CDU/CSU voton PRO çeljes së negociatave, Rama: Faleminderit Angela për mbështetjen, Shqipëria e meriton

TIRANË- Grupimi më i madh politik gjerman, CDU- SCU dhe SPD ka votuar 'PRO' hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky është një vendim shumë i rëndësishëm, që do të thotë se Gjermania do t’i thotë "PO" Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE më 18 tetor, ditë kur dhe do të merret vendimi. 

Por, qëndrimi i tyre ka një seri konstatimesh dhe kushtesh, që Shqipëria duhet të plotësojë më pas. Në fazën e parë është vënia në punë e Gjykatës Kushtetuesë dhe Gjykatës së lartë dhe Reforma Zgjedhore, në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Për të vijuar me 7 kushte të tjera në fazën e dytë. Theksi vihet tek ligjshmëria e zgjedhjeve të 30 qershorit, marrja një vendimi nga Gjykata Kushtetuese dhe tek procedimi penal për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kaluan procesin e Vettingut.

1. Zbatimi i Reformës Zgjedhore
2. Procedimi penal për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kaluan procesin e Vettingut
3. Ndjekja penale ndaj atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje
4. Krijimi i SPAK
5.Një bilanc suksesi në luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
6. Reforma Administrative
7. Ligjshmëria e 30 qershorit nga Gjykata Kushtetuese

Një ndër pikat kryesore është kriza politike, ku i bëjnë thirrje partive që të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut, në të kundërtën  do të ngadalësonte vazhdimësinë e negociatave.Të enjten në mbrëmje dokumenti, i votuar me 75 pro 28 kundër, pritet të miratohet në Bundestag pas një debati 45 minutash. 

Lajmin e ka komentuar edhe kryeministri Edi Rama, teksa ka pasur edhe një mesazh për deputetët që votuan kundër. "Faleminderit të gjithë deputetët e CDU/CSU që më në fund votuan pro hapjes së negociatave. Ata qē votuan kundër do t’i bindim në çdo hap me fakte se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Faleminderit Angela për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë", shkruan Rama. 

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama

Vendimi i plotë i grupeve parlamentare:

Parlamenti gjerman     Qarkore 19/[…]

Legjislatura e 19-të     Datë: 18.09.2019, Ora 15.00

Kërkesë e grupeve parlamentare CDU/CSU dhe SPD

Marrëveshje e përbashkët e Bundestag-ut dhe Qeverisë Federale mbi kërkesën për anëtarësim të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbi rekomandimin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësueses së Lartë të datës 29 Maj 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit

Parlamenti gjerman dëshiron të vendosë:

Në samitin e tyre me shtetet e Ballkanit Perëndimor më 21 qershor 2003, krerët e shteteve dhe qeveritë e Bashkimit Evropian (BE) u dhanë vendeve të Ballkanit mundësinë e anëtarësimit në BE nëse i plotësonin kushtet. Shqipëria paraqiti një kërkesë për anëtarësim në BE më 28 prill 2009 në përputhje me nenin 49 të Traktatit për Bashkimin Evropian (TEU). Në qershor 2014, Këshilli Evropian miratoi për Shqipërinë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bazë të vlerësimit të Komisionit Evropian.

Më 29 maj 2019, Komisioni paraqiti një raport mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Komisioni rekomandon në këtë raport çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Këshilli Evropian vendosi më 20 qershor 2019 që të marrë një vendim thelbësor sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se Tetori 2019 për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

Në letrën e saj të datës 6 shtator 2019, Qeveria Federale i kujtoi  Bundestagut gjerman që Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme më 15 tetor 2019 si dhe Këshilli Evropian më 17 dhe 18 Tetor duhet të vlerësonin përparimet e Shqipërisë dhe të vendosnin për hapjen e negociatave të pranimit në BE. Qeveria Federale i ka referuar Bundestagut gjerman mbi të drejtën e tij për të komentuar vendimet për hapjen e negociatave të pranimit në BE. Sipas nenit 9 të Ligjit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë Federale dhe Bundestagut gjerman në çështjet e BE-së, Qeveria Federale duhet të ketë dakordëesi me Bundestagun gjerman përpara se ajo të japë miratimin e saj për negociatat e pranimit.

