C’u thotë mjekëve që ikën Miço Xhaferi, ‘Kirurgu i Periferisë’ në Jug ?

C’u thotë mjekëve që ikën Miço Xhaferi, ‘Kirurgu i Periferisë’ në Jug ?

Miço Xhaferi

40 vite më parë, atje, buzë detit mes shushurimës e pëshpëritjeve pa shkumë të valëve joniane, duke ngjitur e zbritur shkallaret e Sarandës , duke shëtitur e pirë kafe nën aromën dehëse të trëndafilave e bukovileve kam njohur Mico Xhaferin, mjekun legjendar të atij qyteti. Kirurg që nuk e ka hequr ende stetoskopin nga veshët dhe bisturinë nga dora ! 5 dekada në roje të shëndetit e të jetës së njeriut në qytet e fshat.

Kur hynte në zyrën e korrespondentit të Jugut, përmes tymit të duhanit duman , e linte derën hapur dhe ngrinte zërin me ton urdhërues : Dil shpejt jashtë, miku im i padisiplinuar , mos u bëj vrasës i shëndetit tënd e të tjerëve !...

Rrodhën mjaft vite e ujëra. Pas botimit të reportazhit të gjatë në gazetën “Shqip” në 2012, ra zilja e celularit në Tiranë. Ishte doctor Micua, mbytur në emocione e mall. Hedhjen time arrogante në rrugë nga një ministër milioner, e kish përjetuar keq pasi kish lexuar në “Tema” shkrimin fshikullues, dëshpërues e revoltues “Mos më kërkoni në Sheshin “Omonia”

Doktori nuk vonoi të nxirrte një nga “pengjet” e veta miqësore e profesionale, jo pa humor e shqetësim: “Ah, Kristo i dashur, nuk ta largova dot duhanin !...Shkurt hesapi, me cigaret e tua “dështova”! Të paktën, mos harro atë urtësinë e lashtë : Në këtë botë ka shumë sëmundje, por ka vetëm një Shëndet…”.

                        Meditimet e kujtimet nuk kanë të sosur. E pohoj jo me gëzim, sot s’besoj të jenë kujtuar nga Pushteti a Opozita për “Mjeshtrin e Madh”, Doktorin e Shkencave Mjekësore, Kirurgun duarartë të Periferisë(kështu e ka titulluar një libër interesant). Mbush fiks 80 vjec ! Edhe vetë Micua mund të jetë i zhytur në ndonjë sallë kirurgjikale në Spitalin që mban emrin e mjekut partizan minoritar, Petro Nako. I përgjigjet si dikur cdo telefonate e kërkese për ndihmë. Ditën me diell e natën me hënë. Dhe mërmërin jo pa kënaqësi postulatin e babait të Kirurgjisë, të paharruarin Petro Cani: “Kur nuk do operoj, kam vdekur !”…

                        Kur mori titullin e merituar “Mjeshtër i Madh”, në Sarandën time u organizua një ceremoni e ngrohtë, mbresëlënëse e dinjitoze. Unë nuk vajta dot. Por kolegu e miku im Aleksandër, mori disa kopje të gazetës “Shqip” në makinë dhe i shpërndau atje. Pjesmarrja e madhe nuk ra në sy nga zyrtarët e kollarisur, por kryesisht nga pacientët e tij mirënjohës në qytete e fshatra. Më kujtohet kur nisa nga Spitali nr. 1 urimin tim në celular dhe pak vargje të perifrazuara nga poeti i madh skraparli. Gati u përlot në telefon…E ku nuk vajti për specializim, në Selanik, Milano, Athinë ! Por një prej tyre që ndoshta deri dje ironizohej gjer në tallje nga ziliqarët e të paaftët, i dha kurajo,forcë e besim gjatë vitit të nëmur ’97.  Ishte specializim i kryer 20 vite më parë “Për kirurgjinë e kohës së Luftës”, në ish Spitalin Ushtarak në Kryeqytet… (Ndërsa mua më erdhi në Përmet 4 vjet të shkuara, bashkë me gazetarin Bardhyl nga Konispoli ! ) Erdhi në Maj 2019. U përqafova me shumë dashuri e mirënjohje, menjëherë pas takimit “ekskluziv” me shekullorin Visho Jemini, për të cuar në vend një amanet të Guriut, bashkëfshatarit, veteranit e mikut vizionar…Kujtuam atje buzë Vjosës edhe një poet nga vendlindja e Micos, që i kish kënduar greqisht e shqip lisit tepër të mocëm rrëzë fshatit Llazat e që mbulonte 60 metra sipërfaqe rrethore. Dhe ligjëronin bukur pylli i Dumës e burimi i Skoticit. Gjer në Gravë e Komat. Dhe Kristua(vëllai më i madh) punonte e drejtonte në kooperativë. Adashin tim që e doja shumë, në fund të viteve ’80 nuk munda ta ndihmoja dot për një ndëshkim familjar të pamerituar që e vuajti moralisht e shpirtërisht. Nuk dallova kurrë ndonjë rrëke mërie a qejfmbetjeje…Ai pyll i rrallë përgatiti edhe mjeshtra të përpunimit të drurit, “për të bërë bucela që mbanin ujë të pastër e të freskët dhe fuci që mbanin verë të cilësisë së lartë”. Miqtë e mi në Sarandë e Delvinë, edhe sot më cingërisin e kujtojnë atë titull shkrimi të para 11 viteve. Madje konfirmojnë duke qeshur vazhdimësinë: “Në Vurg, Konispol, Theollogo, Rrëzomë, në Bregun e Detit e gjer në Corraj, Fterrë e Muzinë, po ngrihen ende dolli për kirurgun e dashur Mico Xhaferi ! Vecse ishte një kohë “kur të tjerëve u shkonin pordhët në zemër” përballë marrëzisë të pushtetit “gangster” që desh shoi shtetin. Saranda, qyteti ku kam lënë disa vite nga jeta ime dhe u bëra për herë të dytë baba, lëngonte rëndë si tramundanë. Ishte e tëra në “reaminacion”…

                        -Më dëgjo pak, miku im ! Atje, buzë Gumenicës, kam parë një burrë të trishtuar gjer në kockë dhe si të thinjur plotësisht e egërsisht brenda një nate zezonë. Përqafoi bashkëshorten Nikoletë dhe u kthye i sfilitur e sydjegur për në Sarandë. Ndërsa kolegë e miq të tij u hodhën matanë. Lanë punë, shtëpi e katandi si të përzënë nga mortaja a lebroza…

Por kirurgut të vjetër iu prenë gjunjët përballë braktisjes së padëshiruar. U kthye në qytetin e tij të shenjtë, në vatrën e sakatosur rëndë. Atëhere kur nuk pipëtinte as shteti, as ligji, as zogu në pemë e në qiell. Përmes asaj mjegullnaje e marrëzie, cdo gjë grisej nga plumbat dhe krismat.

Vajti drejt e në Spital, në pavionin e shkatërruar të kirurgjisë. Në atë godinë të zinte të qarët. Nuk ndieje më erën e ilaceve, por vetëm atë të barutit që shuante sytë e pafajshëm të shumë bashkëqytetarëve të vet. Ishte prill gonxhepërgjakur !

Një sarandiot i nderuar po jepte shpirt pas një breshërie kallashnikovi në zemër. Një tjetri i jepej frymë në “reanimacion”. Në atë situatë shokante, kirrurgu po kryente përpunimin e plagës dhe drenimin e toraksit. Trajtimi i mëtejshëm do të bëhej në spitalin e Janinës. Tri ambulanca ishin rrëmbyer nga banditët. Shkatërrime e vjedhje të padëgjuara ndonjëherë.

Gati 2 muaj spitali funksionoi vetëm me repartin e kirurgjisë dhe me një shofer. Ky i fundit pa vdekjen me sy, kur i bënë dy atentate rrëmbimi, i thyen disa dhëmbë dhe ia “bënë trupin për qepë e kripë”. Ambulanca e vetme po vonohej nga Janina ku kish cuar një fëmijë të gjymtuar rëndë nga një granatë luftarake. C’farë ndodhi ? Grupi rival i një viktime hyri i armatosur në dhomat e kirurgjisë dhe u drejtuan grykat e zjarrit mjekëve në detyrë. Madje një birbo i hoqi siguresën granatës që mbante në dorë. Dhunim i pashembullt në një nga tempujt e humanizmit. Terror në reanimacion ?!...O Zot, Sarandës c’i panë sytë ! Atëhere askush nuk e mori vesh burimin e lotëve të Mico Xhaferit për kolegun e dashur Zamir Shazi në Veri, kirurgu që iku në atë botë nga plumba kallashnikovi… Vetëm muret e Kirurgjisë mund të dëshmojnë plotësisht ato lemeri të pashkruara. Ah, ’97 mos ardhsh kurrë ! …

                        Le të jetë ky shkrim në vend të një kartoline urimi a dollie jo të rëndomtë për Njeriun e mirë dhe Kirurgun duarartë “Mjeshtër i Madh”, që sot mbush 80 vjec dhe mban ende lart me pasion e dashuri Betimin e Hipokratit, atje, në skajin më jugor të mëmëdheut. Dhe gjithnjë me devizën e tij personale : “Jeta është njëlloj e shtrenjtë, si në Kryeqytet dhe në Periferi !”…

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Edi: 01/05/2023 14:16

    Krenaria e Sarandes. Doktor dhe njeri i shkelqyer me nje familje po aq te nderuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja