Senegali është rikthyer zyrtarisht si fitues i Kupës së Kombeve të Afrikës 2025 pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, të njohur si CAS. Gjykata ka rrëzuar vendimin e mëparshëm që i kishte hequr titullin kombëtares senegaleze, të cilin ajo e kishte fituar në fushën e lojës gjatë finales së tensionuar kundër Marokut, në muajin janar.
Ndeshja finale, e zhvilluar në Rabat, përfundoi me fitoren 1-0 të Senegalit pas kohës shtesë. Megjithatë, gati dy muaj më vonë, Komisioni i Apelit i Konfederatës Afrikane të Futbollit vendosi t'ia hiqte titullin Senegalit, duke argumentuar se skuadra kishte shkelur rregulloren e garës pasi ishte larguar nga fusha në minutat shtesë të pjesës së dytë, në shenjë proteste ndaj një penalltie të akorduar kundër saj.
Federata e Futbollit e Senegalit (FSF) e apeloi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), autoriteti më i lartë ligjor në sport. Çështja u shqyrtua nga një panel prej tre gjyqtarësh në një seancë me dyer të mbyllura, më 8 tetor, në Lozanë të Zvicrës.
Në një vendim unanim, paneli i CAS-it ka mbështetur në thelb vendimin e arbitrit Jean-Jacques Ndala për të rifilluar ndeshjen pasi lojtarët e Senegalit u rikthyen në fushë. Takimi u zhvillua deri në fund dhe rezultati mbetet në fuqi.
Kështu, Senegali konfirmohet zyrtarisht fitues i Kupës së Kombeve të Afrikës 2025.
Në një komunikatë, CAS bëri të ditur se gjykata vlerësoi se "vendimi i arbitrit për të rifilluar apo ndërprerë ndeshjen i përket ekskluzivisht autoritetit të tij".
“Duke i rënë bilbilit për të rifilluar lojën, arbitri konsideroi se ishin plotësuar kushtet për vazhdimin e ndeshjes: të dyja skuadrat ishin rikthyer në fushë dhe kishin shprehur gatishmërinë për të luajtur”, thuhet në deklaratën e CAS-it.
Federata Senegaleze reagoi menjëherë në rrjetet sociale, duke publikuar një fotografi të skuadrës duke ngritur trofeun në janar, me mbishkrimin: “Përsëri dhe gjithmonë, kampionë të Afrikës”.
Ndërkohë, Federata Marokene e Futbollit (FRMF) shprehu “surprizën” për vendimin dhe deklaroi se do të ndjekë “të gjitha rrugët ligjore të disponueshme për ta kundërshtuar atë”.
CAF ende nuk ka reaguar zyrtarisht, por presidenti i saj, Patrice Motsepe, ka deklaruar vazhdimisht se organizata do ta respektojë dhe zbatojë vendimin e CAS-it.
Arsyetimi i plotë i vendimit pritet të publikohet nga CAS në një moment të mëvonshëm, përveç rastit kur palët kërkojnë që dokumenti të mbetet konfidencial.






Komente
Komento