E shfaqur në publik pas një karantinimi të gjatë të kaluar në shtëpi duke hekurosur, Monika Kryemadhi duket më konfuze se kurrë. E intervistuar nga Eni Vasili dhe disa analistë, kryetarja e LSI në më pak se 60 minuta u ngatërrua në qindra kontradikta. Në fillim akuzoi Ramën dhe qeverinë se ka fshehur numrin e vërtetë të të vdekurve nga koronavirusi, pastaj tha se koronavirusi nuk ekziston dhe është vetëm një grip si gjithë të tjerët. E pyetur se përse spitalet e Tiranës atëherë janë bosh, Monika tha se të sëmurët vdesin më parë “sepse policia i bllokon rrugën”. Këtu tejkaloi edhe vetveten, sepse në pak minuta ndryshoi përsëri version duke shpjeguar se në të vërtetë koronavirusi vret kryesisht konsumatorët e kokainës që kanë mushkëri të dobëta. Në këtë pikë akuzoi qeverinë Rama se ka vënë masa shtrënguese të panevojshme.

Duke harruar teorinë e gripit të thjeshtë që sapo tregoi, Monika tha se koronavirusi në të vërtetë është prodhuar në laboratorët kinezë: në këtë mënyrë shpalosi para analistëve të mbetur pa fjalë që koronavirusi eshte nje ''virus sintetik'' dhe jo një “virus bakterologjik”, krijesë e padëgjuar më parë në natyrë, sepse deri tani viruset janë një gjë dhe bakteret një gjë tjetër. Por edhe këtu liderja e LSI (mesa duket e privuar nga mbështetja shkencore e Titit) u ngatërrua, duke këmbëngulur se “për të mposhtur virusin mjaftojnë antibiotikët që janë të kotë kundër baktereve”. Në të vërtetë (siç e dinë të gjithë veç asaj) e vërtetë është e kundërta.

Por nëse do të ishte në qeveri, cila do të ishte receta që Monika do të aplikonte në Shqipëri? Do të hapte çdo gjë, restorante, lokale publike dhe shkolla dhe do të mjaftonte të laheshin duart dhe të mos të konsumohen karbohidrate, se ndryshe do të përfundonim si në Lombardi që “duke ngrënë karbohidrate mëngjes, drekë e darkë – sqaroi – kanë dobësuar sistemin imunitar”, dhe ja pse në Itali ka pasur kaq shumë të vdekur. ''Është ndryshe si ne shqiptarët që hamë mish, pimë raki e hudhra gjithë ditën” tha Monika.

Në fund të ''analizës'' së saj mbi Covid 19, Kryemadhi harroi të saktësojë se 3.6 milion te prekur dhe 250.000 të vdekur në botë janë viktima të kokainës, të gripit të zakonshëm, të “virusit sintentik” (ose ''bakterologjik''?), apo të makaronave.