Në raportin e tij para Parlamentit Evropian dhe Këshillit mbi përpari-min e Shqipërisë në arritjen e shkallës së nevojshme të plotësimit të  kritereve të anëtarësimit, Komisioni arrin në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim të qëndrueshëm në zbatimin e reformave në fushat kryesore të administratës, drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut. Në qershor 2018, në kon-kluzionet e tij Këshilli shprehu miratimin për  marrjen e vendimit për hapjen e bisedimeve të pranimit në vitin 2019 në bazë të progresit të arritur deri më tani si dhe përmbushjes së kritereve kyçe të përcaktuara. Që prej asaj kohe Shqipëria i ka çuar më tej përpjekjet e saj për reforma dhe ka bërë përparim në kriteret kyçe. Përveç vlerësimit pozitiv të përparimit të reformave, Komisioni kërkon gjithashtu një përmirësim të klimës politike.

Bundestagu gjerman mbështet perspektivën e Shqipërisë në BE dhe vlerëson pavarësisht gjithë mangësive përpjekjet për reforma në vend. Procesi i anëtarësimit është një shtytës vendimtar për reformat dhe stabilitetin në rajon. Gjermania dhe BE janë veçanërisht të interesuara për stabilizimin dhe bashkëpunimin e fqinjësisë së mirë në rajon. Shqipëria i jep procesit të afrimit në BE një përparësi shumë të lartë, dhe motivimi i këtij vendi të NATO-s për t’u anëtarësuar në BE është i lartë. Vitet e fundit, vendi ka filluar pjesërisht reformat thelbësore politike për të përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të prani-mit. Reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi është duke u zbatuar.

Bundestagu gjerman sidoqoftë vëren se gjatë zbatimit të disa priorite-teve kyçe faktikisht u arrit progres, por gjithashtu ekzistojnë shumë deficite. Institucionet e reja për vetë-administrimin në fushën e drejtësisë faktikisht janë ngritur, por nuk janë akoma funksionale. Janë ndërmarrë hapa për forcimin e pavarësisë dhe detyrimit të lloga-ridhënies së drejtësisë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë tani duhet të plotësohen. Është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet ri-marrja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kualifikuar dhe të pavarur përmes shkollimit dhe trajnimit.

Tashmë është bërë progres i dukshëm në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Në bashkëpunim intensiv me autoritetet italiane janë reali-zuar fluturime të shumta vëzhguese për të gjurmuar plantacionet. Madhësia e plantacioneve të kultivuara është zvogëluar ndjeshëm.

Sasia e kanabisit të konfiskuar në Itali – një tregues i sasisë së kultivuar – ra me 81% brenda një viti (6,59 ton në vitin 2018 krahasuar me 34,72 ton në vitin 2017). Ekziston edhe një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet gjermane. Shqipëria mbetet sidoqoftë, qender e trafikut të drogës për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm.

Në lidhje me reformën në administratën publike, Shqipëria gjithashtu ka bërë përparim në efikasitetin dhe transparencën e shërbimeve pub-like. Këto duhet të konsolidohen në mënyrë që të ngrihet një admini-stratë publike më efikase, e depolitizuar dhe profesionale.

Përveç pesë prioriteteve kyçe të formuluara nga Komisioni në Raportin e progresit për plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit, OSBE / ODIHR dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës në 2013 dhe 2015 formuluan rekomandime për një reformë zgjedhore. Edhe pse këto nuk janë pjesë e katalogut evropian të kërke-save, Bundestagu gjerman konsideron se është i nevojshëm zbatimi i shpejtë i rekomandimeve. Për këtë qëllim një projekt-ligj u paraqit në dhjetor 2018, por ai ende nuk është miratuar.

Shqipëria është në një krizë politike te brendshme te rende. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme

II.

Bundestagu vëren se:

  • Të gjithë 57 gjyqtarët dhe prokurorët e listws prioritare të gjykatave dhe prokurorive të nivelit më të lartë u morën në pyetje në kuadër të procesit të verifikimit. Personat e verifikuar me rezultat negativ u larguan nga detyra.
  • Është paraqitur një ligj për reformën zgjedhore që përputhet me rekomandimet e OSBE / ODHIR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatës zgjedhore, por mbetet për t’u vendosur.
  • Janë ndërmarrë disa procedime penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për vepra penale në procesin e vetingut. Të tjera duhet të pasojnë.
  • Në Gjykatën Kushtetuese u verifikuan të gjithë gjyqtarët dhe u shkarkuan të gjithë gjyqtarët e pakualifikuar nga veting-u. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vetëm një anëtar, ndërkohë që Gjykata ka një numër të madh të çështjeve në pritje. Gjykata Kushtetuese pritet të jetë në gjendje të punojë në muajt e ardhshëm me pesë nga nëntë anëtarët e rregullt të saj.
  • Gjykata e Lartë aktualisht përbëhet nga vetëm një gjyqtar nw detyrw dhe dy gjyqtarë të deleguar. Verifikimi i kandidatëve nuk ka përfunduar ende. Për shkak të procedurave të gjata të verifikimit, nuk pritet që  Gjykata e Lartë të jetë funksionale para fundit të vitit 2019.
  • Detyra e Prokurorit të Përgjithshëm kryhet nga një prokuror i përkohshëm dhe duhet të përzgjidhet një prokuror sipas mandatit sa më shpejt të jetë e mundur.
  • Për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar u krijua struktura speciale e kërkuar SPAK, një Gjykatë speciale për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për këtë Shqipëria bashkëpunon ngushtë me ekspertë nga Gjermania, Austria dhe shtetet e tjera anëtare dhe ka lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me EUROJUST. Deri tani janë miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë 15 kandidatë. SPAK pritet të fillojw funksionimin deri në fund të vitit 2019.
  • Prokuroria ka ndërmarrë një hetim kundër atyre që akuzohen për blerje votash; megjithatë, deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti. Duhet të fillojnë menjëherë procedime penale dhe të përfundojnë shpejt, sapo të vërtetohet një dyshim për veprën.
  • Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 ishin kryesisht paqësore; megjithatë mungon një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve.
  • Ndërsa hetimet proaktive, ndjekjet penale dhe dënimet në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar po njohin sukses, ato duhet të vazhdojnë me shpejtësi dhe energji në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe zyrtarët dhe politikanët e nivelit të lartë.
  • Progres është arritur edhe në reformën administrative. Për shembull, legjislacioni i shërbimit civil është miratuar dhe janë krijuar struktura për trainimin dhe rekrutimin e personelit profesional administrativ. Megjithatë zbatimi po përparon ngadalë.
  • Është forcuar lufta kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj. Falë grupeve të përbashkëta hetimore me Italinë dhe Gjermaninë, mundën të arrestoheshin grupe kriminale në Itali. Kultivimi i drogës mundi të frenohej, por në vend të saj është rritur roli i Shqipërisë në trafikun e saj.
  • Deklaratat politike dhe përpjekjet për bashkimin e popullatës shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nën Shqipërinë e Madhe mund të çojnë në konflikte të paparashikueshme në Ballkanin Perëndimor. Ato duhet të ndalen menjëherë sepse këto përpjekje do të ishin të papajtueshme me anëtarësimin në BE dhe do të çonin në ndërprerjen e negociatave të anetarësi-mit.

III.

Bundestagu gjerman deklaron në bazë të nenit 9 të ligjit federal mbi bashkëpunimin e Qeverisë Federale më Bundestagun gjerman në cështjet e BE-së miratimin e tij, që Qeveria Federale të miratojë një vendim të Këshillit të Evropës për çeljen e negociatave mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në të njëjtën kohë ai shpreh pritshmërinë që kur të merret një vendim i mëvonshëm për anëtarësi-min në BE jo vetëm është vendimtare plotësimi i kritereve të anëtarësimit, por edhe të merret parasysh kapaciteti për anëtarësim i BE-së.

Bundestagu gjithashtu i kërkon Qeverisë Federale që,

  1. Në Këshillin e Evropës më datë 17/18 Tetor 2019 të miratohen negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë parimisht vetëm me kushtin, që
  2. a) Konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojw plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar.

– Të merret vendim  për reformën zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe siguron një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore. Rishikimi i draftit të përgatitur atje duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019.

  1. b) Mbajtja e konferencës së dytë të anëtarësimit dhe hapja e negociatave pwrmes kapitujve të parë të ndodhë, kur qeveria Federale të konstatojw plotësimin e kushteve të mëposhtme nga Shqipëria:

– Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar

– Fillimi i procedimeve  penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;

– Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore  kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve,

– Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj  për të punuar

– Progres solid në krjimin e bilanci suksesi  në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë. Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar,

– Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e  parregullsive,

– Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor,

  1. të sigurojë, që kuadri i negociatave të ndërtohet në mënyrë të tillë që të sigurohet një vazhdim konsekuent i kursit të reformës dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave të miratuara nga Shqipëria. Nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten. Hapja dhe mbyllja e kapitujve individualë të negociatave duhet të varen nga kritere të qarta;
  2. të qartësojë se Shqipëria duhet të bëjë ende përpjekje të tjera të konsiderueshme për të përmbushur kriteret e pranimit, veçanërisht në fushat

–           Sundimi i ligjit, kjo do të thotë vazhdimi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (proçesi i vetingut), krijimi i strukturave të reja të drejtësisë,

–           Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë forcimin dhe lidhjen e  institucioneve në rrjet, si dhe krijimin e bilanci suksesi në të gjitha nivelet dhe zbulimin dhe konfiskimin e fondeve financiare në lidhje me korrupsionin;

  1. të sigurojë që Komisioni dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm të informojnë rregullisht për përparimin e reformave gjatë negociatave të pranimit, veçanërisht në këto fusha kyçe;

Të sigurojë që shtjellimi i ketyre kapitujve (para së gjithash kapitulli 23 Gjyqësori dhe Të Drejtat Themelore, kapitulli 24 Drejtësia, Liria dhe Siguria) të kryhet në fillim të negociatave dhe ato të mbyllen vetëm në fund të negociatave. Planet e veprimit për këto kapituj të propozuar nga Komisioni duhet të përcaktojnë afate dhe synime të qarta, përmbushja e të cilave përbën një parakusht për hapjen e kapitujve të rinj; kapitujt e tjerë të negociatave nuk duhet të hapen më parë. Komisioni duhet të raportojë rregullisht për zbatimin e planeve të veprimit, përveç progres raporteve vjetore. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të tjerë duhet të varen nga përparimi thelbësor në këto fusha.

Bundestagu rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtën e tij të përgjithshme për të komentuar në përputhje me ligjin federal mbi bashkëpunimin e Qeverise Federale me Bundestagun gjerman për çështjet e BE-së nëse ai konkludon se kushtet për hapjen e kapitujve të negociatave nuk janë përmbushur;

  1. Të sigurojë, që temat

–           Institucione demokratike funksionale,

–           Reforma në administratën publike,

–           zhvillimi ekonomik dhe aftësia konkuruese,

–           fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal,

–           liria e shtypit dhe e medias,

–           të drejtat e grupeve më vulnerabwl dhe anëtarëve të pakicave,

–           shoqëri civile aktive

të pasqyrojnë pikat thelbësore të negociatave të anëtarësimit.

  1. të sigurojë që Shqipëria të përmbushë plotësisht kriteret politike dhe ekonomike në rast anëtarësimi. Përmbushja e rreptë e kritereve të Kopenhagenit mbetet parakusht për anëtarësimin. Nuk duhet të ketë anëtarësim automatik, për shembull duke përmendur një datë pranimi përpara përfundimit të negociatave;
  2. të angazhohet që në përshtatjen me aktin komunitar (acquis communautaire) të arrihen sa më pak rregulla të përkohshme dhe përjashtime; Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në BE dhe duhet të pranojë që Acquis të mos zbehet nga negociatat;
  3. të angazhohet që Shqipëria gjatë procesit të negociatave t‘i nënshtrohet dispozitave të Paktit Evropian të Stabilitetit dhe të Rritjes dhe ajo të respektojë kriteret e Stabilitetit të Traktatit të Mastrihtit përpara se të mund të bashkohej zyrtarisht në bashkimin monetar pas një anetarësimi të mundshëm;
  4. Të informojë në vazhdim Bundestagun gjerman në përputhje me nenin 3 deri 6 të ligjit federal mbi bashkëpunimin e Qeverise Federale me Bundestagun gjerman në çështjet e BE-së mbi përparimin e negociatave të pranimit dhe gjithashtu të qartësojë pozicionin e saj. Progresi në rrugën e pranimit nuk duhet të vlerësohet vetëm nga Komisioni, por edhe rregullisht nga Qeveria Federale duke përfshirë këtu përfaqësitë e saj diplomatike.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alfons: 26/09/2019 16:57

    Po legalizimet e prones se vjedhur, apo do i kerkoje Franca me 9 kushte te tjera...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani