454 viktima nga COVID-i në Itali, rriten të shëruarit, Gjermania hyn në fazën e dytë/ Universiteti Kembrixhit: Koronavirusi qarkullon në tre variante

Në SHBA numri i vdekjeve nga koronavirusi në 24 orë ishte 1891 shifra që e rrisin totalin e atyre që kanë humbur jetën nga infeksioni në 40 683.

Me 760 000 raste infeksioni, SHBA kanë numrin më të madh në botë krahasuar me vendet e tjera të rasteve pozitive dhe vdekjeve nga Covid.

Ndërkohë në botë numri i viktimave ështe me shumë se 165 mijë dhe më shumë se 2 milionë e 400 mijë janë të infektuar nga koronavirusi kurse numri i të shëruarve është 598,228.

Kurba e vdekjes dhe infeksioneve në New York po vazhdon të bie por për guvernatorin Cuomo, shteti nuk është akoma gati të heq masat e izolimit dhe bllokimit

Numri ditor i vdekjeve të reja ka rënë nën 550 dhe pranimet në spital vazhdojnë të bien, raporton Associated Press.

Guvernatori Andrew Cuomo, megjithatë, thekson se kriza nuk ka mbaruar: spitalet vazhdojnë të raportojnë shtrime të të paktën 2,000 pacientëve të rinj në ditë dhe shtëpitë e të moshuarve  mbeten vende të rrezikshme të infeksionit.

Sot kanë paralajmëruar rihapjen dy shtete, Texas dhe Vermont. Guvernatorët e disa shteteve kanë paralajmëruar, megjithatë, se ata nuk do të veprojnë para kohe për të rihapur ekonomitë e tyre.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:05
Covid-19, vazhdon rënia e kurbës në Itali, 454 viktima nga koronavirusi dhe 1823  të shëruar

Sipas autoriteteve të Mbrojtjes Civile Italiane gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 454 viktima nga koronavirusi, për një total prej 24 114 vdekje që nga fillimi i epidemisë. 

Numri i të shëruarve sot është 1823 për një total prej 48 878 që nga fillimi i epidemisë në vend

Autoritetet raportuan gjithashtu edhe për 2256 raste të reja pozitiv nga Covid-19 për një total prej 181 228

Në kujdesin intensiv janë të shtruar 127 pacientë më pak se dje për një total prej  2573 në strukturat e terapisë intensive 

Në Itali vazhdon ngadalësimi i rritjes së numrit të të infektuarve të rinj dhe rasteve në gjendje të rëndë në kujdesin intensiv. Ka më tepër të shëruar dhe më pak vdekje kurse raporti midis testeve të tamponit të kryera dhe rasteve pozitive të konstatuara është 1 pacient për çdo 16.6 teste të kryera.

Për Walter Ricciardi, përfaqësues italian në OBSH dhe konsulent i Ministrit të Shëndetësisë, "është absolutisht shumë herët për të filluar fazën 2". Sipas tij numrat e pandemisë në disa rajone janë ato të fazës 1 që nuk ka përfunduar ende dhe se kur numrat e të infektuarve të rinj të numërohen me gishtat e njërës dorë dhe jo si tani që janë me katër shifra, athere është koha për të nisur fazën 2.

Ora 17:49
Covid-19, Europa Lindore duke hyrë me fazën 2 të pandemisë nga koronavirusi

Polonia ka lehtësuar kontrollin e distancimit shoqëror. Rregullat e reja që sapo kanë hyrë në fuqi lejojnë më shumë klientë të hyjnë në supermarkete dhe dyqane ndërsa parqet janë rihapur për publikun. Sidoqoftë, si në çdo hapësirë ​​tjetër publike, edhe në kisha dhe vende të tjera të adhurimit duhen të paktën 15 metra katrorë për person. Edhe adoleshentët tashmë mund të lëvizin të pa  shoqëruar nga të rriturit dhe përdorimi i detyrueshëm i maskave është opsional vetëm në zonat rurale.  Deri tani në Poloni numërohen 9453 raste infeksioni dhe 362 viktima

Çekia

Republika Çeke ka rihapur tregjet në ambjente të jashtme pas mbi një muaji bllokimi. Masat totale izoluese kundër pandemisë që ka shkaktuar mijëra njerëz të infektuar dhe pothuajse 200 vdekje.

Sllovaki

Lëvizshmëria e qytetarëve gjithashtu është rritur në Sllovaki, ku forcat policore kontrollojnë lejet e ndryshme dhe çdo certifikatë të detyrueshme mjekësore. Përjashtim bëjnë vetëm gratë shtatzëna dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, të cilëve u lejohet lëvizje më e madhe për arsye të shkaqeve të dukshme madhore. Deri tani në vend numërohen 1173 raste pozitiv nga koronavirusi dhe 13 viktima.

Sipas rregullores së re, profesionistët e kujdesit shëndetësor që kanë një vendbanim të përhershëm ose të përkohshëm në Sllovaki, por që punojnë në Republikën Çeke nuk duhet të futen në karantinë, ata thjesht duhet të tregojnë një certifikatë për testin e tyre negative nga koronavirusi. Përjashtimet përfshijnë drejtuesit e kamionëve, marinarët dhe drejtuesit e trenave që mbërrijnë në Sllovaki me mjete të tjera transporti për të arritur në pikën ku fillojnë të transportojnë mallra.

Ora 16:51
Covid, 450 viktima në 24 orët e fundit. Ditë lehtësuese në Britaninë e Madhe

Britania shënoi sot një ditë pozitive në lidhje me numrin e vdekjeve dhe të të infektuarve nga COVID-19.

Në 24 orët e fundit u shënuan 450 viktima ku në total janë 14,829 të vdekur.

Ky është bilanci më i ulët që prej datës 6 prill në vendin ishullor.

Në Angli u shënuan 429 viktima, 12 në Skoci dhe 9 në Uells. Ndërsa Irlanda e Veriut nuk e ka publikuar ende bilancin ditor.

Ndërsa numri i të infektuarve në të gjithë territorin ka shkuar mbi 120 mijë ka pasur dhe përplasje mes qeverisë dhe ekspertëve e shkencëtarëve. Këta të fundit shprehen se piku i pandemisë ka kaluar që në fund të marsit.

"Masat e rrepta që janë ende në zbatim duhet që të fillojnë të lirohen" - shprehen ata.

Më parë, Princi Filip lëshoi një deklaratë të rrallë për të falënderuar ata persona të përfshirë në luftën kundër pandemisë Covid-19.

Duka, 98 vjeç, përshëndeti punën e stafit të NHS (autoritete shëndetësore në Angli), shkencëtarëve që përpiqen të zhvillonin një vaksinë, dhe stafet e personave të tjerë që janë në vijën e parë të luftës kundër coVid-19.

Ora 16:37
Covid-Gjermani, reagimi i pazakontë i kancelares Merkel: Orgji diskutimesh të rrezikshme për lehtësimin e masave

Kancelarja Merkel e ka kritikuar në mënyrë të pazakontë me ashpërsi debatin që po zhvillohet aktualisht në Gjermani për lirimin e masave të forta kufizuese në luftë kundër koronavirusit. Në një video-konferencë të presidiumit të partisë së saj, CDU, ajo është shprehur, se është e shqetësuar, që mesazhi i lehtësimit të kujdesshëm të masave ka çuar në një “orgji diskutimesh për hapjen” e tyre. Rreziku i infeksioneve me koronavirusin e ri është edhe më tej shumë i lartë në Gjermani, ka thënë Merkel.

Si edhe më parë është e pamënjanueshme, që qytetarët të respektojnë rregullat e distancës dhe masa të tjera mbrojtëse, tha Merkel para pjesëmarrësve në video-konferencë. Merkel citohet të ketë thënë se është “skeptike” dhe “shumë e shqetësuar”.

Konsultime të tjera më 30 prill

Kancelarja gjermane ka kujtuar se për masat e tjera do të diskutohet më 30 prill mes federatës dhe landeve. Por më e rëndësishme është se si do të jetë gjendja pas një jave. Vetëm nga data 8 apo 9 maj do të kemi një përshtypje më të saktë, se si do të ecet përpara me ekonominë dhe si do të veprohet me shkollat, sipas saj.

Federata dhe landet ranë dakord që pas katër javë mbylljeje të detyruar, nga e hëna të hapen dyqanet deri në madhësi 800 metra katrorë. Detajet varet nga degët e caktuara dhe landet. Në disa lande kanë filluar shkollat për nxënësit maturantë. Por rregullat e ndalimit të kontaktit janë në fuqi deri më 3 maj. Bavaria ndërkohë ashpërsoi masat dhe futi detyrimin e maskës në të gjitha dyqanet dhe qarkullimin urban. 

Ora 16:24
Covid-19/Turqi, Presidenti Erdogan: Festë të dyfishtë në fund të muajit maj, heqje e masave të izolimit dhe Ramazani

Turqia shpreson që "në bazë të vlerësimeve shkencore dhe ekspertëve" të ketë një "festë të dyfishtë" në fund të muajit të shenjtë të Ramazanit, në fund të muajit maj.

Kjo u deklarua nga Presidenti Rexhep Tajip Erdogan në të përditshmen qeveritare Sabah, duke pohuar se ekziston një evolucion pozitiv në kurbën e infeksionit nga koronavirusi dhe se nuk ka gjendje shqetësuese në spitalet e vendit dhe njësitë e kujdesit intensiv.

Për të dytën fundjavë radhazi, qeveria e Ankarasë ka vendosur një shtetrrethim total në luftën kundër pandemisë, e cila përfundoi në mesnatën e kaluar.

 Në Turqi aktualisht ka mbi 86 mijë raste dhe 2,017 viktima të Covid-19.

Ora 16:18
Covid/SHBA, në Denver protestuesit bllokohen nga punonjësit e shëndetësisë (FOTO)

Në Denver të SHBA, ashtu si dhe në disa shtete të tjera prej disa ditësh kanë nisur protesta kundër masave izoluese dhe bllokuese të ndërmarra nga disa guvernatorë të tentativë për të frenuar përhapjen e mëtejshme ta epidemisë nga koronavirusi.

Por disa punonjës të shëndetësisë dolën në rrugë për t’u përballur me protestuesit të cilët janë kundër urdhrit të qeverisë për të qëndruar në shtëpi.

Dy punonjës me maska dhe veshje mbrojtëse u bllokuan rrugën protestuesve të zhurmshëm të cilët ishin mbledhur në “State Capitol” në Denver për të sfiduar masat e marra për të parandaluar pandeminë.

Punonjësit e shëndetit iu bllokuan protestuesve rrugën derisa aty mbërritën forca të shumta policore që brenda pak minutash shpërndanë demostruesit.

Presidenti Donald Trump I ka përkrahur protestat dhe I ka quajtur të justifikuar pas sipas tij, disa guvernatorë kanë aplikuar masa bllokimi dhe izolimi shumë të ashpra dhe ai po shikon mundësinë e lehtësimi të masave, ndërsa kërkon që të ndihmojë ekonominë, që ka pësuar rënie për shkak të pandemisë.

Ora 13:36
Covid-19, tmerri që po përjeton biznesmenti i tekstilit që publikoi të vërtetën e epidemisë në Kinë

Gazeta britanike ‘Daily Mail’ përmes një shkrimi të saj tregon se çfarë u ndodhi atyre që flën kundër Kinës për trajtimin që ajo i bëri epidemisë nga koronavirusi. Në shkrim flitet për njerëz të veshur me mjete mbrojtëse ndaj infeksionit por që në fakt ishin oficerë policie të dërguar nga Partia Komuniste Kineze për tu mbyllur gojën kundërshtarëve të saj.

“Trokitja në derë erdhi pas mesdite. Jashtë ishin dy burra të maskuar me kostumet speciale kundër infeksionit nga koronavirusi, të cilët i thanë biznesmenit të tekstilit, 40 vjeçarit Fang Bin se kishin ardhur për ta marrë atë dhe për ta çuar në një karantinë ndërkohë që ai nuk ishte i prekur nga Covid. Në fakt ata nuk ishin mjekë, ishin oficerë policie që po zbatonin urdhëra të PKK.  ‘Krimi’ i vetëm i Fang ishte sepse kishte postuar një video që ai kishte filmuar njerëzit që vdesin nga virusi në rrugë dhe spitalet e mbushura me persona që kërkonin ndihmë, në një kohë kur Pekini zyrtar deklaronte se epidemia ishte nën kontroll.

Daily Mail shkruan se oficerët e morën me dhunë biznemenin nga banesa e tij dhe teksa e pyesnin edhe e dhunuan si dhe e kërcënuan duke i thënë të ndalonte së përhapuri thashethemet për virusin dhe më pas e lane të lirë.

Por kur më 9 shkurt ai postoi në rrjetet sociale një tjetër video kompromentuese, oficerët u rikthyen përsëri te shtëpia e tij, e arrestuan dhe prej asaj kohe për të nuk dihet asgjë.

Grupet e të drejtave të njeriut besojnë në Kinë besojnë se Fang, së bashku me avokatin Chen Qiushi dhe ish-reporterin e televizionit shtetëror Li Zehua, po torturohen dhe po detyrohen të shkruajnë rrëfime të kundërta me ato të postuara nga ata në youtube.

Në Kinë më shumë se 5,100 njerëz u arrestuan për shpërndarjen e informacionit në javët e para të shpërthimit të epidemisë. Të ashtuquajtur ‘kundërshtarë të regjimit’ po etiketohen si të sëmurë mendërisht dhe të infektuar nga koronavirusi, në mënyrë që qeveria t’i vendosë ata në karantinë mjekësore dhe të mos kenë kontakt me asnjë.

Ora 12:01
Covid-19/Studimi në Itali, zero infeksione të reja nga koronavirusi në fund të qershorit për rajonet e Lombardisë dhe Marche

Observatori Kombëtar i Shëndetit në rajonet italiane ka zhvilluar një seri parashikimesh duke u mbështetur në të dhënat e Mbrojtjes Civile.

Sipas studimit, Marche dhe Lombardia do të kenë zero infeksione nga koronavirusi vetëm në fund të muajit qershor përkatësisht, Piemonte më 21 maj, Lazio në 12 maj, Basilicata dhe Umbria duke filluar nga nesër, ndërsa në Italinë Jugore eliminimi i rasteve të reja pozitive duhet të fillojnë midis fundit të prillit dhe fillimit të majit.

Koha e Fazës 2, sidoqoftë, është diskutuar për ditë të tëra, shpesh edhe përmes një lufte të ashpër midis qeverisë dhe rajoneve, dhe është e qartë se shumë lëvizje tani do të varen edhe nga mendimi i shkencëtarëve.

Sipas doktor Alessandro Solipaca "në këtë moment është më shumë se kurrë e nevojshme të sigurohet një vlerësim i saktë i gradualitetit dhe evolucionit të infeksioneve, në mënyrë që të ketë të dhëna për vendimet e rëndësishme në lidhje me fazën 2 që duhet të ndërmarrë qeveria italiane e kryeministrit Conte.

Ora 11:43
Covid-19, Universiteti Kembrixhit: Origjina e koronavirusit jo në Wuhan. Qarkullon në tre variante

Koronavirusi u përhap në Shtator, ka tre variante, dhe ka origjinën në një rajon të Kinës Jugore, jo në Wuhan. Ndërsa u ndesh me rezistencën e sistemit imunitar të njëriut ai ndryshoi shumë shpejt, aq shpejt sa kur shkencëtarët e fotografuan në fakt ai nuk ishte origjinali por mutacioni

Kështu thuhet ne një studim të gjenetistit Peter Forster nga Universiteti i Kembrixhit i botuar nga revista shkencore Proceedings of the National Academy of Science (PNAS).
Studimi, ende jo i certifikuar nga komuniteti shkencor, u krye vetëm në 160 shtame të izoluara.

Sipas studimit epidemia filloi rreth 13 shtatorit ndërkohë që rastet e para u konstatuan më 17 nëntor kur një 55 vjeçar nga provinca e Hubei afër Ëuhan u diagnostikua me COVID-19.

TRE VARIANTET
Sipas studimit koronavirusi gjendet në tre variante, A, B, C.
Shumica e shtameve të ekzaminuara në Shtetet e Bashkuara dhe Australi janë gjenetikisht më afër virusit nga lakuriqi i natës ndërsa virusi europian duket se ështe i llojit të Azisë lindore.  Në fakt, në Kinë dhe gjithashtu në Ëuhan, ku filloi zyrtarisht pandemia, virusi i llojit B ishte më i zakonshëm, në qarkullim deri në prag të Krishtlindjes. Në Guangdong, rreth 500 milje larg Wuhan, shtatë nga 11 mostrat e gjetura tek pacientët ishin tip A. Tipi C, nga ana tjetër, ishte një derivat i tipit B dhe u përhap në të gjithë Evropën.

Sipas rezultateve të studimit, virusi gjithashtu ka ndryshuar sepse ai kaloi nga lakuriqët te njerëzit përmes pangolinave, gjitarëve të vegjël që hanë milingona.
Në realitet, këto janë vetëm hipoteza.  Shkencëtarët nuk janë ende të sigurt se si virusi e bëri "kërcimin" nga lakuriqët te njerëzit.

IMPLIKIMET POLITIKE
Origjina e koronavirusit është bërë padyshim një çështje politike me rëndësi ndërkombëtare: nga njëra anë Donald Trump flet për "virusin kinez"  nga ana tjetër Pekini mbështet tezën që koronavirusi u soll në Kinë nga ushtria amerikane .

E ARDHMJA - Studiuesit tani kanë vendosur të zgjerojnë analizën në mbi një mijë mostra për të pasur më shumë prova për të mbështetur tezat e reja mbi lindjen dhe përhapjen e koronavirusit.

Ora 11:10
Izrael, protestë në kohë koronavirusi! Të distancuar dhe me maska në fytyrë në kryeqytetin Tel Aviv kundër qeverisë (FOTO)

Covid-19, izraelitët mbajnë distancën sociale ndërsa protestojnë ndaj masave të qeverisë Netanyahu

Mijëra izraelit praktikuan dje distancimin social ndërsa protestuan kundër masave që ata i quajnë antidemokratike të ndërmarra nga qeveria në këtë periudhë pandemie.

Pavarësisht qëllimit të protestës ajo që ran ë sy ishte se të gjithë pjesëmarrësit në protestë mbanin maska dhe qëndronin larg njëri tjetrit rreth 2 metra duke siguruar në këtë mënyrë distancimi fizik.

Para fillimit të protestës policia iu kërkojë demostruesve të shënonin në qeshin qëndror të televivit shenja me bojë në mënyrë që të ruanin distancën fizike nga njëri-tjetri.

Kryeministri Netanyahu lehtësoi kufizimet e mbylljes gjatë fundjavës që shkoi ndërsa papunësia në vend u rrit në mbi 26 përqind. Izraeli ka raportuar më shumë se 13,000 raste të koronavirusit dhe 172 vdekje.

Protestat kanë ardhur pas akuzave për korrupsion ndaj kryeministrit, i cili ka mohuar çdo akuzë. Aktualisht po negocion një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me rivalin e tij politik Benny Gantz për të formuar një qeveri koalicioni që do t’i jepte fund ngërçit politik që ka mbërthyer Izraelin, vend i cili mbajti 3 zgjedhje parlamentare në një vit.

Nën moton “Shpëto Demokracinë”, protestuesit i kërkuan partisë Bardh dhe Blu të Gantz, që të mos bëhet pjesë e një koalicioni të drejtuar nga një kryeministër i akuzuar për korrupsion.

Ora 10:09
Covid-19, Norvegjia me 165 viktima sot nis lehtësimin e masave të izolimit dhe bllokimit

Norvegjia, e cila beson se ka virusin nën kontroll, sot filloi fazën 2 të pandemisë me rihapjen e shkollave dhe çerdheve pas një muaji mbylljeje.

Autoritetet thanë që rihapja ishte e mundur sepse fëmijët ishin më pak të prekur, megjithëse disa prindër shprehin rezerva për vendimin.

Rihapja e çerdheve shoqërohet me masa paraprake. Në veçanti, fëmijët nën moshën tre vjeç duhet të grupohen nën përgjegjësinë e një të rrituri në grupe të vogla prej tre personash, dhe ata midis tre dhe gjashtë vjeç në grupe prej gjashtë, pa u përzier me të tjerët. Sipas autoriteteve shkollat fillore do të  rihapen të hënën më 27 prill.

Norvegjia numëron mbi 7100 raste pozitiv me koronavirus dhe 165 vdekje.

Ora 10:02
Covid-19, Gjermania sot hyn zyrtarisht në fazën 2 të pandemisë (VIDEO)

Europa sot zyrtarisht hyn në fazën 2 të luftës kundër koronavirusit me rihapjet e para në një nga vendet kryesore të saj, në Gjermani ku kanë filluar nga aktiviteti shumë dyqane. Në Saksoni, në Berlin dhe Brandenburg nga sot janë rihapur edhe shkollat për ato klasa që kanë provime të diplomimit.

Javën e kaluar, qeveria qendrore dhe Landet ranë dakord për një kalendar të kujdesshëm të rihapjes, i kushtëzuar nga vendimet që rajonet do të marrin gradualisht. Deri më 3 maj, ndërkohë, ndalimi i lëvizjes së më shumë se dy personave dhe detyrimi për të mbajtur një distancë minimale prej 1.5 metrash vazhdon.

