Deklaratat e ministres serbe të Pushtetit Lokal dhe Administratës, Snezhana Paunoviç, për spastrimin etnik në Kosovë kanë shkaktuar debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme. Ishin deputetët e PD, Albana Vokshi dhe Tritan Shehu, të cilët u përplasën me kryetarin Igli Hasani, duke kërkuar shpalljen non grata të ministres serbe, si edhe miratimin e një deklarate në Komision për të dënuar qëndrimin e saj për spastrimin etnik.
Vokshi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka zgjedhur të heshtë për deklaratat e ministres serbe, ndërsa Hasani e cilësoi atë "një qelbësirë të çmendur" që përfaqëson të shkuarën e Millosheviçit.
Albana Vokshi: Para disa ditësh, ministrja serbe ka deklaruar në një intervistë se po të ishte në vend të Millosheviçit në 1998 ajo do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Kjo nuk është gafë politike, as deklaratë e nxituar, por është legjitimim i hapur i spastrimit etnik. Është deklaratë skandaloze, e dënueshme dhe që ka ngjallur reagim kombëtar dhe ndërkombëtar. Me njëherë pas kësaj deklarate reagoi BE, komisionerja për zgjerimin, qeveria gjermane, Mbretëria e Bashkuar, eurodeputetë. Ndërkohë që kryeministri zgjodhi të heshtë. Ende sot që flasim, kryeministri që flet për çdo gjë, vetëm për këtë deklaratë skandaloze të qeverisë serbe hesht. Ndërkohë ministria e jashtme ka bërë një reagim të thatë dhe nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë tjetër. PD ka kërkuar shpalljen non grata, ku është kryeministri? Pse nuk shpallet non grata, pse nuk thirret me urgjencë ambasadori serb dhe t’i paraqitet një notë proteste. Kur relativizohen krimet e Millosheviç, Shqipëria nuk mund të heshtë. Në kërkojmë shpalljen e saj non grata dhe inicim e një padie për nxitje të spastrimit etnik dhe të thërritet ambasadori serb për t’i paraqitur notë zyrtare. Ne si komision të dalim m enjë deklaratë të përbashkët, se çështja nuk ka kah politik, të dënojmë deklarata, ti kërkojmë qeverisë shqiptare të marrë hapat diplomatike të nevojshëm. Unë kam sjellë një draft-deklaratë.
Hasani: Qeveria shqiptare ka mbajtur një qëndrim për atë frazë të tmerrshme e të papranueshme, të thënë nga një qelbësirë që përpiqet t’i nxjerrë të gjitha komplekset e rinisë së saj nëpërmjet asaj deklarate. Ministri i Jashtëm ka mbajtur qëndrim, kreu i grupit në seancën e kaluar ka mbajtur qëndrim. Kjo mazhorancë ka qenë e qartë në dënimin e një individi që përfaqëson të shkuarën e Millosheviçit. Spastrimin etnik e kanë pasur dëshirë dhe, në momente të caktuara, janë përpjekur ta shndërrojnë në realitet, por shqiptarët nuk mund t’i spastrojnë etnikisht aq lehtë. Këto personazhe qesharake nuk mund ta qesharakëzojnë punën e shqiptarëve, kudo që janë. Ne kemi qenë të qartë, konsekuentë dhe shumë të hapur për të kuptuar realitetin në të cilin ndodhemi. Nuk ka asnjë dilemë për qëndrimet tona. Askush nuk ka shans t’i vërë në diskutim shqiptarët, Kosovën dhe realitetin ku jetojnë shqiptarët, qoftë edhe për konsum të brendshëm elektoral. Mos u merrni me injorantë dhe delirantë.
Vokshi e Shehu: E minimizove.
Hasani: Mos me thuaj e minimozve.
Debatet bënë që në mbledhja të ndërpritet për 5 minuta.
Shehu: Ne jemi komisioni i jashtëm, nuk mund t’i anashkalojmë këto veprime, ne bëjmë analizën e veprimit të politikave të jashtme. Ne duhet të shprehemi dhe i rekomandojmë qeverisë se çfarë duhet të shprehet. Këtu kemi të bëjmë me një deklaratë tejet të rrezikshme, me një qëndrim që kërkon të nxisë diçka dhe që është në vazhdën e qëndrimeve armiqësore ndaj Kosovës dhe që lidhet me atë që kërkon të mbulohet gjenocidi serb në Kosovë. Qeveria shqiptare duhet të marrë masa, deklaratat nuk janë dokumente formale. Nuk mund ta trajtojmë sikur është një qytetare e thjeshtë, është një anëtare e qeverisë.
Vokshi: Ruani etikën, mos e ngrini zërin se fyerja e kolegevë të opozitës nuk ju jep të drejtë në atë që thoni.
Hasani: Kur më jep ti leksione për ruajtjen e durimit, është fundi i botës, të nis javën me leksione nga ti për ruajtje durimi dhe gjuhë të mirë.
Vokshi: A mund të qetësoheni? Shoh që qenkeni në siklet.
Hasani: Jam aq i qetë, o zonja Vokshi.
Vokshi: E kuptoj që kjo gjuhë ju prek. E kuptoj që, duke ngritur zërin, ju mundiheni të fshihni heshtjen e dënueshme të kryeministrit.
Hasani: Nuk fsheh heshtjen e askujt. E kuptoj dëshirën për të përdorur deklaratën budallaqe të një të çmendure.
Vokshi: Ajo është ministre, s’mund të trajtohet si individ i çmendur.
Hasani: E çmendur, një qelbësirë e çmendur që ia ka arrit qëllimit të vërë këtë komision të flasë budallëqe.
Vokshi: Ju duhet të reagoni. Ky komision duhet të reagojë.
Hasani: Fol, por mos u merr me mua.
Vokshi: Drejtohuni siç duhet, ruani etikën dhe qetësinë. Ju më fyeni, por unë nuk i përgjigjem fyerjes suaj.
Hasani: Mos u merr me mua.
Vokshi: Opozita nuk do ta mbyllë gojën. Kërkojmë të dalim me një deklaratë të përbashkët që të dënojmë deklaratat e ministres serbe.
Ndërkohë, kërkesa e PD për të miratuar deklaratën nuk u hodh fare në votim.
Kërkesa e PD-së për një deklaratë lidhur me deklaratat e ministres së Jashtme të Serbisë solli debate në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku pati replika mes mazhorancës dhe opozitës.
Përplasja më e fortë ishte mes deputetes së PS-së, Sara Mila, dhe deputetit Edmond Haxhinasto. Mila tha se mbështetja për integrimin europian duhet të shprehet edhe me qëndrime konkrete, duke iu referuar votimit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE në Strasburg.
“Do të isha shumë e dëshiruar të kisha dëgjuar, jo vetëm dëgjuar, por ta kisha parë të ndodhte një deklaratë të përbashkët, jo për të shkuarën, por për të ardhmen tashmë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që të mund të ishte votuar nga kolegët e opozitës atje në zemër të BE-së dhe jo të votohej kundër”, tha Mila.
Sipas deputetes socialiste, opozita ka mbajtur një qëndrim kontradiktor duke kërkuar konsensus për Europën dhe duke votuar kundër një dokumenti që lidhet me të ardhmen europiane të Shqipërisë.
“Është votuar kundër nga kolegët e opozitës pikërisht në një moment kur sytë e Shqipërisë janë drejt së ardhmes dhe sot vjen këtu dhe nga të njëjtët kolegë bëhet një pseudopatriotizëm për ndodhi të së shkuarës, për të cilat janë dënuar disa herë zyrtarisht, por edhe personalisht. Nëse do të mbajmë të njëjtin standard për Shqipërinë dhe shqiptarët, ju ftoj të kërkoni ndjesë për faktin që nuk keni votuar në mbledhjen e kaluar në Strasburg për Shqipërinë dhe shqiptarët, për hyrjen e tyre në BE”, u shpreh Mila.
Pas kësaj deklarate, Haxhinasto kërkoi që deputetja ta tërhiqte mbrapsht termin “pseudopatriotizëm”.
Në replikë, Mila këmbënguli në qëndrimin e saj, duke iu referuar votimit në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE.
“Do të doja që të paktën ai gjithashtu, një djalë i ri që u bë pjesë e politikës, të mos na kujtojë eksperiencën dhe moshën në këtë tryezë, sepse nuk është mosha ajo që e definon atë karrige këtu. Ajo që dua t’ju sqaroj edhe njëherë, edhe për publikun, është se në mbledhjen e 21-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, të zhvilluar në Strasburg më 8 dhe 9 korrik, deputetët e PS-së së bashku me eurodeputetët anëtarë të këtij komiteti votuan pro tekstit final për Shqipërinë në BE, ndërkohë që deputetët e PD-së votuan kundër tekstit final”, deklaroi Mila.
Ajo shtoi se dokumenti përfundimtar është ai që përcakton qëndrimin politik dhe jo debatet gjatë procesit.
“Ky dokument final për Shqipërinë në BE ju e votuat kundër dhe ky është një akt i pseudopatriotizmit, në momentin që kërkoni një deklaratë të përbashkët. Bëjeni njëherë vetë atdhetarizmin në letër, jo vetëm në fjalë, duke shkuar dhe votuar pro së ardhmes së Shqipërisë dhe më pas ejani e na kërkoni pse nuk bëjmë një deklaratë të përbashkët”, u shpreh Mila.
Komente








