COVID rrit divorcet, qëndrimi në shtëpi nga pandemia 'streson' çiftet! Vetëm në 10 muaj mbi 2000 raste në Tiranë

Pandemia nga koronavirusi i ka shtuar divorcet në vend. Për 10 muajt e 2020-ës, në gjykatën e Tiranës u regjistrua 2138 çështje me objekt zgjidhje martese. Por për avokaten Margarita Kola në kushtet ku gjykatat herë pas here kanë qenë të mbyllura, nuk ka një statistikë mbi shkaqet.

 “Mendoj domethënë nga ato të dhënat e shkëputura, të fragmentuara që këtë vit numri i divorceve ka pasur rritje edhe për shkak të pandemisë. Sepse ju e dini që pandemia ka afektuar kryesisht anën ekonomike të njerëzve, psikologjinë, psikikën e njeriut dhe këto kanë bërë të mundur që të lindin edhe disa shkaqe shtesë nga ato që i kanë paraprirë divorceve në Shqipëri. Të dëgjuar kjo me koleg të tjerë por edhe nga rastet që unë kam pasur të divorceve, ka divorce për shkak të grindjeve për shkak të arsyes së pamundësisë ekonomike. Shumë biznese janë mbyllur, ka shkaktuar strese", thotë avokatja Margarita Kola.

1609170956_margaritakola.jpg

Avokatja Margarita Kola

Për njohësen e këtij fenomeni, qëndrimi bashkë i çifteve në kushte izolimi ka ndikuar për keq. Por nga ana tjetër ka çifte që janë ndarë për shkak të largësisë

“Mendohet por ndoshta pa i dhënë atë rëndësinë më shumë se ç’duhet që edhe për shkak se çiftet kanë qenë së bashku, ndoshta janë krijuar më shumë mundësi për të pasur konflikt dhe ose për të acaruar raportin por ka edhe pamundësi të tjera. Për shembull për shkak të pandemisë mjaft njerëz qëndruan në Shqipëri ose nuk mund të vinin dot nga një vend i huaj në Shqipëri dhe kjo ka shkaktuar edhe keqkuptime në çift”, vijon ajo.

Për avokaten Kola, një lidhje martesore ka humbur kuptimin e qëllimit për të cilin ajo është krijuar, ajo është një martesë e cila duhet prishur nëse nuk ka asnjë lloj baze për njëri rregullim të marrëdhënies.

 “Brezat e rinj kanë një mentalitet tjetër i cili është shoqëruar dhe me faktin që jemi tani jo më një shoqëri e izoluar, por një shoqëri e cila komunikojmë dhe me shoqëri të vendeve të tjera. Ka një diskutim shumë të madh sot që nëse tendenca e divorceve në rritje ose zgjidhjeve të martesave për të qenë korrekt me termin ligjor është pozitiv apo është negative. Kuptohet që në pamje të parë çdo familje e prishur është një dhimbje për palët të cilat kanë investuar por edhe për shoqërinë sepse e dimë që shoqëria mbahet në këmbë nga esenca e familjes por nga ana tjetër unë ndaj mendimin që kur një lidhje martesore ka humbur kuptimin siç e thotë dhe ligjvënësi, të qëllimit që është krijuar, ajo është një martesë e cila duhet prishur nëse nuk ka një lloj baze për një rri rregullim të marrëdhënies. Kështu që në këtë pikëpamje, divorcet dhe zgjidhjet e martesave nuk janë negative në tërësinë e tyre. Ndoshta do kishim dëshirë të kishim sa më pak divorce por kur duhen, sepse shpesh mendojmë që po jetojmë në një familje ose në lidhje martese sepse është keq për fëmijët. Keq për fëmijën është dhe kur shikon një çift i cili është në tensione të vazhdueshme”, shprehet avokatja.

Përsa i përket fenomeneve të reja të zgjidhjeve të martesave, avokatja Margarita Kola tha se Kodi i Familjes nuk ka bërë ndryshimet e duhura në lidhje me kushtet e reja që janë krijuar në Shqipëri.

“Në fakt kodi jonë i familjes nuk ka përfshirë në vetvete ose tëbëj ndryshimet e duhura në lidhje me kushtet e reja që janë krijuar në lidhje me, jo vetëm në lidhjen e martesës, bashkëjetesën por edhe me zgjidhjen e martesës. Për shembull shumëherë në mënyrë fare të panevojshme zgjaten gjyqet për zgjidhje martese për këtë arsye për shembull, një arsye e thjeshtë. Kodi jonë parashikon seancën e pajtimit dhe mirë bën sepse siç thashë familja është e rëndësishme dhe synohet drejt asaj që palët të bashkohen dhe jo të ndahen. Por në kushtet kur kodi është hartuar, ligjvënësi ka pasur parasysh që shqiptarët ishin të izoluar, nuk lëviznin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ka harruar në fakt të adresojë në ndryshimet e reja, të adresojë faktin se sot shqiptarët ndodhen në të gjithë botën. Ata mund ta lidhin martesën këtu dhe jetojnë në një vend tjetër dhe kur duan të bëjnë zgjidhjen e martesës, kodi parashikon që patjetër, së paku pala paditëse të jetë prezent në seancë gjyqësore kur ai i ka lënë prokurë avokatit, kur mund të lëshojë deklaratë që nuk do të marrë pjesë në seancën e pajtimit, duhet të vijë patjetër.Imagjinoni tani që jemi në kushtet e pandemisë kur nuk kanë mundësi të lëvizin se e dini për shkak të tamponit ose karantinave ose për shkak të mbylljes totale që u bë në Europë. Si mundet dikush të vinte, të merrte pjesë në seancë gjyqësore të pajtimit dhe të kthehesh përsëri pa krijuar probleme me punën. Pra duhet që kodi i familjes të adresojë këtë pjesën. Së  paku në qoftë se pala lëshon deklaratë dhe thotë që unë nuk dua të marrë pjesë, nuk jam dakord dhe jep arsyet e veta ë s’ka dëshirë të pajtohet me palën tjetër, gjyqi duhet të vazhdojë dhe në mungesë”, shprehet Kola.

Vështirësia e procesit të divorcit mbetet kur çifti ka një periudhë të gjatë bashkëjetese por edhe mes tyre janë fëmijët. Por kush e përjeton më keq divorcin gratë apo burrat?

 “Nuk mund të themi që e përjetojnë gratë më keq apo burrat e përjetojnë më rëndë divorcin sepse varet nga situatat familjare që krijohen dhe varet nga personaliteti dhe karakteri i gjithsecilit në përjetimin e situatës ajo çfarë mund të thuhet me siguri është që gratë përjetojnë më fort divorcin edhe për shkaqe të aspektit financiar. Domethënë një nga gjërat që ndikon përfundimisht te pjesa e një zgjidhje të martesës është financa më të ulëta, duke qenë se në pjesën më të madhe një grua merr përsipër dhe kujdestarinë e fëmijëve, domethënë pjesa e kujdestarisë së fëmijëve përgjithësisht jo se është gjithmonë kështu, të kuptohemi sepse ka plot raste që vendosen te babait por një pjesë e konsiderueshme qëndrojnë tek nëna fëmijët, kështu që kjo ndikon te të ardhurat financiare të familjes. Përpos faktit që është pak më vështirë nga gruaja për të brendësuar faktin që tashmë jam e divorcuar dhe në aspektin flas të ndikimit që kjo fjalë ka në shoqëri pavarësisht që gjërat kanë ndryshuar nuk jemi absolutisht në të njëjtën situatë siç kemi qenë 10 vjet përpara. Gjërat kanë ndryshuar absolutisht shumë por është vështirë që dhe kjo që të perceptohet dhe ndëshkohet merret shumë kohë për të shkuar deri te vendimi i divorcit nga një grua në momentin që gjërat nuk shkojnë mirë në familje”, thotë psikologja Valbona Treska.

1609170948_psikologe.jpg

Psikologja Valbona Treska

Po te fëmijët si ndikon? Cila është sjellja e tyre në shoqëri dhe se sa të vështirë e kanë ata të mësohen me mungesën e njërit prind?

“Shpesh herë nuk dinë dhe se si ta shprehin dhimbjen e tyre, nuk dinë si ta shprehin pasigurinë, nuk dinë si ta shprehin ankthin që krijohet nga ikja e njërit prej prindërve nga banës. Dhe në një pjesë të madhe kemi agresivitet të shprehur të fëmijëve dhe dëshirë për të qëndruar vetëm,për t’u izoluar dhe një dëshirë për mos të qëndruar me bashkëmoshatarët qarje të shumta të fëmijëve. Domethënë kemi sjellje që nuk janë sjellje të zakonshme të vërejtura nga prindërit kur familja ka qenë e bashkuar. Por ama në mosha të caktuara fëmijët, në qoftë se flasim për një moshë për shembull parashkollore apo të shkollës fillore, fëmija është i paaftë që të shprehi verbalisht se çfarë ndjen. Kështu që detyrimisht do ta shprehi me sjellje, në qoftë se flasim për një moshë pak më të vonshme. Në qoftë se flasim për fillimet e pubertetit kemi probleme të marrëdhënieve të fëmijëve me ambientin social, kemi dëshirë për të qëndruar, për t’u izoluar apo për të qëndruar vetëm. Në qoftë se flasim pastaj për moshën e adoleshencës kemi dhe sjellje në disa raste dhe anti-sociale të adoleshentëve apo sjellje vetë dëmtuese të adoleshentëve. Në momentin që përjetohet dhe në formë traume divorci. Por sa më butë të shkoj një divorc, sa më qetësisht të shkojë një divorc. Sa më pak konflikte [prindërit të vendosin me njëri-tjetrin të veçohen aq më butë dhe qetësisht përjetohet edhe përcillet kjo situatë në familje edhe tek fëmijët. Kështu që kjo është një apel për këdo që është aktualisht në prag divorci dhe po mendon që të planifikojë një zgjidhje të mundshme martesë”, shprehet Treska

Krahasuar me vitet `90, numri i divorceve në Shqipëri është dyfishuar. Referuar nga të dhënat zyrtare, në vitin 2014 për 100 martesa kemi 17.8 divorce ndërsa në 2018 ky numër ka shkuar në 21. Gjykata e Tiranës mbart peshën më të madhe të numrit të padive për divorc ku në 2019-ën u regjistruar 2555 çështje.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar