Dëgjo, Mr. Biden! Dikush ka një mesazh për ju

Dëgjo, Mr. Biden! Dikush ka një mesazh për ju

Agim Nesho dhe Joe Biden

Këto radhë nuk janë thjesht për Agim Neshon, i cili përpiqet të na bindë se është ai që s’është, por për dukurinë që ai mishëron dhe që, për ta shpjeguar, na vjen në ndihmë Frojdi. E nis me një aspekt moral që flet për karakterin. Pak kohë më parë, rastësisht pashë një koment nga Agim Nesho botuar në revistën Foreign Policy (mos e ngatërroni me revistën Foreign Affairs, revistën prestigjioze që botohet nga Council of Foreign Relations në New York). Komenti i Neshos titullohej: “The Trump Administration is Helping Kill Albania’s Democracy”!

Vetë komenti ishte skandaloz, pa asnjë lidhje me realitetin shqiptar ose me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Më shumë më bënë përshtypje kredencialet “fake” të autorit, me çka Nesho, në vitin 2019 (viti i botimit të atij komenti), i prezantohej redaksisë së Foreign Policy dhe publikut që e lexon atë. Nesho prezantohej me këto kredenciale:

“Agim Nesho…shërbeu si përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara nga viti 1996 deri më 2005 dhe si ambasador në Shtetet e Bashkuara nga viti 2005 deri më 2006”.

Sa i paskrupull dhe sa jointeligjent është ky njeri me mënyrën se si mashtron në këtë fshat global në të cilin jetojmë sot! Lexuesi të njihet me të vërtetën: Agim Nesho u emërua përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në OKB në vitin 1997, JO më 1996. Ai zëvendësoi në atë detyrë, z. Pëllumb Kulla.

Më kryesorja, Nesho nuk ka qenë as edhe një ditë të vetme ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Njerëz si ai bëjnë karrierë “të gjatë” shpesh duke u ngjitur si … (çamçakëz) pas këpucëve të njerëzve me pushtet. Sot atë gjen pas këpucëve të Ilir Metës. Habia tjetër është se si ai vazhdon të manipulojë disa drejtues emisionesh televizive në Tiranë dhe një revistë si Foreign Policy duke u prezantuar siç nuk ka qenë ndonjëherë, pra, si një prej ambasadorëve shqiptarë që kanë shërbyer në Uashington.

Me pak njohuri nga politika e jashtme dhe diplomacia kushdo e di se, që një person të shërbejë si ambasador i vendit të vet në një shtet tjetër duhet (a) të emërohet në atë detyrë nga qeveria (kryeministri) i vendit të vet; (b) të dekretohet në atë detyrë nga kreu i shtetit të tij dhe (c) të akreditohet në atë post nga kreu i shtetit pritës.

Agim Nesho nuk është emëruar kurrë nga kryeministri Fatos Nano ambasador në Shtetet e Bashkuara dhe, ipso facto, nuk është dekretuar nga presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe as është akredituar nga presidenti amerikan George W. Bush si amabsador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.

Mandati im 4-vjeçar (prill 2001-maj 2005) si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara përfundoi me dekret të presidentit Moisiu. Unë e lashë Uashingtonin në qershor 2005. Posti i ambasadorit shqiptar në Uashington mbeti vakant për afro një vit, deri kur, në maj të vitit 2006, në atë post u dekretua dhe u akreditua Aleksandër Sallabanda.

Nesho gjithnjë e ëndërroi – dhe e përjetoi si një ëndërr – postin e ambasadorit të Shqipërisë në Uashington. Ai duket edhe e ka besuar ëndrrën e vet. Frojdi më vjen në ndihmë. Ai do e shpjegonte këtë ëndërr të Neshos për t’u bërë ambasador në Uashington me dëshira (përfshirë edhe ato seksuale) të shtypura, të ndrydhura e të paplotësuara të tij në jetën reale dhe të pamundura për t’u plotësuar. Dëshira të shtypura e të paplotësuara, sipas Frojdit, çlirojnë ose nxisin ëndrra.

Mënyra që duket se ka gjetur për t’u përballur me këtë dëshirë të shtypur është gënjeshtra, mashtrimi – të gënjyerit e vetes (në formën e një ëndrre të vazhdueshme në dritë të diellit (perpetual daydream), të cilën duket se e beson edhe vetë, dhe mashtrimi i publikut. Nuk e di pse, ndërsa shkruaj këto radhë, më vjen ndër mend një roman fantastik, një lloj sci-fi tale, shkruar nga J. K. Norry dhe titulluar Dreaming the Perpetual Dream (Të ëndërrosh ëndrrën e përherëshme). Personazhi i përrallës, Link, sheh në ëndërr sikur transportohet në një koloni anijesh kozmike në hapësirë duke jetuar jetën e tjetërkujt.

Mund të mos i kisha shkruar radhët e mësipërme për ta lënë Neshon të vazhdonte ta jetonte edhe më tej i qetë në ëndërr dëshirën e tij të paplotësuar. Por, indiferenca dhe heshtja ime do i shërbenin mashtrimit edhe më tej të publikut vendas dhe atij të huaj. Prandaj:

Le ta dinë të gjithë: Agim Nesho nuk ka qenë kurrë ambasador i akredituar i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara! Let it be known to all: Agim Nesho has never been an accredited ambassador of the Republic of Albania to the United States.

Më poshtë flas shkurtimisht për disa pikëpamje politike të Neshos, përfshirë edhe ato mbi politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. “Analisti politik” me profesion inxhinier flet për politikën e jashtme thuajse në çdo studio televizive. (Nuk është faji i tij për këtë!). E kam dëgjuar disa herë sepse, bashkë me të, në ato studio janë ftuar të flasin edhe njerëz të ditur e të mençur. Thuajse gjithnjë Nesho ka folur “kodra pas bregut”. Këtu nuk mund të rri pa thënë dy fjalë për një “analizë” të tij botuar disa ditë më parë në Syri online.

“Analiza” e Neshos titullohej “Amerika e Zelenskit nuk është Amerika e autokratëve ballkanikë”. Ato çfarë bëjnë përshtypje në këtë “analizë” janë megalomanía dhe injoranca thuajse e plotë në çështje të politikës së jashtme amerikane. Përmes një formulimi krejt irracional, Nesho e konsideron politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në ditët e sotme si “vazhdim i politikave pragmatiste të shtyra nga interesat burokratike të individëve që e bazojnë rritjen e karrierës së tyre jo në vlera, por në konjuktura të kohës”!!!

U përpoqa – përpiquni edhe ju, lexues të nderuar – të kuptoja se ç’ka dashur të thotë Agim Nesho me këto fjalë! Mua m’u dukën tërësisht pa kuptim.

Nesho pohon gjithashtu se “perceptimi mbi rolin Shteteve të Bashkuara po zbehet gjithnjë e më shumë te popujt [e botës] kur [këta] shohin se [Amerika] përkrah autokratë dhe kleptokratë si Rama dhe Vuçiç, apo teokratët dhe diktatorët e Lindjes së Mesme, të Arabisë Saudite, të Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit për hir të konjukturave, klientelizmit, lobizmit politik etj”.

Sa saktë e ka mësuar, e flet dhe e shkruan Nesho gjuhën e Berishës dhe të Metës! Në këtë paragraf, Nesho ka derdhur njëherësh tërë vokabolarin e tij politik dhe tërë arsenalin e njohurive të tij mbi politikën e jashtme, së bashku me një injorancë groteske.

Nesho i fut të gjithë në një thes. Edhe Ramën (aleat i Amerikës), edhe Vuçiçin (aleat i pandarë i Rusisë), edhe mbretin e Arabisë Saudite, edhe emirin e Kuvajtit. Mund të kishte vazhduar edhe më tej, sepse thesi i tij ka vend plot.

Nesho nuk arrin të kuptojë se fuqia më e madhe e planetit, që fatmirësisht është një fuqi demokratike, nuk mund të lozë rolin e lidershipit në çështjet ndërkombëtare duke mohuar ose duke injoruar influencën dhe rolin që luajnë në skenën e politikës globale shtete jodemokratike, ose regjime autokratike si, Kina, Arabia Saudite, Pakistani, Irani, Rusia etj. Me disa prej këtyre shteteve, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera demokratike, në momente të veçanta, ose për çështje të caktuara, kanë pasur, ose mund të kenë edhe disa interesa të përbashkëta. Amerika e presidentit Franklin Roosevelt dhe Anglia e kryeministrit Churchill krijuan një aleancë të madhe me Bashkimin Sovjetik të diktatorit komunist Stalin kundër një armiku të përbashkët. Në Lindjen e Mesme dhe në një rajon më të gjerë rreth saj, për të luftuar terrorizmin, ose për të çuar përpara procesin e paqes, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kërkojnë mbështetjen dhe ndihmën e qeverive të vendeve jodemokratike si, Egjipti, Arabia Saudite etj. Dhe kjo, në një botë të trazuar, që nesër mund të jetë edhe më e rrezikshme sesa sot, është krejt normale.

Nesho nuk e kufizon kritikën e tij ndaj politikës së jashtme të Shteteve të Bashakuara me kaq. Ai thotë se “SHBA duhet ta shohin me seriozitet zbatimin sa më shpejt të doktrinës Biden “Democracy vs autokraci”, të investojë për institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës dhe të shkëputet nga autokratët e korruptuar dhe klientelistë të tipit Rama”.

Dikush në Departamentin e Shtetit, ose në Shtëpinë e Bardhë me siguri i ka mbajtur shënim këto udhëzime të Agim Neshos. Ato janë udhërrëfyese për polikëbërësit e Ushingtonit.

Nesho, siç duket, nuk e di se Uashingtoni ka ndjekur pikërisht këtë politikë të jashtme shumë kohë më parë se në krye të Shtëpisë së Bardhë të vinte Joe Biden. Ronald Regan e bëri pjesë integrale të doktrinës së tij krijimin e një rendi ndërkombëtar, në të cilin legjitimiteti i çdo qeverie duhej parë i lidhur me procesin demokratik. Ai besonte se mbështetja e të gjitha forcave që luftonin kundër regjimeve komuniste ishte një “përgjegjësi morale” e Shteteve të Bashkuara. Edhe Doktrina Bush, nga ana e vet, kishte si një ndër shtyllat kryesore të saj idenë se misioni themelor i politikës së jashtme amerikane është përhapja e demokracisë kudo në botë. Nga ana tjetër, ajo që Nesho e quan doktrina “Biden” nuk ndryshon shumë nga doktrinat Clinton dhe Obama, veçse është përshtatur prej tij në kushtet e sotme.

Ah, prit, se për pak harrova! Agim Nesho i kujton administratës së Uashingtonit se shkëputja nga autokratë si Rama, “nuk është vetëm një dëshirë për ndryshim pushteti [në Shqipëri]”. Në veprën e tij të njohur Psikopatologjia e jetës së përditshme, Frojdi flet për ato raste, të njohura sot si “Freudian slips”, kur dikush, pa dashur, zbulon një mendim ose një dëshirë të vetën. Frojdi do të thoshte se Nesho zbuloi pikërisht një dëshirë të vetën: rrëzimin e qeverisë Rama dhe kthimin në pushtet të Berishës dhe të Metës!

Por Nesho shkon edhe më tej. Ai i kujton administratës amerikane se shkëputja e saj nga Rama është edhe “në interesin kombëtar të vetë Shteteve të Bashkuara”. Për shkak të Ramës, thotë Nesho, pëlqyeshmëria e shqiptarëve, popullit më proamerikan në botë, për politikat amerikane ka rënë nga 99% në kohën kur Rama nuk ishte në pushtet, në gjysmën e kësaj shifre sot, kur qeveria e Shqipërisë drejtohet prej tij.

Nga e nxori Nesho këtë statistikë? Gjysma e shqiptarëve nuk e pëlqekan më politikën amerikane! (Për hir të së vëtetës, Nesho nuk thotë se gjysma e shqiptarëve janë bërë antiamerikanë. Këtë, jo, ai nuk e thotë). Nesho nuk thotë as tjetrën, që gjysma e shqiptarëve filluan “të mos e pëlqejnë” politikën amerikane qysh kur Amerika e shpalli Sali Berishën një persona non grata. Por, ashtu sikurse jo çdo gjë që themi shpreh atë që vërtet mendojmë, ashtu edhe jo çdo gjë që s’themi mund ta fshehë mendimin që kemi në kokë.

Unë nuk di që, deri në momentin që shkruaj këto radhë, të jetë krijuar dhe licensuar ndonjë institut “Neshostatistics” dhe as nuk e kam ndeshur gjëkundi “statistikën” që ofron Agim Nesho. Nëse kjo statistikë që publikon ai e ka burimin në zyrat e Berishës dhe të Metës, siç duket se është e vetmja gjasë, atëherë, themi ne nga Gjirokastra, vari pafidhen (teneqen)!

Por ka edhe më. Mos u habisni! Nesho na thotë se “është e papranueshme të shoshim dy SHBA: atë madhështore, të vlerave dhe lirisë që shikon Zelenski, dhe atë të përbaltur nga korrupsioni dhe shpërdorimi i autokratëve, që e paraqesin veten si partnerë të SHBA”.

Një Amerikë “e përbaltur” nga Edi Rama! Frojdi ndoshta do e interpretonte këtë mendim të Neshos si një “ankth neurotik” të tij, që gjithashtu buron nga dëshira të ndrydhura e të fshehta.

Mund të vazhdoja me “analizën” e Neshos, por koha është e vyer dhe nuk dua ta shpërdoroj edhe më tej duke u marrë me një njeri, i cili, në dhjetor të vitit 2022 na kujton se “nuk jemi më në periudhën e Luftës së Ftohtë”. Kur i lexova këto fjalë, aty për aty m’u kujtua filmi “Mediterraneo” i Gabriele Salvatores. Një dramë-komedi e jashtëzakonshme. Të zbarkuar në një ishull grek në Detin Egje në vitin 1941 dhe të izoluar në atë ishull, një grup ushtarësh italianë, që kishin humbur ndërlidhjen me komandën e tyre, nuk mundën ta mësonin dot kapitullimin e Italisë në shtator të vitit 1943 dhe, vetëm rastësisht, në vitin 1946, mësuan se Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar.

Nesho thotë se “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për ndryshim të menjëhershëm”.

Për Neshon, siç është e qartë për këdo që e njeh sado pak këtë inxhinier të konvertuar në diplomat dhe tani në politikan, “ndryshim i menjëhershëm” në Shqipëri do të thotë largimi i socialistëve nga qeverisja e vendit dhe kthimi i Berishës dhe i Metës, pikërisht i atyre që i kanë shkaktuar kaq shumë fatkeqësi dhe mjerim këtij vendi.

Më së fundmi, Nesho, po ai Nesho që ëndërronte të bëhej ambasador në Uashington dhe që gënjen lart e poshtë duke thënë se u bë), i kujton presidentit Biden se “shoqëritë demokratike po presin” dhe se “diplomacia amerikane është e vonuar”!

Listen, Mr. Biden! Nesho has a message for you.

Arben Lenja është një shok i imi i fëmijërisë. Një gjirokastrit mjaft i lexuar dhe i zgjuar. Sa herë shihemi, më bën të njëjtën pyetje standarte: “Çfarë e dallon veshëgjatin nga mendjeshkurti?”. Dhe unë i kthej po të njëjtën përgjigje standarte: “Asgjë”. Ndërsa ai ma pret: “S’e gjete. Veshëgjati ka katër këmbë, mendjeshkurtri ka dy”. Dita

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tami: 23/07/2023 05:49

    Z. Tarifa ke nje pene brilante, te pergezoj. I ke thene sakte mendimet per inxhinier Neshon, shumica e shqiptareve keshtu e njohin, si abrash, i themi nga anet tona. Camcakiz eshte fjale e goditur dhe i shkon tamam. Nesho ka nuhatje derkuci. Zvarritet ne emisione tv, per te mos lene as nje grimce dinjiteti ne personin e tij. Ketij njetiu i ka dale boja, trishtim vetem ta shikosh dhe jo ta degjosh. Turp i botes themi ne ne keto raste!!!!

    Përgjigju
  • Ben1: 10/01/2023 16:28

    Nje shkrim i drejte dhe nje kenaqesi per "kohen e humbur"...ska si te thuhej me bukur dhe me qarte. Nesho...kerkon nje post dhe... vitet po shkojne per te. "...si nje Chewing gum"...mire e thua."

    Përgjigju
  • Ledi: 10/01/2023 16:22

    Vete personalteti I Neshos NUK ka vend per komentim,pasi cdo mending I tij eshte hasht llgjukes dhe realitetit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale

Protesta e Berishës, Faik Basha i PL-së e pranon: Nuk kishim shumë njerëz edhe prej motit! Haklaj: Mosbindja civile, teatër! PD bllokoi rrugët, vepër penale