Celibashi për Report Tv: PD s’mund të përdoret tek 'Shtëpia e Lirisë', s’kërkoi të ishte në koalicion! Rezultatet e 6 marsit brenda 48 orëve! Ja pse votimi elektronik do aplikohet vetëm në Vorë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një lidhje direkte për 'Studio Live' me gazetarët Migena Sotiri dhe Arbër Hitaj në Report Tv, foli për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit. Celibashi deklaroi se organizimi për zgjedhjet po shkon në përputhje të plotë me të gjitha parashikimet dhe programin që KQZ ka bërë.

“Është faza intensive e përgatitjes së këtij procesi. Kemi përfunduar aktet rregullatorë për këtë proces. Po punojmë për përgatitjen e bazës materiale në shërbim të këtyre zgjedhjeve.”-tha Celibashi.

Kreu i KQZ, tha se zgjodhën vetëm Bashkinë Vorë për votimin elektronik për shkak të kohës në dispozicion sepse numri i qendrave të votimit në Vorë është më i vogël se numri i pajisjeve që kanë për votimin elektronik.

"Koha në dispozicion  nuk na mundësonte të shtonim numrin e këtyre pajisjeve. Për më tepër nuk është proces i thjeshtë si teknikisht dhe financiarisht.”-tha Celibashi.

I pyetur se përse është për përjashtuar fjala ‘Partia Demokratike’ nga koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’, Celibashi deklaroi se PD është e regjistruar si subjekt zgjedhor dhe nuk rezulton që PD të ketë kërkuar për të qenë në koalicion me partitë e tjera.

“Kërkesa për koalicion e paraqitur nga LSI, ishte kërkesë që kishte legjitimitet për atë dhe Partinë Demokristiane. Natyrshëm në identifikimin e këtij koalicioni nuk mund të përdoret Partia Demokratike.”-tha Celibashi.

Sa i përket kandidatëve që vijnë nga ky koalicion, kreu i KQZ tha se mbetet për tu parë përputhshmëria e dokumentacionit që ka paraqitur ky subjekt.

“Nëse s’do kenë probleme me dokumentacionit të kandidatëve, patjetër që do regjistrohen si kandidatë të ‘Shtëpisë së Lirisë”-tha ai.

Akuzave drejtuar ndaj tij nga ‘Foltorja’ e Berishës, Celibashi deklaroi se nuk ka identifikuar asnjë akuzë por theksoi se partitë në përgjithësi kanë shqetësime për venddimarrjet që nuk shkojnë në interesin e tyre politik.

“Nuk besoj se është ndonjë ngjarje e re. Vendimmarrjen e marrim në parashikim të ligjit për palët e interesuara.”-tha Celibashi.

Teksa kandidatët që futen në koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’, vijnë nga Komisioni i Rithemelimit përmes primareve, Celibashi theksoi se ata për kodin zgjedhor dhe për KQZ janë kandidatë që po prezantohen nga një subjekt zgjedhor i regjistruar në KQZ.

“Kaq është e mjaftueshme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Se si subjektet zgjedhore kanë ardhur në përzgjedhjen e kandidatëve të tyre, është çështje politike dhe nuk bën me ligjin dhe atë zgjedhor. E gjitha një proces politik që nuk mund ta diskutojmë ne.”-tha Celibashi.

Për vonesat e mëhershme në shpalljen e rezultateve dhe procesin e numërimit, kreu i KQZ, tha se më 6 mars rezultati do shpallet brenda 48 orëve.

“Konsidero edhe numrin e vogël të kandidatëve dhe natyrën jo shumë të komplikuar, do i respektojmë parashikimet e ligjit, por mund ta kemi rezultatin dhe pak më shpejt.”-deklaroi Celibashi.

Ndër të tjera, Ilirjan Celibashi, tha se janë 190 milionë lekë të akorduara nga qeveria për procesin zgjedhor të 6 marsit.

“Kemi mbështetje edhe nga donatorë të tjerë për të përmbushur detyrimet që lidhen me përgatitjen e këtij procesi zgjedhor.”-tha Celibashi.

Për procesin e votimit dhe numërimit, duke i kujtuar kallëzimin që KQZ ka bërë më 25 prill për disa numërues dhe anëtarë të ZAZ-ve, Celibashi tha se e kanë në vëmendje.

“Askush prej nesh s’ka dëshirë të bëjë kallëzime, por për shkak të interesit publik duhet bërë. Mesazhin e kanë marrë të gjithë. Besoj se nuk do të ketë probleme në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Partitë politike besoj e kanë kuptuar që njerëzit që kanë propozuar të mos bëjnë veprime në kudërshtim të ligjit.”-tha Celibashi.

Si e vlerëson interesin e selive diplomatike për procesin e zgjedhjeve të 6 marsit, kreu i KQZ theksoi se ka pasur disa takime.

“Kemi pasur takime informuese, me karakter bashkëpunues. Struktura e KQZ i krijon mundësi palëve të adresojnë shqetëismet e tyre për procesin zgjedhor. KQZ ka treguar se nuk i mungon vullneti për të shqyrtuar kërkesa dhe ankes.”-deklaroi Celibashi.

Për shqyrtimin në aspektin e dekriminalizimit të emrave të kandidatëve nga subjektet e ndryshme politike, Celibashi deklaroi se pjesën paraprake KQZ ka filluar ta bëjë.

“Nëse do duhen verifikime të thelluara, implikon më shumë kohë se sa kemi ne në dispozicion. Nëse s’do ketë nevojë për hetim të thelluar, besoj se ata janë pjesëmarrës në garë. Nëse do jenë fitues, do jenë fitues legjitim.”-tha ai.

Në përfundim, kreu i KQZ, tha se fushata elektorale, nis zyrtarisht më datë 19 shkurt dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Ndërsa kishte dhe një thirrje ndaj votuesve.

“Partitë Politike do duhet të respektojnë rregullat për një garë të rregullt dhe të ndershme. Uroj të shkojë në një klimë të qetë dhe pa tensione në datën 6 mars. Votuesit e 6 bashkive, të bëjnë verifikimin për të dhënat e tyre dhe vlefshmërinë e dokumenteve të identifikimit. Nëse nuk e kanë të vlefshme, nuk do lejohen të votojnë. Sa i përket sfidave, ky proces zgjedhor është sfidë për të gjithë, edhe vetë KQZ-në. Synojmë që nga pikëpamja e administrimit të bëjmë të njëjtën gjë si më 25 prill në shpejtësinë e rezultatit të zgjedhjeve.”-përfundoi Celibashi.

LSI-PDK kanë dërguar për të regjistruar në KQZ kandidatët e Sali Berishës të dalë nga primaret e Komisionit të Rithemelimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit që do të zhvillohen në 6 bashki të vendit. Nën emrin e koalicionit "Shtëpia e lirisë" LSI dhe PDK kanë këkruar nga KQZ regjistrimin si kandidat për zgjedhjet e 6 marsit Bardh Spahinë për Bashkinë Shkodër, Elton Banon për Bashkinë Lushnje dhe Ardian Muka për Bashkinë Durrës.

 

 

Video e plotë nga emisioni

/AV/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ola: 09/02/2022 19:51

    Berisha nuk mund te kandidoj persona qe jan zgjedh me primare nen siglen e PD.Ato jan zgjedhur ne menyre te paligjshme si kandidat dhe KQZ nuk duhet ti pranoj emrat e tyre te propozuar nga LSI.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës