Masat me natyrë shtetrrethuese të ndërmarra nga qeveria për kufizimin e përhapjes së infeksionit të shkarkuar nga virusi Covid-2019, kanë pezulluar përkohësisht veprimtarinë e Operacionit Forca e Ligjit, për zbatimin e aktit normativ për goditjen e njerëzve të krimit, përmes bllokimit të pasurive, izolimit fizik dhe sanksioneve ekonomike.
Njoftimi i fundit i OFL-së për dërgimin e kërkesave të radhës njerëzve të botës së krimit për deklarimin e pasurisë, ishte në 11 mars.
Report Tv ka mësuar se pezullimi i veprimtarisë së OFL ka ardhur nga pamundësia e zbatimit të procedurave të parashikuara në aktin special normativ, sidomos të afateve nga ana e subjekteve të ligjit për deklarimin e pasurive.
Ligji special parashikon që subjekti, në rastin konkret një person i dënuar apo i dyshuar për kryerjen e një ose më shumë nga 45 vepra penale të përcaktuara, ka vetëm 48 orë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të OFL për pasurinë, nga koha që i shkon formulari.
Në situatën aktuale, ky afat nuk mund të zbatohet, për shkak të masave të ndërmarra kundër koronavirusit, masa të cilat kanë kufizuar jo vetëm lëvizjen e qytetarëve, por edhe veprimtarinë e institucioneve shtetërore.
Nëse OFL do të vijonte procesin e dërgimit të kërkesave për justifikimin e pasurive në këtë situatë, do të krijonte një alibi të fortë për njerëzit e botës së krimit, për t’i shpëtuar veprimit dhe zbatimit të aktit normativ.
Akti special ka fuqi vepruese deri në fund të këtij viti, ndërsa OFL ka do të rinisë veprimtarinë sapo të tejkalohet situata e jashtëzakonshme për shkak të infeksionit nga virusi Covid-2019.
Po çfarë do të ndodhë me çështjet që hapur deri në 11 mars?
Për të gjitha çështjet e hapura do të ndiqen procedurat deri në fund, siç parashikohet në aktin normativ si dhe në Kodin e Procedurës Penale.
Deri më sot, OFL ka referuar në SPAK rreth 70 çështje për sekuestrimin e mbi 100 pasurive.
Deri në 6 mars, SPAK ka shqyrtuar brenda afateve 27 kërkesa për sekuestrim e 60 pasurive.
SPAK i ka vlerësuar si të ligjshme 27 kërkesat, duke i kërkuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosjen e sekuestros për 31 pasuri.
Gjykata e Posaçme do të vijojë seancat gjyqësore për shqyrtimin e dosjeve të referuara nga SPAK, por me publik të kufizuar si dhe me masa mbrojtëse.
Pra, të gjitha çështjet e hapura do të trajtohen brenda afateve të parashikuara.
Për SPAK nuk ka asnjë vendim për kufizimin e veprimtarisë, ndërsa sa i takon veprimtarisë së Gjykatave Speciale, KLGJ ka përcaktuar me anë të një vendimi zhvillimin e seancave për çështje me natyrë të ngutshme, për masat e sigurisë dhe kur të arrestuarit, të pandehurit, ose mbrojtësit e tyre e kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre.