Çfarë është berishizmi?

Çfarë është berishizmi?

Sali Berisha në protestën e 8 janarit

Edhe pse është fenomeni politik më i rëndësishëm i tranzicionit, për të cilin flasim pa fund, në fakt, nuk ekziston një përkufizim i qartë i berishizmit si fenomen i sferës sonë politike. Disa e identifikojnë me kultin e liderit autoritarizmin dhe mungesën e demokracisë, të tjerë me gjuhën e urrejtjes dhe dhunën ndaj kundërshtarit, ndërsa një pjesë e shikojnë si riciklim të enverizmit.

Të gjitha përkufizimet e mësipërme pasqyrojnë aspekte të rëndësishme të berishizmit, por nuk kapin thelbin e tij si fenomen politik. Mungesa e demokracisë, gjuha e urrejtjes apo autoritarizmi janë pasoja të logjikës politike berishiste. Ndaj, për të kuptuar dhe përkufizuar drejt berishizmin duhet të identifikojmë logjikën politike bazë të këtij fenomeni që prodhon më pas të gjitha ato karakteristika, që ne i identifikojmë me të që nga autoritarizmi deri te dhuna. Logjika politike e berishizmit bazohet te dy mekanizma thelbësore. Së pari, transformimi i kundërshtarit politik në armik.

Berishizmi nuk njeh kundërshtarë që kanë të drejtën të mendojnë ndryshe, por armiq që duhen shpartalluar sepse janë thellësisht të korruptuar dhe të kapur nga forca të errëta. Së dyti, përkufizimi i armikut më shumë se në raport me ndonjë parim specifik politik apo ideologjik bëhet në raport me marrëdhënien e tij me Berishën. Nëse është me Berishën, është mik; nëse është kundër tij, është armik. Pra, në logjikën berishiste, Berisha është burimi i normës politike që ndan të mirën nga e keqja.

Dallimi mes kundërshtarit dhe armikut politik është thelbësor këtu. Prodhimi i armikut është karakteristika thelbësore e politikës (nëse i besojmë teorikut gjerman Carl Schmitt, që jo rastësisht ishte simpatizant i ideologjisë naziste). Pra, politika në vetvete nënkupton krijimin e identiteteve politike kolektive në raport me një armik të caktuar. Antagonizmi mes “ne” (demokratë apo berishistë) dhe “ata” (socialistëve apo ramistë) përbën esencën e politikës.

Ama, ndryshe nga sa mendonte Schmitt, dhe siç kanë argumentuar teoricienë të majtë që janë bazuar mbi veprën e tij teorike, armiku duhet dhe mund të transformohet në kundërshtar. Ky në fakt është thelbi i politikës demokratike dhe dallimi i saj me politikën autoritare apo totalitare, qoftë komuniste apo fashiste. Në politikën autoritare apo totalitare nuk ka kundërshtarë, por vetëm armiq politikë.

Ai që nuk mendon si lideri apo partia, është tradhtar, i korruptuar ose idiot. Për pasojë, kundërshtari politik e ka vendin ose në varr, ose në burg, ose në çmendinë. Nuk është rastësi që në regjimet komuniste të Evropës Lindore jo vetëm burgjet, por edhe çmendinat mbusheshin me armiqtë e regjimit. Për pasojë, në regjimet autoritare apo totalitare mobilizimi politik i ngjante shumë mobilizimit luftarak.

Si Musolini, edhe Hitleri i organizonin militantët politikë në grupe paramilitare që marshonin njësoj si ushtarakët. Po kështu, në regjimin tonë komunist në paradën e festës së 1 Majit, marshonin jo vetëm ushtarakët, por edhe punëtorët, kooperativistët dhe studentët. Çdo sektor i shoqërisë organizohej si një repart ushtarak që do luftonte armikun e jashtëm dhe të brendshëm. Midis armikut politik (borgjezi, kulaku dhe ish-bejlerët) dhe atij ushtarak (Traktati i Varshavës) nuk kish ndonjë ndryshim të madh. Në logjikën totalitare, politika dhe lufta janë pothuajse identike, ato synojnë shpartallimin e armikut.

Në politikën demokratike, nga ana tjetër, ai që nuk mendon si unë nuk është armik, por kundërshtar. Koncepti i kundërshtarit i njeh palës, me të cilën unë përballem, të drejtën për të ekzistuar politikisht, pa e degraduar në kategoritë e armikut që duhet eliminuar me çdo kusht. Kundërshtari politik është dikush që është në të drejtën e vet të mos mendojë si unë dhe të ekzistojë në skenën politike. Armiku jo.

Në fakt, transformimi i armikut në kundërshtar është një nga arritjet e mëdha të liberalizmit që pranon se shoqëria është plurale dhe se i njëjti fenomen mund të shikohet, perceptohet dhe kuptohet në mënyrë legjitime nga pikëpamje të ndryshme. Kështu, politika transformohet në vazhdimin e luftës me mjete të tjera (sipas shprehjes së famshme të Foucault). Pra, konflikti dhe përballja sociale është e paevitueshme, por ajo nuk bëhet në mënyrë luftarake dhe të dhunshme.

Kthimi i kësaj logjike me kokë poshtë është esenca e Berishizmit që politikën e koncepton si luftë. Që nga viti 1991 e deri sot Berisha ka transformuar kundërshtarët e tij politikë brenda dhe jashtë PDsë në armiq që duheshin fshirë nga skena politike. Kjo ka stimuluar vazhdimisht dhunën në përballjen e berishizmit me “armiqtë” që nuk kritikohen, por denoncohen dhe demaskohen si qelbësira që duhen nxjerrë me forcë (ligjore dhe antiligjore) nga skena politike. Protesta e 8 janarit ishte thjesht shembulli më i fundit i këtij fenomeni.

Fatos Nano u fut në burg, mocionistët u larguan dhunshëm nga PD-ja duke u cilësuar si komunistë, spiunë dhe tradhtarë, të gjithë kryetarët e PD-së që nuk kanë qenë dakord me Berishën janë dhunuar verbalisht dhe fizikisht, deputetët socialistë u rrahën në sheshin “Skënderbej” teksa protestonin kundër masakrës elektorale të vitit 1996, protestuesit për korrupsionin e Ilir Metës u vranë në 21 janar 2011 në bulevard.

Historia e gjatë e dhunës brenda dhe jashtë PD-së është produkt i transformimit të kundërshtarëve politikë të Berishës në armiq që duheshin eliminuar edhe fizikisht. Thirrja që Berisha u bëri mbështetësve të tij për ta nxjerrë Bashën me dhunë nga selia e PD-së ishte kulmimi i procesit të transformimit të Bashës në armikun më të urryer të demokratëve. Nxjerrja e tij me dhunë nga selia e PD-së dhe dhunimi fizik i mbështetësve të tij ishin të paevitueshme në mos për ndërhyrjen e policisë.

Formula që Berisha përdor për ta transformuar kundërshtarin në armik është konstante, ajo përsëritet prej 30 vitesh. Armiku është gjithmonë thellësisht i korruptuar, pervers dhe i kapur nga forca të errëta, qoftë krimi apo forca antikombëtare si “greku” dhe “serbi”. Kallëpi i armikut nuk ndryshon, ai thjesht herë mbushet me Nanon, herë me Metën, herë me Ramën dhe sot me Bashën. Të njëjtat akuza që bëhen sot për Bashën si i korruptuar, pervers, i kapur nga forcat e errëta Rama-Soros dhe nga krimi, janë identike me ato që bëheshin dje për Fatos Nanon, Ilir Metën dhe Edi Ramën.

Kjo nuk do të thotë që të gjitha akuzat e Berishës janë gënjeshtra. Ama, artikulimi i armikut si një qelbësirë që nuk ka të drejtë të ekzistojë në sferën publike nuk ka lidhje fare me të vërtetën. Berisha është i aftë të transformojë në armiq të urryer edhe persona të respektuar që kurrë nuk janë përfolur për korrupsion. Mjafton të kujtojmë rastin e Ina Ramës, një nga juristet më të afta të vendit tonë dhe një nga vajzat më të respektuara në qytetin e Durrësit, që Berisha e shpalli “lavire bulevardi”.

Në një shoqëri si e jona ku qeverisja fluturon gjithnjë e më larg qytetarit, në aeroportet pa fund dhe pa sens që ajo ndërton, nevoja për të kanalizuar frustrimin dhe urrejtjen është primordiale. Dhe Berisha është mjeshtër për ta kuptuar këtë dhe për t’u krijuar mbështetësve të tij dikë që ta urrejnë me gjithë zemër. Në pamundësi për të mobilizuar me shpresë, ai mobilizon me urrejtje. Ai ka edhe karizmën politike, edhe kallëpin e gatshëm të armikut për ta bërë këtë me sukses.

Transformimi i Bashës në “qelbësirë” nënkupton se vendimi për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar nuk është më produkt i një mendimi ndryshe, nuk është një aksion që Basha dhe mbështetësit e tij e mbrojnë sepse ata mendojnë se është në të mirë të PD-së. Ky vendim tashmë reduktohet te tradhtia, perversiteti dhe korrupsioni i Bashës. Pra, vendimi i Bashës nuk është akti i një kundërshtari, por i një armiku politik. Si i tillë ai nuk mund të debatohet apo analizohet në mënyrë racionale, por thjesht duhet të demaskohet dhe luftohet, qoftë edhe me mjete rrethanore si varretë.

Ky artikulim i Bashës si armik ishte një nga arsyet (jo e vetmja) që e bëri të pamundur zgjidhjen demokratike të konfliktit brenda PD-së. Që në momentin që Berisha e shpalli Bashën peng të Ramës, bërja e një kuvendi apo referendumi që me procedurë duhej miratuar nga organet e kryesisë së Bashës, u bë e pamundur. Për pasojë, Berisha krijoi struktura paralele që e mohonin legjitimitetin e Bashës që para se ky i fundit të rrëzohej me votë.

Këtu vijmë te mekanizmi i dytë politik i Berishizmit, përcaktimi i armikut thjesht në raport me Berishën. Ndryshe nga enverizmi që kish një dimension të thellë ideologjik (nacional-komunizmin), berishizmi nuk ka një bosht të qartë ideologjik apo politik, në raport me të cilin përkufizohen armiqtë. Ai nuk është thellësisht as konservator, as nacionalist, as socialist dhe as liberal. Me të njëjtën lehtësi se si dje Berisha miratonte martesat gey, sot e shpall veten konservator.

Ndaj përkufizimi i armikut nuk bazohet te ndonjë e dhënë e tij ideologjike apo ndonjë parim politik si antikorrupsioni, por thjesht te marrëdhënia me Berishën. Nëse Meta apo Duka ishin dje kriminelë dhe të korruptuar sepse kundërshtonin Berishën, sot janë shtylla të demokracisë sepse janë krah tij. Ndaj akuza më e rëndë që Berisha i bën Bashës nuk është mungesa e demokracisë apo paaftësia e tij për ta sjellë PD-në në pushtet, por besëprerja dhe pengmarrja nga Rama. Të dyja këto janë akte tradhtie ndaj Berishës dhe për berishistët të vetmet mëkate të pafalshme të Bashës.

Mjafton të kujtojmë që PD-ja kish kohë që vuante nga mungesa e demokracisë nën udhëheqjen e Bashës. Strukturat e saj ishin rrumpallë, shumë forume që nga ai i grave dhe FRPD-ja ishin me mandate të skaduara. Po kështu, në tetë vite opozitë koleksioni i humbjeve politike të Bashës ishte impresionant dhe thjesht kulmoi me 25 prillin.

Pa përmendur thashethemet që gëlonin brenda dhe jashtë partisë se ai vegjetonte në krye të PD-së për t’u pasuruar nëpërmjet kunatit të tij të famshëm. E megjithatë, berishizmi e rizgjodhi Bashën kryetar në qershor të viti 2021, menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Ata i falën atij mungesën e demokracisë dhe paaftësinë në lidership për sa kohë ishte në një linjë me Berishën. Ata e bën veshin shurdh ndaj akuzave se Basha po e përdorte PDnë për t’u pasuruar. Vetëm në momentin kur Basha mori një vendim që binte ndesh me interesat dhe qëndrimin e Berishës ai shpallet armik. Pra, përkufizimi i Bashës armik nuk ka asnjë bazë politike, ideologjike apo morale përtej marrëdhënies së tij me Berishën.

Është ky dimension i berishizmit që riprodhon dhe forcon kultin e individit, që e bënte të pamundur jo vetëm debatin logjik, por edhe demokracinë e brendshme në PD. Në një lëvizje politike ku lideri është burimi i normës, ai nuk mund t’i nënshtrohet asaj. I njëjti parim politik që PD-ja kish kërkuar për politikanë të tjerë, largimin e tyre nga Parlamenti sepse ishin shpallur nongrata nga SHBA-të, nuk aplikohet në rastin e Berishës.

Ai nuk mund t’i nënshtrohet normës sepse është prodhues i saj. Ky, në fakt, është përkufizimi i monarkisë absolute ku mbreti prodhon normat dhe për pasojë është mbi to. Është një nga arsyet se përse Luigji i 14-të i Francës deklaronte “Shteti jam unë!”. Ndaj berishizmi shpesh tingëllon si një lëvizje mesjetare. Jo thjesht sepse përdor shkallë dhe varre për të marrë kështjellën moderne të PDsë, por sepse logjika e tij politike është thellësisht monarkike.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë