Dëshmit nga regjimi
Një dokument mbi internimet

Dëshmit nga regjimi<br />Një dokument mbi internimet
Shtatë skica të piktorit Lekë Previzi sjellin imazhet e kobshme, me qindra të vdekur në një kampi internimi ku regjimi komunist kishte dërguar familjet e kundërshtarëve të tij. Skicat botohen së bashku me një dokument në albumin “Terrori komunist në Shqipëri”, përgatitur nga Muzeu Historik kombëtar, me rastin e promovimit të Pavijonit të Terrorit Komunist.

Në fushën poshtë kalasë së Ali Pashë Tepelenës, kishin mbetur disa kazerma italiane, që i kishin shpëtuar shkatërrimit gjatë luftës italo-greke. Ato kazerma do të shndërroheshinn në një kamp internimi, ndër me famëkeqët e regjimit komunist në Shqipëri. Viti shënonte 1948. Ata kishin mbërritur aty nga tre kampe provizore…. Historia e tyre kishte nisur kështu.

Me një urdhër urgjent, përmes mobilizimit të ushtrisë, 40 kamionë sollën në në Turan, Veliçot e Memaliaj më shumë se dymijë njerëz. Kushtet ishin të tmerrshme, pa ushqim, me një vend për të fjetur, pa mjekim, shumë shpejt u përhapën sëmundjet e vdekjet e një pas njëshme.

Plasi dizanteria kolerike, e filluan të vdesin pleqtë e fëmijët, njeri pas tjetrit. Shtatë në ditë vdisnin në tre kampet. Por do të ndodhte më e hatashmja. Një natë mes lemerisë, vajtimeve, britmave e kujës së nënave vdiqën 33 fëmijë…

Alarmi shkoi deri në instancat e larta të regjimit dhe u vendos që të internuarit të dërgoheshin tek kazermat italiane në fushën poshtë kalasë së Ali Pashë Tepelenës. Kushtet ishin disi më të mira, por jeta do të qe njëlloj e mjerueshme e vdekja do të vijonte të korrte pa pushim jetë njerëzish….
Në një dëshmi të tij Lek Previzi tregon se “të pa ushqyerit, të ftohtit, sëmundjet, veçanërisht dizanteria, mundimet, korrnin vdekje çdo ditë, dhe shpejt fusha para hyrjes së kampit e para zyrave të policisë u mbush me varre të panumërta”. Sipas kësaj dëshmie, lëvizja e varreve nisi kur një drejtues i Partisë kishte kaluar nga Tepelena. Kur i kishte parë gjithë ato varre dhe kur e mori vesh se të kujt ishin, “dha urdhër të hiqeshin shpejt e të degdiseshin diku tjetër, larg rrugës së makinave e syve të njerëzve, që mund të ishin edhe sy të huaj”.

Aty nisi edhe zhdukja e gjurmëve të atyre varreve. Fillimisht u bë transferimi i varreve te bregu i Bënçës, mbi urë e sipër. Me këtë lëvizje, një pjesë e mirë e varreve mbeti pa u ç’vendosur, sepse të afërmit ose ishin liruar ose ishin transferuar në kampin tjetër famëkeq të Porto Palermos, degë e kampit të Tepelenës.
Sipas kësaj dëshmie varret u hoqën edhe një herë tjetër. Ato që nuk i kishte marrë lumi, u vendosën në një bregore në fund të kampit.

Në kampin e Tepelenës vetëm gjatë vitit të parë vdiqën 260 vetë. Ish i dënuari i këtij kampi, Lekë Previzi ka sjellë deri më ditët e sotme imazhet e tmerrshme të këtij kampi që ngjan si një binjak i Holokaustit. Previzi ka skicuar me një mjeshtëri të rrallë, detajet e jetës së mjerueshme brenda atyre kazermave, ku vdekja s’kursente askënd. Në skicat e Previzit jepet pamja e përgjithshme e kampit, rrethuar me tela me gjemba, me kazermat ku rrinin mbyllur të intenuarit. Më tej plan skica e kampit të Tepelenes, shënon vendet e varreve dhe transferimin e tyre tri herë, fragmente nga jetesa brenda këtyre ambjenteve, ku njerëzit duken të stivosur si në një kuti sardelesh.

Pjesa më e madhe e të internuarve vinin nga veriu i Shqipërisë, kryesisht nga Mirdita. Burrat me qeleshe në kokën duken qartë edhe në skicat e Previzit.
Kampi famëkeq i Tepelenës qëndroi gjashtë vjet dhe u mbyll më 1954, kur të internuarit u grumbulluan të gjithë në fushën e Myzeqesë të Lushnjës të shpërndarë në disa sektorë-kampe të fermës 29 Nëndori, që u krijua në sajë të krahëve e të mundimeve të internuarve.

Dokumenti, regjimi parashikonte internime deri në 1994

Menjëherë pas skicave që tregojnë jetën makabre në kampin e internimit në Tepelenë, në albumin e botuar nga Muzeu Historik Kombëtar jepet edhe një faqe nga një dokument i arkivit të Ministrisë së Brendshme, siç duket i vitit 1989. Në këtë faqe dokumenti jepen emrat e Lekë dhe Valentin Previzit, vëllezër, Dedë Gjon Markaj dhe Marta Gjon Markaj, motër e vëlla dhe Evgjen Merlikës. Për ta parashikohet të zgjatet afati i internimit edhe për pesë vjet të tjera, pra deri në vitin 1994. Duket diktatura kishte bërë hesape të tjera. Nga ky dokument, po shkëpusim rastin e trajtuar të Lekë Previzit, së bashku me biografinë e tij të errët dhe atë të Evgjern Merlikës nipit të Mustafa Krujës.

Nga dokumenti…
Valentin Preng Previzi i datëlindjes 1920. Lek Preng Previzi i datëlindjes 1929. Të përmendurit janë internuar qysh nga viti 1954, për arsye se babai i tyre ka qenë kriminel lufte, ish-komandant i forcave mercenare të veriut e pas çlirimit është arratisur jashtë shtetit. Tani ka vdekur.
Aktualisht në ngarkim të tyre ka materiale për veprimtari armiqësore. Tu zgjatet masa e internimit edhe për pesë vjet kohë. Afati i internimit u fillon me datën 5.3.1989 dhe mbaron në datën 5.3.1994….

Evgjen Petrit Merlika i datëlindjes 1944, internuar si individ për pesë vjet kohë me vendim nr.3, datë 13.2. 1984 të komisionit Qëndror, për arsye se gjyshi i tij, Mustafa Merlika ka qenë kryeministër i qeverisë kuislinge. Babai i Evgjenit ishte dënuar me 15 vjet heqje lirie, si pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare të organizuar nga misioni anglez në Shqipëri. Evgjeni në vitin 1980 është dënuar me 8 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë armiqësore. Aktualisht në ngarkim të tij nuk ka materiale për veprimtari armiqësore. Ti zgjatet masa e internimit edhe për pesë vjet kohë

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane