Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp, vijoi komentin për çështjen e Ballukut, teksa tha se nuk ka ndodhur asnjëherë në BE që të ndodhë një gjë e tillë dhe të cenohet pavarësia e ekzekutivit. Ai tha se PS do të vijojë të jetë garante e pavarësisë së drejtësisë edhe pse është prekur vetë padrejtësisht.
“U soll këtu BE, si një pikë referimi se çfarë duhet të ndodhë. Nuk ka qëndrim uniform në BE, por ajo që është më e rëndësishme sesa kjo është që nuk bën vaki në BE që njerëzit të pezullohen nga funksionet, unike në historinë e Evropës, duke qenë të zgjedhur. Nuk bën vaki në BE që kryetari i bashkisë të merret nga zyra dhe të çohen në burg, pa gjyq dhe të mbahen në paraburgim për muaj e muaj të tërë, nuk bën vaki në BE, që sçc e thotë jo qeveria e Shqipërisë por Komisioni i Torturës i Strasburgut, një vend të ketë më shumë të paraburgosur sesa njerëz të gjykuar të burgosur me gjyq. Në këtë pikë, besoj se të gjithë duhet të bëjmë punën dhe të luajmë rolin tonë. Ne kemi tonin, roli ynë është që të jemi garant të kësaj pavarësie të drejtësisë që Shqipëria po njeh për herë të parë në historinë e vet, ta mbrojmë këtë pavarësi të gjyqësorit edhe kur rëndon mbi në formën e një padrejtësie sipas nesh, që e përsëris nuk ka të ngjashme në Evropë dhe të respektojmë kufirin tonë, pa hyrë në territorin e një pushteti tjetër të pavarur por nga ana tjetër, të gjithë duhet të bëjnë detyrën e tyre. Nuk mund të hyjmë në territorin e një pushteti tjetër të pavarur, kjo vlen edhe për pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ. ", tha Rama.
Më tej, ai tha se duhet luftuar kultura e kthimit të institucioneve të drejtësisë në "sallone mediatike". Theksoi më tej se sa të jetë ai në krye të qeverisë nuk do të lejojë që të ketë luftë me drejtësinë apo synime për të kundërshtuar akuzat e bëra nga drejtësia. Por, shtoi Rama, nuk duhet lejuar që të humbasë rendi kushtetues në vend.
"Iu them miqësisht që kultura e gjyqeve popullore dhe e organizimeve nëpër salla që dikur ishin salla teatrosh e vatrash kulture, sot janë sallone mediatike për të dhënë dënime bazuar mbi sekrete hetimore të nxjerra nga vetë prokurorët, është kulturë që duhet ta luftojmë të gjithë se nuk i bën mirë askujt dhe kësaj shoqërie. Ne jemi garantët e pavarësisë së gjyqësorit, me çdo çmim edhe kur është i atillë që të vjen të mos ndalesh duke thënë se çfarë të shkon nëpër mend. Vetëm kështu arrijmë objektivin që të bëhemi anëtar i BE. Është pushtet i ri fëminor, i ndërtuar mbi një të kaluar që nuk e ndihmon drejtësinë e pavarur. Nuk ka traditë e kulturë historike të një drejtësie të pavarur. Aftësitë e prokurorëve dhe gjykatësve janë pjesë që duhen rritur dhe forcuar. Duhet kohë, durim e vendoshmëri. Ne këtë vendosshmëri e kemi. Sa të jem unë në këtë detyrë nuk do të shikoni luftëra me drejtësinë apo akuza për të kundërshtuar akuzat që bën drejtësia. Ata i sheh gjykata por ama ka një kufi që përcakton kushtetuta midis pushteteve të pavarura. Nëse ne e lejojmë të shkelet, ne kemi humbur gjithçka që është themelore jo për mua, një ministër apo këtë qeveri por për rendin kushtetues në Shqipëri”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Pezullimi i Ballukut/ Qeveria i heq të drejtën e firmës, por ankimon vendimin në Kushtetuese! Rama: Ndërhyrje brutale, por do ta zbatojmë! Vendi mbetet pa zv.kryeministër












