Kur ky i fundit u pyet, se çfarë dëmi shkaktojnë këto dy vepra penale, ai u shpjegoi telespektatorëve, midis të tjerash, se ndryshe nga fyerja ku objekti i mbrojtur nga dispozita ligjore (neni 119 i Kodit Penal) është dinjiteti apo nderi personal, për ndëshkueshmërinë e veprës së shpifjes ligjvënësi ka si qëllim mbrojtjen e reputacionit, i cili duhet kuptuar si nderi dhe respekti në dimensionin objektiv që individi (jo miti) gëzon në shoqëri.
Më pas, një nga të ftuarit, në vijim të bisedës dhe duke iu referuar (pa ndonjë lidhje me realitetin tonë dhe as me përmbajtjen e veprave penale që duhej të diskutoheshin) rastit të Charle Hebdo në Paris, tha se më e dëmshme nga fyerja dhe shpifja do të ishte kufizimi i lirisë së shprehjes. Shumë shpejt përfunduan minutat e emisionit dhe për këtë arsye nuk u dha mundësia për të debatuar rreth asaj pikëpamjeje, që nga telespektatorë të ndryshëm mund të merrej si konkluzion i temës që duhej trajtuar.
Në atë emision mëngjesi mbetën, pra, pa u sqaruar disa rrethana rreth kryerjes së veprave penale të fyerjes, shpifjes etj, sidomos të ballafaqimit të dëmit të tyre në shoqëri me kufizimin e lirisë së shprehjes. Prandaj, në këto rradhë le të vazhdojmë brenda një formati gazetaresk të ngushtë me atë çka mbeti pa u sqaruar në mëngjesin e së enjtes.
Është e vërtetë që me termin ‘liria e shprehjes dhe e informimit’ flitet kudo si për një gur themeltar parësor të demokracisë dhe për një kusht paraprak për gëzimin e shumë të drejtave dhe lirive të tjera të njeriut. Ai ka një fushë veprimi të gjerë në një hierarki vlerash, sidomos në kontekstin e debatit publik dhe në informacionin e dispunueshëm për publikun. Ky vlerësim i konkretizuar nëpërmjet efekteve të tij ka lidhje të drejtpërdrejtë me progresin e shoqërisë dhe me zhvillimin e çdo njeriu.
Në këto kushte, mbrojtja e kësaj lirie përbën për çdo shtet demokratik një detyrim pozitiv, i cili mishërohet edhe në Konventën Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (për të cilën, gjithashtu Shteti Shqiptar është që prej viteve ’90 të shekullit të kaluar Palë Kontraktuese). Në nenin 10/1 të kësaj Konvente përcaktohet, se: “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë dhe dhënë informacion ose ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë”. Garanci të tillë jep edhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në neni 22 të së cilës, gjithashtu ndalohet censura paraprake e komunikimit.
Ndërsa me nenin 23 është e garantuar e drejta e informimit, dhe kushdo ka të drejtë në përputhje me ligjin që të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, madje edhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
Megjithatë, liria e shprehjes, liria e informimit apo edhe ajo për t’u informuar nuk janë dhe nuk mund të jenë absolute. Ato shtrihen deri te limitet, prej ku nisin të shquhen objekte dhe interesa të tjera të garantuara nga Kushtetuta dhe nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Midis këtyre të drejtave dhe interesave bëjnë pjesë edhe të drejtat e tij të padhunueshme, duke mos harruar që pas të drejtës për jetë spikat e drejta e nderit (kuptuar së bashku me të drejtën e reputacionit dhe të dinjitetit).
Pra, siç është shpjeguar madje edhe nga literatura juridike në vendin tonë, në këtë bilancim objektesh del qartë se, liria e mendimit dhe e informimit nuk mund të sakrifikojnë të drejtën e ruajtjes së nderit, të reputacionit, të prestigjit, të dinjitetit, të mbrojtura nga të tjera norma të së drejtës sonë të brendshme dhe të asaj ndërkombëtare.
Aq më tepër përforcohet kjo, po të merret parasysh që asnjë e drejtë e njeriut nuk është absolute dhe e pakushtëzuar, përveç ruajtjes së dinjitetit, dinjitetit imanent, mbi të cilin bazohen të gjitha të drejtat themelore të tij. Këtë ide të shtruar prej kohësh nga doktrina në rrafsh global, në rastin e lirisë së shprehjes dhe të informimit, mjaft qartë shpjegohet, për shembull, në paragrafin 2 të Nenit 10 të KEDNJ: “Ushtrimi i këtyre lirive, që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohen disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji dhe që, në një shoqëri demokratike, përbëjnë masa të nevojshme për sigurimin kombëtar, integritetin territorial ose sigurinë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor”.
Në këtë kontekst, as për hir të vlerave të lirisë së shprehjes dhe të informimit apo të asaj për t’u informuar, nuk mund të injorohet vënia në veprim e legjislacionit, për të ndëshkuar cilindo individ që i atribuon një individi tjetër fakte apo episode të paqena, që përbëjnë thënie të rreme dhe që objektivisht cenojnë reputacionin e të ofenduarit në shoqëri. Aq më tepër kur cilësohet nga kushdo dhe shprehimisht emri i njërit apo tjetrit, që ushtron funksione të larta për drejtimin e shtetit.
Gjithçka e tillë po verifikohet edhe gjatë seancave gjyqësore në Gjykatën e Lartë, ku Kryeministri i vendit, Edi Rama ka paditur Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, si edhe Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj force parlamentare, Asrben Ristani, të cilët, nën frymëzimin dhe shembullin e liderit të tyre, Sali Berisha, nuk i kanë kursyer kundërshtarit politik të tyre akuza të rënda, si ato për lidhje të tij me krimin dhe mbështetje direkte që i dhënkërka kësaj dukurie të dëmshme, regresiste për gjithë shoqërinë shqiptare. Janë ata zotërinj, të lidhur me sa duket së prapthi me politikën, që duke dalë nga salla e gjyqit u deklarojnë gazetarëve të mediave të ndryshme, se Ristani vërtet që nuk ka pasur prova në akuzat e tij, por ka shprehur qëndrimin e PD – së, dhe ato që ka thënë Paloka bëjnë fjalë për bindjet e PD – së (?!).
Pra, çfarëdo fyerje dhe shpifje që kanë shprehur në adresë të Kryeministrit, çeshtjet duhet të mbyllen, pa ndëshkuar autorët. Ashtu siç ndodhi vite më parë, kur Kryeministër ishte Sali Berisha, i tronditur se opozita e atëhershme e drejtuar nga Edi Rama nuk paraqitej në Kuvend ngaqë vazhdonte të kërkonte transparencën e mohuar të zgjedhjeve të përgjithshme për Legjislaturën e mëparshme, si edhe ishte në gjendje të organizonte më 20 nëntor të atij viti (2009) një protestë popullore aq masive sa nuk ishte dukur ndonjëherë më parë, 6 ditë pas asaj proteste të motivuar moralisht, politikisht dhe ligjërisht volli ndaj Kreut të PS dhe familjes së këtij të fundit një llavë të zjarrtë fyerjesh dhe shpifjesh.
Dhe, kur nëna e kundërshtarit e paditi Berishën në Gjykatën e Lartë, avokatja e Kryeministrit të atëhershëm e mbrojti klientin e vet me argumentin, se shpifjet që kishte llomotitur me piskama dhe ulërima të pashembullta nuk ishin veçse ca qëndrime emotive personale. Kështu, çështja u mbyll, u mbyll me turp, u mbyll me përçmim ndaj dinjitetit të një nëne, që Gjykata duhej ta respektonte apo ta vinte në vend, qoftë edhe vetëm për faktin e qenies së asaj gruaje një njeri.
Por, koha erdhi për të mos i parë më njerëzit e kësaj toke dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi si të zdërhallur dhe të zvarritur pafundësisht nën peshën e korrupsionit e të krimit në përsëritje të vazhdueshme, me kosto politike gjithnjë e më të madhe. Pra, koha erdhi për të mos mbyllur më çështje të tilla, që rrezikojnë civilizimin e një populli të tërë dhe rrugëtimin e tij drejt perspektivës evropiane. Në këtë kuadër, madje edhe përtej kornizës së tij, mund të vlerësohet fare mirë edhe një çështje tjetër e bujshme, si ajo me etiketimin ‘Doshi’.
Fjalët, gjestet, realizimi i një apo dy videove të sajuara me shpifje, për të akuzuar Kryetarin e Kuvendit, që “i mbrojtur nga Edi Rama” paskësh dashur të vriste dy deputetë, nuk mund të mos ndëshkohen me forcën e ligjit “Për përhapje të informatave të rreme që ngjallin Panik” apo edhe “Për korruptimin ose kanosjen për dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”.
Nuk mund të mos ndëshkohen nga kjo fëlliqësirë shpifjesh, që ndonëse nga hetimet e deritashme prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda po “ia nxjerrin kallajin”, përsëri liderët dhe emisarë të tjerë të opozitës gjejnë formën për të ndërmarrë aktivisht atë që kanë planifikuar: Komplot ndaj strukturave të larta të shtetit, përmbysje të pushtetit politik, bllokim të zgjedhjeve të afërta për qeverisjen vendore, ndërkohë zhvillim të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Dhe, të gjithë këta objektiva, nëpërmjet kanosjeve për trazira dhe rrezikut për cenim të rendit kushtetues e sigurisë publike, të paralajmëruara për të enjten e ardhshme nga Berisha, ky i vetëdeklaruar “besnik i ligjit”.
Pra, duke ndjekur qoftë edhe vetëm kronikat e ngjeshura të ditëve të fundit bëhet e qartë, veç të tjerash, se garantimi i lirisë së shprehjes, e asaj për të informuar dhe për t’u informuar, ashtu si edhe e drejta e kritikës (derivat e lirisë së mendimit) nuk mund të vazhdojnë të mbeten të privilegjuara për cilindo që bën përpjekje t’i deformojë ato në dëm të shumicës së njerëzve të tjerë, të një populli të tërë. Domethënë, që këto liri themelore të konsiderohen të ligjshme për çdokënd duhet t’u përgjigjen disa limiteve dhe parametrave.
Në rast të kundërt, ato nuk mund të justifikohen. Nuk mund të justifikohen edhe sepse, siç është thënë këtu e rreth dy shekuj më parë nga Tomas Jefersoni, Presidenti i tretë i SHBA dhe autor i Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës: “Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato”. T’i luftojë me forcë edhe atëherë, kur “arma” e kritikës tentohet nga disa që të shndërrohet në kritikë me armë.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Mars 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
