Debati për bustin e Pjetër Arbnorit/ Hektor Dule: Autori Spahija ka konceptuar veprën e tij, jo fizikun

Debati për bustin e Pjetër Arbnorit/ Hektor Dule: Autori Spahija ka konceptuar veprën e tij, jo fizikun

Busti i Pjetër Arbnorit përpara Parlamentit

Debatet dhe diskutimet për bustin e Pjetër Arbnorit që është vendosur katër ditë më parë, më 19 Korrik 2018, në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë, gati po “kryqëzojnë” skulptorin e njohur Sadik Spahia. Opinionet po mbushin rrjetet sociale me teza ende të papërcaktuara mirë në kriteret estetike, mbushur me mllefe. Kujt i ngjan portreti i Arbnorit, pse ky trup e pse ai vështrim. Vetë skulptori i njohur Sadik Spahia ka deklaruar se me veprën ka dhjetë vjet që punon dhe “vepra në tërësi është një metaforë e jetës së Pjetër Arbnorit”. Por me sa duket impakti i parë në publik për veprën nuk ka qenë i mirë. 

Duke shmangur komentet që bëhen për shkak të qëndrimeve ndaj politikanëve që ishin të pranishëm në promovimin e veprës, duhet të kujtojmë më parë se autori Sadik Spahija ka lënë gjurmë me ngritjen e dhjetëra veprave kombëtare në mbarë vendin. Mjafton të kujtojmë shtatoren e Ndre Mjedës në Kukël, shtatoren e aktores së madhe Violeta Manushi në Tushemisht, të At Gjeçovit në Zym të Hasit, skulpturat e poetëve të pushkatuar nga diktatura, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës në Librazhd e shumë të tjera, për të cilat është folur me superlativa në mbarë vendin kur ato u ngritën dhe, jo vetëm nga kritika profesionale e artit, por edhe nga opinioni publik.

Por këtë herë, me zbulimin bustit të Pjetër Arbnorit në valën e debateve të saponisura shihet një ndarje e qëndrimeve mes ekspertëve dhe opinionistëve. Me sa duket opinioni i gjerë e ka të vështirë të mirëpresë metaforat e arteve figurative, siç po ndodh edhe me bustin e sapongritur të Pjetër Arbnorit. 

Dy skulptorë të njohur Hektor Dule, autori i bustit të Eqrem Çabejt, që u vendos përpara portës hyrëse të Akademisë së Shkencave, një muaj më parë, dhe i dhjetëra veprave të tjera kombëtare, si dhe Pjerin Kolnikaj, një skulptor i talentuar, që i përket brezit të viteve ’90. Të dy skulptorët e njohur, në intervistat e tyre për “Shqiptarja.com”, e kanë vlerësuar si arritje artistike konceptin e kolegut Sadik Spahija. Skulptori i njohur Hektor Dule është shprehur për “Shqiptarja.com” se vepra iu përgjigjet zhvillimeve bashkëkohore të artit, ku sipas tij “Kanë hyrë mediume të reja dhe procese krijuese të reja, ku autori ka të drejtë të bëjë një metaforë”. 

Intervista

Profesor Dule, si mendoni ju, pse po bëhen kaq shumë debate për realizimin e bustit të Pjetër Arbnorit, ka një bazë reale për sa u përket koncepteve estetike? 
-Etika profesionale nuk më lejon të flas për veprën në tërësi, që të ndërhyj në konceptin estetik të autorit, tek ëndrrat e tij. Në vija të përgjithshme, si pikënisje Sadik Spahija në koncept ka shumë të drejtë. Çështja e realizimit nuk më takon mua se është indulgjencë profesionale e imja apo e autorit kur ne bëjmë veprat tona. Por si pikënisje dhe si koncept është e drejtë. Skulptori do të tregojë me kë bust, jo konceptin fizik të Arbënorit, por veprën e Arbnorit. Siç ishte ai i hapur para vështirësive, para vuajtjeve. Arbnori qoftë si politikan, qoftë si njeri ishte mjaft stoik dhe i vendosur. Pikërisht kjo më duket ka qenë pikënisja e autorit dhe ai e ka vënë veprën me atë portet të kompozuar me atë masën e gurit që është ekuivalente me vet profilin e heroit. 

Mendoni se po të kishte një pamje më tepër të ngjashme me Abnorin që mbajmë mend në Kuvend do mirëpritej më lehtë nga publiku?
-Këto portrete që bëjmë ne si skulptorë, herë-herë mundohemi t’ia japin një “kartë identitetit” heroit, ta bëjmë të ngjashëm me atë që ka qenë, jo se nuk e bëjmë dot ndryshe, por kjo prirje ka prejardhje të hershme. Lidhja e ngushtë me individualitetin e personazhit që ne krijojmë në vepër ka filluar që në periudhën e hershem Romake. Për herë të parë filloi që portreti të mos jetë më i përgjithshëm, por të ketë tipare individuale të figurës që trajtohet. Për shembull, ne na kanë mbetur nga Roma buste, siç është Neroni, Kaligula, Titi e të tjerë dhe kjo atëherë kishte arsye të ishte e tillë. Ndërsa sot mund të jetë dhe mund të mos jetë i tillë portreti. Sot ka hyrë një mendim i tillë më i përgjithshëm. Kanë hyrë mediume të reja dhe procese krijuese të reja, ku autori ka të drejtë të bëjë një metaforë

Mos ndoshta është ende e vështirë të kuptohen metaforat e artit figurativ në krahasim me ato të letërsisë apo skenës teatrore?
-Po kjo nuk do të thotë që skulptura të mos ketë zhvillimin e saj. Koncepti i zhvillimit të punës dhe mënyra si e ka konceptuar autori, mua më duket mjaft pozitiv. Sadik Spahija nuk është mjaftuar me një bust thjesht të zakonshëm, që identifikon Pjetër Arbnorin, por ai identifikon veprën e Arbnorit, karakterin e Arbnorit. Ai ka zgjedhur një karakter të tij të pandarë si politikan dhe si njeri publik. Edhe Mikelanxhelo në kohën e vet e ka ndryshuar Lorenco de Medici-n, dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij, që ishin personazhe që patën vlera të mëdha të kohës dhe i dhanë paritetin kryesor Firences edhe në botë, pra në pamje nuk u ngjanin atyre. Por Mikelanxhelo bëri në këto skulptura forcën titanike të kësaj familjeje, që i dha Italisë njerëz të shquar, Mbretëreshën, e kështu me radhë. Këtu është lidhja e të përgjithshmes me të përjetshmen. E përgjithshmja lidhet me qëllimet dhe e përjetshmja lidhet me të vërtetën, se edhe e vërteta duhet pranuar.  

Pjerin Kolnikaj: Spahia del nga skema, flet për Arbnorin, jo për fizikun

I intervistuar nga “Shqiptarja.com”, skulptori i njohur Pjerin Kolnikaj e ka vlerësuar punën e autorit Sadik Spahija për bustin e Arbnorit si një përpjekje të vazhdueshme për të dalë nga skematizmi. 

Spahia ka fituar me këtë vepër në një konkurs kombëtar para 10 vitesh. Ka qenë një vepër arti e realizuar. Unë e kam parë veprën që në studio. Është një përpjekje e autorit , që me këtë vepër të mos realizojë një bust të zakonshëm, por të realizojë një vepër që ka dalë nga skema. Është një përpjekje e autorit që busti, përveç pozës të flas edhe për autorin. I ka vepra këto, pak përvuajtje, brengë, trishtim. Por unë mendoj se në këtë rast duhej folur në mënyrë kritike pse u la në harresë 10 vjet pas konkursit kjo vepër, jo për veprën. Para 10 vjetësh, Ministria e Kulturës hapi një konkurs për bustin  e Pjetër Arbnorit, dhe në këtë konkurs u shpall fitues pikërisht si boceti më i mirë ai i skulptorit Sadik Spahia. Ja për këtë duhet të flisnin njerëzit. Si harrua për 10 vjet pa u ngritur busti i Arbnorit, pse u la në harresë. 

Skulptori Pjerin Kolnikaj

Ai rrëfen se e ka pëlqyer veprën, por nuk e ka parë sesi duket e vendosur në oborrin e Kuvendit.

Përpjekjen për të qenë ndryshe, për të ikur nga skema e zakonshme, ai bust e ka. Njerëzit këtu, po dole pak nga skema të shajnë, nuk di gjë më tepër. Për bustin unë mendoj se është një karakter i modeluar mirë, poetik, shumë rigoroz, por unë nuk e di, se nuk e kam parë atje se ç’marrëdhënie ka me hapësirën. E kam parë në galeri, kur autori fitoi konkursin para dhjetë vjetëve.

Skulptori Pjerin Kolnikaj

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Opinioni publik: 22/07/2018 18:15

    Arti i sotem: sado veper koti te jete, po u be marketing i madh dhe po u be pershkrim i bukur (duke justifikuar cdo budallek), behesh i famshem.

    Përgjigju
  • Katunari: 22/07/2018 10:50

    Sido te gjykojne komentuesit,skulptori nuk gabon

    Përgjigju
  • Arditi: 22/07/2018 09:56

    Merrni shembull nga busti i Papa Franceskut qe kur i kalon aty prane duket sikur te flet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë