në Kuvend për tú votuar dekreti, ndërsa më pas do të betohet në Presidencë për të marrë zyrtarisht detyrën e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.