Dhe ndërsa kancelarja Merkel "këshilloi me forcë" përdorimin e maskave për të dalë nga shtëpia, Saksonia i ka bërë ato të detyrueshme, dhe Bavaria dhe Mecklenburg-Pomerania do të bëjnë të njëjtën gjë duke filluar nga 27 Prilli.

Në Gjermani ka më shumë se 141 mijë raste të Covid 19 dhe mbi 4,400 vdekje.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti Robert Koch në Gjermani, flasin për 1.775 raste të reja infeksioni, shifra më e ulët në pesë ditët e fundit dhe gjithsej 141.672 të testuar pozitivë.

111 vdekje të tjera janë regjistruar në 24 orët e kaluara për një total prej 4,404 vdekje.

Ora 09:29
Covid-19, rreth 20 mijë viktima në Francë. Kryeministri Edouard Phillippe: Kthimi në jetën normale i vështirë për momentin

Në Paris, të shohësh rrugë të mbushur me njerëz tani është e shpeshtë.

Pas disa javë izolimi, qytetarët kanë nisur të dalin nga shtëpitë. Të shtrënguara midis nevojës dhe frikës, qeveritë e Francës, Spanjës, Italisë po punojnë për të nisur fazën 2 duke ditur që çdo gabim është fatal.

Kryeministri francez Edouard Phillippe ka paralajmëruar sot se për një kohë të gjatë nuk do kthehemi dot në jetën e mëparshme duke shtuar se do të ketë një debat parlamentar për të parë si do vazhdohej më tej por garantoi se mbajtja e maskës do ishte e detyrueshme.

Autoritetet në Francë kanë raportuar se numri i viktimave nga Covid është në pragun e 20 mijë kurse rastet pozitive të infeksionit numërohen rreth 154 mijë

Ora 09:23
Covid-19, Spanja shtyn deri më 9 maj fazën e izolimit dhe bllokimit

14 Mars - 9 maj. Mund të jenë këto data që do të hyjmë në histori si fillimi dhe fundi i mbylljes së Spanjës nga "horribilis Coronavirus".

Kryeministri socialist Pedro Sanchez ka njoftuar se ai do t'i kërkojë parlamentit të zgjasë mbylljen edhe me 15 ditë, deri në datën 9 maj pasi sipas tij duhen më shumë përpjekje para se vendi të futet në fazën 2.

"Megjithë përparimin e madh që kemi bërë, ne ende nuk kemi arritur në parametrat e diktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kështu që është e pamundur t'i japim fund mbylljes", saktësoi ai, duke përmendur përgjegjësinë që kanë qytetarët në kapërcimin e situatës së vështirë.

Koncesioni i vetëm do të jetë shëtitjet me fëmijët duke filluar nga data 27 prill.

Për momentin në Spanjë, ku disa aktivitete nisën nga puna fiks një javë më parë ka mbi 20 mijë e 400 vdekje dhe më shumë se 198 000 infeksione nga koronavirusi..

Ora 09:17
Covid-19, Greqia shpalos planin e rihapjes, më 4 maj njerëzit dalin lirisht

Me rënien e ndjeshme të shifrave nga koronavirusi, Greqia ka shpalosur edhe planin e rihapjes.

Sipas mediave greke, më 4 maj është faza e parë e rihapjes teksa qytetarët nga kjo datë nuk do të duhet të kërkojnë autorizim për të lënë shtëpitë.

Po ashtu në këtë datë do të lejohen edhe dyqanet dhe parukeritë të hapen.

Më 11-18 maj janë datat kur do të hapen për herë të parë pas mbylljes kafenetë, baret dhe restorantet, gjithashtu edhe institucionet arsimore si shkolla dhe universitete.

Hotelet do të hapen në qershor, saktësisht në datën 15 qershor.

Për momentin në Greqi ka 2235 raste infeksioni dhe janë regjistruar 113 viktima nga infeksioni i koronavirusit

Ora 08:56
Covid-19, Kissler, imunologu i Harvardit: Deri në mes te vitit 2022 duhet të mbajmë distancimin social

Mund të zgjasë shumë më tepër sesa pritej lufta për të mundur koronavirusin dhe se brenda një periudhe 2 vjeçare do kemi bllokime dhe izolime të përsëritura herë pas here.
Kështu thuhet në një studim të publikuara në revistën Science të Shkollës së Shëndetit Publik T.H. Chan i Universitetit Amerikan të Harvardit dhe se masat për të lehtësuar kufizimet që vendet e ndryshme të botës po përgatiten të zbatojnë mund të çojnë në valë të reja infeksioni.

Modeli matematik i zhvilluar nga studiuesit amerikanë merr në konsideratë faktorin e panjohur të riinfektimit të pacientëve të rikuperuar. Duke mos ditur deri më tani pas sa kohë mund të konsiderohet ai imun ndaj koronavius, studiuesit ritheksojnë nevojën për të thelluar studimet bazuar në testet serologjike.

Hulumtimi zbulon gjithashtu një detaj tjetër: Covid-19 nuk ka të ngjarë të 'fshihet' siç ishte rasti i të afërmit të tij të ngushtë, virusin Sars. Koronavirus ka një natyrë më të fortë: do të kthehet si gripi gjatë sezonit.
Për të vlerësuar besueshmërinë e këtij skenari, imunologu Stephen Kissler dhe bashkëpunëtorët e tij kanë hartuar një model matematikor për të llogaritur dinamikën e infeksionit gjatë pesë viteve të ardhshme. Nga modelet e përpunuara, si ato që ofrojnë masa të përkohshme të sigurisë - siç janë ndarja sociale dhe karantina, nëse ato nuk zbatohen rezultati te të gjitha modelet është, koronavirusi do rikthehet kur masat parandaluese ulin alarmin dhe nëse kjo ndodh do të ndodhë në vjeshtë.
Mungesa e trajtimeve dhe vaksinave është ajo ndryshore që, sipas studiuesve, sjell një skenar tjetër: virusi SarsCoV2 mund të përsëritet sërish e në vazhdim deri në fund të vitit 2024.
Me këtë fotografi, mbikëqyrja dhe distancimi shoqëror duhet të mbeten në fuqi deri në vitin 2022 kohë kur mendohet se shumica e popullsisë mund të jetë imune ndaj sëmundjes.

Ora 08:48
Covid-19/Francë, gjurmë të vogla të Covid në ujë jo të pijshëm në Paris

Gjurmë të koronavirusit janë gjetur në ujin jo të pijshëm në kryeqytetin francez Paris. Sipas autoriteteve nuk ka rrezik se Covid mund të ketë penetruar edhe në ujin e pijshëm.

Sipas grupeve të punës ngritur pranë bashkisë gjurmë të vigla të Covid ishin gjetur në rrjetin e ujit jo të pijshëm, që përdoret në mënyrë të veçantë për larjen e rrugëve.

Mostrat e çuara në laborator treguan praninë e Covid në 4 nga 27 pikat e testuara.

Sipas autoriteteve të bashkisë Paris, uji i pijshëm, i cili varet nga një rrjet tjetër  "krejtësisht i pavarur", nuk tregon asnjë gjurmë të virusit Covid "dhe" mund të konsumohet pa asnjë rrezik".
 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tang: 20/04/2020 12:29

    Mire thua ti, te ngrihemi. Por te rrasin ne burg dhe te pallojne me gjoba. I kane marre te gjithe frenat ne dore keta dobiçë, na kane lidhur duarsh dhe kembesh.

    Përgjigju
  • Kafsha: 20/04/2020 09:10

    Duhet urgjentisht popujt të ngrihen ne revolucion global të derrmojne mutat qe po i shkaterrojne se ndryshe do na zhbëjnë!! Një grusht njerezish qe nuk janë njerëz po shkaterrojne popujt. TE NGRIHEN POPUJT kundra këtyre mutave! MJAFT MË DURUAM!

    Përgjigju
    • Mjeku: 20/04/2020 18:14

      @kafsha te ngrihesh ndaj kujt ? Ke qef me te prek virusi nqs je trim dill vullnetar ene hajd e provoje cdo te thot te infektohesh nga covid19

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

PD akuza se grabitën prona në Vuno, Rama: Baltë mbi familjen time, shihemi në gjyq! Trashëgimtarët e pronave të stërgjyshit s’kanë marrë certifikatë

PD akuza se grabitën prona në Vuno, Rama: Baltë mbi familjen time, shihemi në gjyq! Trashëgimtarët e pronave të stërgjyshit s’kanë marrë certifikatë