Shumëkush e krahason figurën e gruas pa flokë në instalacionin e fundit të Blerta Kambos me një person transgjinor. Të tjerë, pretendojnë se instalacioni ka cënuar mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar. Por, për artisten, e gjithë kjo zhurmë që po bëhet është e qëllimshme, madje dhe e rrezikshme.

“Është shumë e trishtë. Përdhosin kauzën e kancerit të gjirit dhe fyejnë gratë që humbasin flokët gjatë kimioterapisë. Ato shpesh dëgjojnë komente se ‘ngjajnë si burra’. Ta përdorësh këtë si sulm është një ligësi më vete. Për mendimin tim është e trishtë, më vjen keq, por në momentin që bëhen cënues nuk më vjen më keq dhe duhet t'i them disa gjëra dhe mbase do t'i thotë dhe ligji, këtë do ta shohim", shprehet Kambo. 

Instalacioni i vendosur përkohësisht mbi mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar synon të sensibilizojë ndaj kancerit të gjirit dhe betejës së vështirë që përjetojnë gratë e prekura. Për “Report TV”, Kambo thotë se një grup personash kanë krijuar “një narrativë të pavërtetë”, duke manipuluar publikimet e saj dhe duke marrë materiale nga profili i saj personal.

“Kanë hyrë në Instagramin tim, kanë parë çdo gjë dhe kanë marrë vetëm atë që u ka interesuar. Kjo është bërë qëllimisht për të keqinformuar dhe përhapur gënjeshtra", tha Kambo. 

Edhe pse artistja, ministria dhe shoqata mbështetëse publikuan sqarime zyrtare, dizinformimi vazhdoi të përhapej në rrjetet sociale.

“Nëse dikush do të merrte dy minuta të lexonte shpjegimin, do ta kuptonte. Por disa portale dashakeqe e përdorën këtë si biznes. Nuk e marr personale, por kur bëhen cënuese, atëherë duhet t’u përgjigjem.”, vijon Kambo.

Debatet, sipas saj, u ushqyen edhe nga keqkuptime të tjera, përfshirë pretendime për përdhosje të simbolikës kombëtare. Artistja sqaron se mozaiku nuk është prekur, pasi instalacioni qëndron 10 centimetra larg nga struktura origjinale. Ajo sqaron se figura është realizuar me të njëjtat lloje teserash, ndërsa në pjesën e pasme ekziston edhe një shtresë mbrojtëse:

“Nuk e kam prekur mozaikun. E kam lartësuar figurën e gruas, sepse për mua ajo është heroina e çdo epoke. Është një instalacion i përkohshëm, i varur, dhe nuk prek fare mozaikun. Është punuar me shumë kujdes teknik. Ndryshimi i vetëm është mungesa e flokëve dhe shenja në gjirin e djathtë, symbol i mastektomisë, për të pasqyruar realitetin e kimoterapisë dhe forcës së grave", thekson ajo. 

Instalacioni është shoqëruar me një kod QR, i cili të çon në faqen ku shpjegohet projekti dhe tashmë mbi 3000 persona e kanë skanuar. Vepra është e përkohshme dhe do të hiqet të shtunën, ndërkohë që momenti i heqjes ditën e shtunë, do të shoqërohet me një performancë muzikore nga artistja Arbëreshe, për ta mbyllur projektin po aq simbolikisht sa dhe filloi.

1763478389_1763476998instalacioni.jpg

Momenti i vendosjes së instalacionit mbi mozaikun e Muzeut Kombëtar