Cikël poetik/ Me të kuqe më
vish në këtë valle bore të bardhë

Cikël poetik/ Me të kuqe më<br />vish në këtë valle bore të bardhë
Një cikël poetik nga Naum Mara

Gjithëblerësit
Në mesnatë erdhën
Të më blinin shpirtin.
T’ju shihja fytyrat kisha kureshtje
Ata prisnin në të thellë heshtje,
Sa vlente donin të dinin.
E unë qeshja si i marrë
Me marrëzinë e tyre të errët,
Me shpirtin tim që nuk vlente një dysh,
Bërtisja: “Mu hiqni sysh
Pjella të përdala skëterre!”
Jashtë frynte era e dëshpërimit,
Ajo që lulëzimin le në mes,
Që bën të klithësh der’ në ngjirje,
Të stërpërdorurën patetike thirrje
“Shpirtin nuk e shes!”
Cfarë blihej atë natë?
Vetëm gjërat pa vlerë,
Stolitë që nuk shiteshin,
Lulet që përfundimisht vyshkeshin,
Kërthijtë ende pa lerë?
Natë e shitblerësit terror,
E matrapazëve të ëndrrave dhe arit,
E xhambazëve të gjinjve të vënë,
E kambistëve të fjalës “nënë“,
Tregëtarëve të jetës tej varrit.
“I joni është koleksioni i shenjtërive:
Ja- Përdëllimi i murgeshës;
Ja- Soneti i bardit të verbër;
Ja- Dashuria për birin e vetëm;
Ja-Himeni i virgjëreshës.
Të gjitha, të gjitha i blemë!
Tonat janë deri në amëshim.
Nuk ka asgjë që s’ka një vlerë,
Që shpejt a vonë në dorë mos na bjerë,
E zhveshur nga çdo përkushtim!
Ndërsa flisnin fytyrat shqova,
Sy të vdekur që kurrë s’patën qarë,
Mbi buzët e holla dhëmbët e nxjerra,
Qënie pa ngjyrë, tmerrësisht të mjera,
Robër të koleksionit të tyre llahtarë.
 
Veshja
Më hiqni teshat tërësisht zyrtare,
Dhe do shihni shajak të shqyer nën to,
Nga ku dallohet,
Më thellë,
Një larushane këmishë cigani,
Për fat të keq jo mbi të lakuriqtin gjoks,
Por mbi një xhamadan të xhinstë,
Kopsitur krejt,
Sipër një të linjte kozaku.
Veshje të gjithshkaje që kam dashur të isha,
Dhe të jem nuk munda.
Mbi trupin e drobitur të endacakut,
Ende valëvitet këmisha,
E asaj dite të largët të pagëzimit,
Kur mëkatarin të vogël trup,
Pasi e lanë,
E mirosën në kisha,
Me shpresë të shkonte drejt shënjtërimit.
Mos më shihni teshat që tash kam trupit puthitur!
Në to,
Eshtë i njëjti fajtor i pafajshëm,
Krejtësisht cullak,
Edhe pse më i rritur,
Që do më shumë se trishtimin,
Në fytyrë të mbajë buzëqeshjen.
Ndaj mos më shihni ashtu si doni,
Por ma çirrni,
Nga supet ma hiqni,
Përfundimisht ma grisni
Veshjen!

 
Pranë  Shën Françeskut
Unë ec në pakuptueshmërinë e të bardhës,
Nën erën që do të më kujtojë
Se larg ka pranverë,
Dhe se fishkëllimi mardhës,
Do ndalë një herë,
Pas përcjelljes së polenit në pistil.
Dua t’i flas Shën Françeskut,
Por ai edhe pse gjysëm i ngrirë,
Veshur tebdil,
Me të akulluara dantella,
Korbave ju flet.
Unë përulem,
I pëshpëris në vesh,
Ndërsa ai në të thella
Me shenja ju bën drenushave të fshehura.
Ti prêt.
Në qiellin e murrëtyer të rikrijimit,
Lajmin të sjellin patat e vëna varg,
Kumtin e jetës që Shën Françesku më përcjell,
Me gishtat e rreshkur dhe të ngrirë.
Nuk do të jesh në errësirë,
Edhe pse larg.

 
Me të kuqe më vish
Ti thua: “Me të kuqe më vish ,
Në këtë valle bore të bardhë
Të feks mes rrëzëllimit të kristaleve,
Si një shëmbëllim perish,
Të Mesdheut të largët të dukem,
Peritë që ngjiten majave mbi det,
Duke kënduar,
Shtatpërkundura në rradhë.
Mbi këmishë,
Më pri një pjesë të ngjajë si zemër,
Sa gjoksin që pëlqen të shohësh,
Dy xinxifilet do të le t’i prekësh,
E me dhelet e tua ti më tej të më joshësh.
Më pas zjarri i shenjtë t’na përfshijë,
Si i ëmbli lëng që del hardhish,
Të puthemi,
Të dehemi,
Të rregëtijmë;
Të gjithën me të kuqe ti më vish!”
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi